Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i ka shprehur ngushëllimet familjes së mjekut të ndjerë, Hysni Shkjaut, pasi u nda nga jeta si pasojë e kontraktimit të virusit COVID-19.
Në një postim në facebook, Manastirliu shkruan se ndarja nga jeta e mjekut ishte një humbje e madhe për të gjithë, ndërsa kujton se pa u lodhur i ka shërbyer për 40 vite komunitetit në Pukë.
Ndër të tjera ministrja thekson se pavarësisht përpjekjes së kolegëve të tij për ta mbajtur në jetë ne spitalin Infektiv, mjeku nuk ka mundur që ta fitojë betejën me COVID-19.
Reagimi i plotë:
Më trishtoi pa masë lajmi për ndarjen nga jeta këtë mëngjes e dr. Hysni Shkjaut, mjekut të përkushtuar, që shërbeu pa u lodhur dhe nuk u nda për asnjë ditë nga banorët e komunitetit në zonën e Qafë-Malit në Pukë!
Ndarja nga jeta e dr. Hysniut është një dhimbje e madhe për të gjithë ne, për familjen, për kolegët, për banorët e zonës së Pukës, ku shërbeu për 40 vite me përkushtim e profesionalizëm.
Dr. Hysniu nuk mundi ta fitonte betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e mjekëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv.
Ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve! U prehsh në paqe doktor Hysniu!
Sipas ekspertëve, ka prova bindëse që provojnë se koronavirusi transmetohet edhe përmes ajrit, duke e bërë edhe më të vështirë frenimin e përhapjes së tij
239 ekspertë të shëndetësisë nga 32 vende të botës kanë nënshkruar një letër të hapur drejtuar OBSH-s,ë ku i kërkohet asaj të rishikojë rekomandimet për infeksionin e Covid, përfshirë edhe transmetimin në ajër të virusit.
Sipas ekspertëve, ka prova bindëse që provojnë se koronavirusi transmetohet edhe përmes ajrit, duke e bërë edhe më të vështirë frenimin e përhapjes së tij.
Kjo gjithashtu do të nënkuptonte një rishikim të sistemeve të ventilimit në shkolla, shtëpi, strehimoret e të moshuarve, zyra, bare dhe restorante, për të minimizuar riciklimin e ajrit.
Sipas ekspertëve, rezultatet e studimit na tregojnë se maskat duhen mbajtur edhe aty ku distancimi fizik është i mundur të respektohet dhe se lloji i rekomanduar i maskave janë ato të tipit N95, të cilat filtrojnë edhe grimcat më të vogla të virusit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë prej një kohë të gjatë ka thënë se koronavirusi përhapet kryesisht nga spërklat që dalin nga kanalet e frymëmarrjes, me anë të kollitjes ose teshtimës, dhe se këto pika shpejtë bien në tokë.
Dr. Soumya Swaminathan, shkencëtarja kryesore e OBSH-së, ka deklaruar se anëtarët e kësaj agjencie po përpiqen të vlerësojnë dëshmitë e reja shkencore sa më shpejt që është e mundur.
Shënohet viktima e parë në radhët e bluzave të bardha në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për mjekun specialist Arifikmet Deari, 64-vjeç nga Tetova.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka njoftuar se Deari ishte shtruar në spitalin e Shkupit për shkak të probleme neurologjike prej 15 ditësh, dhe më pas ka rezultuar pozitiv edhe me COVID-19.
Maqedonia e Veriut të dielën gjithashtu ka njoftuar edhe për shtatë viktima hga koronavirusi dhe 115 të infektuar.
