Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: Turqia

  • Kërkimi në det që ka rritur acarimet, Erdogan i prerë në përgjigjen ndaj BE: Na kërkuan të ndalemi, por ne…

    Kërkimi në det që ka rritur acarimet, Erdogan i prerë në përgjigjen ndaj BE: Na kërkuan të ndalemi, por ne…

    Turqia kritikoi një deklaratë për shtyp të lëshuar pas një takimi joformal të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) lidhur me aktivitetet kërkimore të hidrokarbureve të Ankarasë në Mesdheun Lindor, transmeton Anadolu Agency (AA).

    “Shkaku i tensioneve në Mesdheun Lindor është Greqia dhe administrata Qipriote Greke, me veprimet dhe kërkesat e tyre maksimaliste në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Mbështetja e pakushtëzuar e BE-së për këta dy vende që janë duke u përpjekur të injorojnë të drejtat dhe interesat legjitime të vendit tonë dhe qipriotëve turq në Mesdheun Lindor rrisin tensionet edhe më shumë”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

    “Kritika e BE-së për aktivitetet e hidrokarbureve të vendit tonë brenda shelfit kontinental dhe kërkesa e saj për të ndaluar këto aktivitete është e tepruar”, thuhet në deklaratë.

    “Siç konfirmohet nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së, BE nuk ka asnjë autoritet në këtë çështje. Kjo kërkesë është kundër legjitimitetit të BE-së dhe ligjit ndërkombëtar”, shtoi ministria.

    Turqia gjithashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të mos mbështesin “kërkesat maksimaliste” të Greqisë nën pretekstin e solidaritetit të unionit.

    “Greqia nuk është një shtet arkipelag. Është kundër ligjit dhe juridiksionit ndërkombëtar që ishujt grekë, veçanërisht Meis, të kenë shelf kontinental”, theksohet më tej.

    Deklarata gjithashtu theksoi se BE “duhet të veprojë në mënyrë të paanshme dhe të jetë një ndërmjetës i sinqertë”.

    Më parë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se “në mungesë të përparimit me Turqinë, mund të krijohet një listë e masave të mëtejshme kufizuese që mund të diskutohen në Këshillin Evropian më 24 shtator.”

    Të hënën, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas vizitoi Greqinë dhe Turqinë, duke inkurajuar të dy vendet të përfshihen në dialog për të shmangur konfliktin në Mesdheun Lindor.

    Duke kërkuar të bllokojë të drejtat e ligjshme territoriale detare të Turqisë, Greqia nënshkroi marrëveshje të zonës ekskluzive ekonomike (EEZ) me Italinë më 9 qershor dhe me Egjiptin më 7 gusht.

    Ministria e Jashtme turke e ka dënuar këtë të fundit, duke pohuar se Greqia dhe Egjipti nuk kanë kufij detarë dhe se marrëveshja është “e pavlefshme”.

    Ministria turke ka thënë se zona e shënuar në marrëveshje ndodhet në shelfin kontinental të Turqisë, siç është raportuar në OKB nga ana e Ankarasë.

  • Konflikti i acaruar/ Nëse përpjekjet e Gjermanisë për ndërmjetësim me Turqinë dështojnë, atëherë BE ka planifikuar…

    Konflikti i acaruar/ Nëse përpjekjet e Gjermanisë për ndërmjetësim me Turqinë dështojnë, atëherë BE ka planifikuar…

    Nëse përpjekjet e Gjermanisë për të ndërmjetësuar në konfliktin me Turqinë dështojnë, BE-ja pritet të shtojë sanksionet. Sanksione pritet të vendosen edhe ndaj Bjellorusisë.

    Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së diskutojnë në Berlin (27.-28.08) për sanksionet e planifikuara kundër Bjellorusisë dhe reagimet e mundshme ndaj zhvillimeve në konfliktin për gazin natyror me Turqinë.

    Sipas zyrtarëve të BE-së sanksionet e planifikuara kundër Bjellorusisë fillimisht mund të prekin rreth 15-20 persona të përfshirë në mashtrimet zgjedhore dhe në dhunën dhe shtypjen e protestave. Qëllimi i takimit është të arrihet në parim një marrëveshje politike për persona të caktuar si dhe për parimet e sanksioneve.

    Si do të veprojë BE-ja kundrejt Turqisë?

    Edhe ndaj Turqisë mund të merren gjithashtu masa të reja ndëshkuese, sepse Turqia vazhdon të kryejë kërkime për gaz në pjesë të Detit Mesdhe që pretendohen nga Greqia dhe Qiproja, pavarësisht paralajmërimeve nga BE-ja.

    I ngarkuari i BE-së për çështjet e jashtme, Joseph Borrell, do të paraqesë mundësi të ndryshme se si mund të veprojë BE-ja kundrejt Turqisë. BE-ja ka vendosur që nga viti i kaluar një sërë sanksionesh ndaj Ankarasë, sepse i konsideron shpimet për gaz si të paligjshme.

    Gjithësesi sanksionet ndaj Turqisë pritet të vendosen vetëm nëse përpjekjet e fundit të Gjermanisë për të ndërmjetësuar në konflikt dështojnë. Sikurse u tha në kuadrin e një takimi të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të BE-së në Berlin kancelarja Angela Merkel (CDU) dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mund të zhvillojnë një telefonatë tjetër të premten.