“Mjeku Deari, i cili kishte vetëm edhe disa muaj deri në pension, është mjeku i parë që ka vdekur nga komplikimet e ka shkaktuara koronavirusi. Shpreh keqardhjen time të thellë për familjen e tij. I bëj thirrje të gjithë punonjësve shëndetësorë që të ruhet dhe mbrohen në vendet e tyre të punë bazuar në protokollet në fuqi, por edhe jashtë institucioneve shëndetësore. I bëjë thirrje edhe qytetarëve që të respektojnë masat, të mbrojnë veten e tyre, punonjësit shëndetësor dhe të gjithë të tjetër”, thuhet në reagimin e Ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Që nga fillimi i pandemisë, në Maqedoninë e Veriut me koronavirus janë infektuar 540 mjekë apo 9 për qind e të gjithë të infektuarve me koronavirus, raporton REL.
Nga testimi i 66,133 mostrave, të infektuar me koronavirus janë 6,932 persona, prej tyre 334 kanë ndërruar jetë, 3,611 janë ende aktivë, ndërsa 2,987 persona janë shëruar.
Eksperti i Shëndetësisë në PD, Gazment Koduzi përmes një statusi në Facebook thotë se qeveria shqiptare nuk ka strategji për të përballuar COVID 19. Sipas tij, Shqipëria mbetet e fundit në rajon për numrin e testimeve.
STATUSI I PLOTË Nga “Qeveria më e mirë” te “populli më i keq” në botë Në fillim të epidemisë së covid-19, Qeveria vuri në zbatim masën më të lehtë për atë, dhe më të vështirën për qytetarët, izolimin. Kjo masë u pranua dhe u zbatua nga qytetarët, por nuk u pasua nga qeveria me masa të tjera për kontrollin e situatës. Kështu, qeveria nuk prokuroi testime dhe tampon, por u mbështet në donacione. Nuk pajisi në kohë personelin mjeksor me masa mbrojtëse personale, dhe nuk përgatiti infrastrukturën shëndetësore për përballimin e nevojave. Respiratorët dhe masat mbrojtëse personale u prokuruan në kulmin e epidemisë (në fund të Marsit 2020). Nisur nga masat ekstreme, konfuze, por edhe të zgjatura në kohë, qeveria shqiptare shpalli fitoren, duke thënë që është qeveria më e suksesshme në botë. Por me hapjen gjatë muajit maj, dolën në pah problemet dhe dobësitë e sistemit tonë shëndetësor. Qeveria nuk përgatiti sistemin për përballimin e sfidave të hapjes. Sipas analizës së sistemeve shëndetësore, “Indeksi I sigurisë Shëndetësore Globale 2019”, Shqipëria performon shumë dobët në të 6 elementët e vlerësimit, por më dobët është në “praktikat e mbajtjes nën kontroll të infeksionit dhe gatishmëria e pajisjeve”. Pikërisht, me hapjen dhe kthimin në normalitet të shërbimeve shëndetësore, spitalet dhe sidomos QSUT u kthye në vatër të shpërndarjes së infeksionit. Mungesa e protokolleve për parandalimin e infeksioneve spitalore, testimin e personelit mjeksor, pacientëve që shtrohen dhe dalin nga spitali, ka bërë që kurba e rasteve aktive në Shqipëri të jetë sikur po hyjmë në kulmin e epidemisë. Për këtë shpërthim qeveria ja vuri fajin popullit! Nga ana tjetër, qeveria nuk kishte asnjë strategji për mbajtjen nën kontroll të përhapjes së virusit, sidomos përmes trinomit Testim – Ndjekje e rasteve – trajtim. Shqipëria ka kryer numrin më të vogël të testimeve në rajon, vetëm 8549 testime për milion banorë, disa herë më pak se fqinjët e tjerë. Nëse nuk kryhen mjaftueshëm testime, nuk mund të kapësh rastet e infektuara si pasojë nuk kryen dot as ndjekjen e rasteve. Pikerisht, mungesa e një strategjie të saktë, mungesa e besueshmërisë te shifrat e dhëna nga qeveria, ju hoqi shqiptarëve të drejtën e lëvizjes së lirë në Europë, të fituar me aq mund në v.2010. Qeveria duhet t’u japë llogari shqipatërëve cfarë strategjie ka dhe cilat janë masat që do të marrë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të covid-19.