    Megjithë thirrjet e shumta që konflikti të mos acarohet, ai vazhdon të përshkallëzohet. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të mërkurën (26.08.) se vendi i tij nuk do të bëjë lëshime në Mesdheun Lindor dhe i bëri thirrje Greqisë që të mos bëjë “gabime” që mund ta “shkatërrojnë”. DW

  • Turqia dhe synimet e saj për superfuqi/ Erdogani paralajmërim për armikun e përbetuar

    Turqia dhe synimet e saj për superfuqi/ Erdogani paralajmërim për armikun e përbetuar

    Manovrat e përbashkëta ushtarake mes Turqisë dhe Azerbajxhanit janë një paralajmërim i qartë për armikun e përbetuar Armeninë. Pas Sirisë dhe Libisë, Ankaraja dëshiron tani të zgjerojë pushtetin e saj në jug të Kaukazit.turk
    Turqia e konsideron veten si fuqi mbrojtëse të ish-republikës sovjetike të Azerbajxhanit. Popullsitë e të dy vendeve kanë ngjashmëri etnike dhe gjuhësore. Shumë shpejt pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të vogël në Detin Kaspik në vitin 1991, u shpall doktrina “dy shtete, një komb”. Si Bakuja dhe Ankaraja i nënvizojnë marrëdhëniet e tyre bilaterale me këtë slogan.

    Që nga mesi i viteve 1990, trupat e Azerbajxhanit dhe të Armenisë kanë pasur përplasje të rregullta ushtarake që shkojnë nga incidentet në kufij deri në luftëra të vërteta për rajonin e Nagorni-Karabahut, i cili ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por që Armenia e konsideron si shtet të pavarur. Pas një konflikti ushtarak mes të dy vendeve, rajoni i Nagorni-Karabahut është që nga viti 1994 nën kontrollin e Armenisë.

    Përleshje e re, Ankaraja pozicionohet
    Më 12 korrik pati sërish një përplasje tjetër të përgjakshme mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në provincën veriore armene të Tavushit. Sipas informacioneve zyrtare pati 17 të vrarë, kryesisht ushtarë. Të dyja vendet fajësojnë njëra-tjetrën.
    Ankaraja reagoi me retorikë të ashpër duke u pozicionuar në anën e Azerbajxhanit dhe ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, fajësoi vetëm Armeninë për incidentin. Por këtë herë qeveria turke nuk u mjaftua vetëm me fjalë. Nga 1 deri më 10 gusht dy vendet aleate do të zhvillojnë manovra të përbashkëta ushtarake në afërsi të Bakusë dhe të Nagorni Karabahut, me pjesëmarrjen edhe të helikopterëve të Forcave Ajrore Turke.

    Kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë
    Direjtoresha e qendrës “Insight Centre for Data Analytics”, Anna Karapetjan e konsideron manovrën si sinjal të rrezikshëm. Pas retorikës së pashembullt agresive, Turqia po nis një manovër ushtarake, e cila nuk do të kontribuojë për më shumë siguri dhe stabilitet në rajon,” – tha politologia. “Turqia është një faktor destruktiv në konfliktin në Nagorni-Karabah”. Mbështetja ushtarake turke duhet kuptuar si kërcënim për Armeninë dhe duhet të ndëshkohet nga bashkësia ndërkombëtare, thotë Karapetajan.

    Kurse Hakki Casin nga Universiteti Yeditepe i Stambollit, e mbështet manovrën e përbashkët ushtarake, në të cilin marrin pjesë njësitë tokësore, ato ajrore si dhe forcat speciale. „Turqia po përpiqet ta përdorë fuqinë ushtarake për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon,” tha eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare.

    Ankaraja dëshiron të sigurojë thesaret e gazit
    Ankaraja e mbështet vendin e vogël në Detin Kaspik edhe për arsye ekonomike: së bashku me Gjeorgjinë, Azerbajxhani është një korridor i rëndësishëm energjetik për Turqinë. Gazjellësi transanatolian, ai transkaukazian dhe i Kaukazit të Jugut kalojnë nëpër këto dy vende. Përmes tyre, gazi natyror kalon nga Deti Kaspik në rrjetin e shpërndarjes së gazit në Turqi. Ankaraja po i shton përpjekjet për të zvogëluar varësinë për energji nga gazi rus dhe Azerbajxhani është bërë vitet e fundit një nga furnizuesit më të rëndësishëm të energjisë për Turqinë.

    Ankaraja dhe Moska përsëri përballë
    Fakti që Ankaraja po e merr gjithnjë e më tepër në mbrojtje Azerbajxhanin po ndiqet nga Kremlini me sytë e Argusit. Eksperti turk për Rusinë, Kerim Has nga Moska thotë se nuk mendon që manovra e tanishme ushtarake do të shkaktojnë tensione midis Ankarasë dhe Moskës.

    Por megjithatë situata mund të ndryshojë shpejt, sepse “ka dëshmi në rritje që qeveria turke dëshiron të krijojë një bazë të përhershme ushtarake në Azerbajxhan.” Dhe sipas ekspertit kjo do të sillte një potencial serioz konflikti midis Ankarasë dhe Moskës. Arsyeja e qëndrimit skeptik të qeverisë ruse ndaj aspiratave hegjemoniste të Ankarasë është se edhe Moska bën biznese në rajon. Kompanitë energjetike ruse si Gazprom kanë monopolin e furnizimit me gaz për Armeninë dhe Nagorni- Karabahun. Dhe jo vetëm kaq: Rusia e sheh veten si forcë mbrojtëse të Armenisë, armikut për kokë të Azerbajxhanit. Forcat e armatosura ruse kanë në Armeni që nga viti 1995 një bazë ushtarake dhe ajo gjendet vetëm 15 kilometra larg kufirit turk. DW