Në 2 javët e fundit në Kosovë shifrat e të infektuarve me koronavirus janë rritur ndjeshëm, duke patur çdo ditë më shumë se 100 persona të infektuar, ndërsa ka patur edhe një numër të madh humbje jetësh.
Shqetësimi për shpërthimin e një vale të dytë infektimesh ka bërë që kryeministri Hoti ditën e sotme të marrë masa drastike, duke vendosur disa qytete sërish në karantinë.
Në qytetet Prishtinë, Prizren, Ferizaj e Vushtrri do të kufizohet lëvizja e lirë.
“Në Qytete ku ka numër të madh nga sonte në Pristinë, Prizren Ferizaj e Vushtrri do të kufizojmë lëvizjen e qytetarëve nga ora 21 deri në 5″, ka thënë Hoti.
Gjithashtu edhe lokalet dhe restorantet në të gjithë Kosovën do të mbyllen nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
“Lokalet e gastronomisë mbyllen nga ora 21:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit. Do të funksionojnë vetëm Take Aëay”, theksoi Hoti.
Ai ka thënë se gjithashtu do të reduktohen punëtoret e institucioneve, dhe do të punohet vetëm me staf esencial. Sipas rregullores Hoti ka thënë se do të përcaktohet se çfarë do të nënkuptohet me staf esencial.
Hoti u shpreh se edhe në institucionet shëndetësore do të reduktohen shërbimet jo-esenciale.
“Do të reduktojmë numrin e të punësuarve në institucione vetëm në staf të domosdoshëm. Në institucione shëndetësore, do të reduktohen të gjitha shërbimet që janë jo-esecenciale që presin”, është shprehur ai.
Gjithashtu ka treguar se edhe numri i njerëzve që do të shfrytëzojnë trafikun urban do të përgjysmohet.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se 2 persona kanë humbur jetën ndërsa 74 të tjerë kanë rezultuar pozitivë me koronavirus në vendin tonë në 24 orët e fundit.
Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo vjen me një tjetër thirrje të fortë për qytetarët shqiptarë, teksa vendi ynë po përballet ende me shifra të larta të COVID-19.
Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Kalo nënvizon faktin se koronavirusi prek jo vetë moshat e vjetra, por edhe të rinjtë. Sipas tij këto ditë ka pasur raste të moshave nën 35 vjeç.
MESAZHI I TRITAN KALOS:
KOHË KOVIDIANE…4.07.2020…Një fundjavë si shumë të tjera në këto muaj sfide me Sars-Cov2/Covid-19….Fillon me “gjimnastikën e mëngjesit”, vajtja në këmbë në QSUT sepse mungojnë urbanët, vijon me mbritjen në pavjon ku të pret Anxhi, një prej infermjereve tona të palodhura e cila gjindet aty pas një natë të ngarkuar, dhe pas veshjes se PPE-ve në pavjon fillojnë vizitat e bisedat për shqetsimet e të smurëve jo të pakët të këtyre javëve te fundit…Një dukuri e veçantë në ecurinë e këtyre ditëve të kësaj “flame mbarëbotërore”, janë shtimet e rasteve në të rinjtë, nën 35 vjeç…Pamje e mëposhtëme alarmuese të CT-Cannereve u përkasin pikërisht dy prej tyre….KURRË mos të harroni se Sars-Cov2/Covid-19 PREK ÇDO MOSHË si dhe lëndon me rrezik jetëmarrëse jo vetëm ata me KOMORBOZITETE dhe MOSHAT e treta.….BËNI kujdes vëllezër e motra….Zbatoni me bindje e përpikmëri këshillat e PROFESIONISTËVE për distancim fizik, higjenë personale, ajrim të mjediseve, ushqim, rehidrim, mbajtjen e maskave në mjediset e mbyllura apo të mbipopulluara….Përkujdesuni si për jetët tuaja por edhe të atyre që gjallojnë pranë jush…Tirana këto kohët e fundit sikur “nuk e ndjen fare” erën e dezinfektimit të rrugëve dhe të mjediseve publike, e jo vetëm…HIGJENA kolektive është një domosdoshmëri në këtë sfidë…..Po ashtu miq, kolegë, dashamirës dhe bashkëkombas, Sars-Cov-2/COVID-19 NUKU ka përkatësi partiake dhe ajo nuk “përkëdhel” të majtët apo të djathtët…Është nje virus sëmundje-shkaktues dhe jetë-marrës “Pa dallim Feje, Krahine dhe Ideje”…..MIRËBESIMI reciprok dhe NDËRGJEGJËSIMI kurrë nuk duhet t’ju mungojë….ASGJË nuku është e pamundëshme kur NE bëhemi bashkë në përpjekjet tona….Gjelbërimi e frutëzimi i ullinjve në oborrin e spitalit Covid-1, Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT, janë një dëshmitar i këtij optimizmi real….Together forever!!!
Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 67 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, ndërkohë që janë shënuar dy viktima.
Një 67-vjeçare dhe një 73-vjeçare, të dyja nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, kanë humbur jetën në Spitalin Infektiv.
Aktualisht po trajtohen 88 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar.
https://youtu.be/FwjgpCPDgV0
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet me një thirrje secilit prej jush: tregoni kujdes me respektimin e rregullave. Përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, kur hyni në supermarket, në dyqane, në zyrë dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën.
Ju informojmë për situatën epidemiologjike në vend ku vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv. Aktualisht po trajtohen 88 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar. Fatkeqësisht 2 qytetarë kanë humbur betejën me Covid19 gjatë 24 orëve të fundit. Një 67 vjeçare dhe një 73 vjeçare, të dyja nga Tirana me disa sëmundje bashkëshoqëruese, kanë humbur jetën në spitalin infektiv, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerave.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 376 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 34 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 6 në Kavajë, 4 në Elbasan, nga 3 raste në Kurbin, Korçë, nga 2 raste në Kukës, Krujë, nga 1 rast në Fier, Lezhë, Lushnje, Kamëz. Në 24 orët e fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar në 1637 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1108 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore. Kur është e mundur të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia për të minimizuar kontaktin mes tyre dhe përhapjen e infeksionit.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura.
Ruani distancën fizike, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse në ambiente publike apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.
Virusi është ende mes nesh, dhe ne mund ta mposhtim atë vetëm nëse ndryshojmë sjelljen tonë të përditshme duke respektuar rregullat e vendosura. Suksesi do të varet nga sjellja individuale e çdo qytetari.
Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Covid19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.
COVID-19 – Statistika (4 Korrik 2020) Testime totale 28409 Raste pozitive 2819 Raste të shëruara 1637 Raste Aktive 1108 Humbje jete 74 (Qarku Tiranë 41, Durrës 12, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 11, Kukës 1, Elbasan 2) Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: Tiranë 428 Durrës 199 Shkodër 164 Vlorë 115 Fier 46 Lezhë 59 Korçë 35 Kukës 20 Elbasan 16 Gjirokastër 10 Berat 8 Dibër 8
Profesori suedez: Imuniteti ndaj COVID mund të jetë më i lartë seç mendohet
Një studim i kryer nga Instituti Karolinksa në Suedi tregon se njerëzit që nuk kanë antitrupa të koronavirusit, mund të kenë imunitet me qelizat T, të cilat i identifikojnë dhe i vrasin qelizat e infektuara. Studimi ka përfshirë rreth 200 persona. Njëri nga bashkautorët e tij, Hans-Gustaf Ljunggren, thotë se imuniteti me qeliza T duket se është shumë jetëgjatë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ljunggren, profesor i Mjekësisë së Infeksionit në Institutin Karolinska, thotë se qelizat T po ashtu çojnë më pranë imunitetit të tufës.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Ljunggren, një studim i Institutit Karolinska në Suedi – bashkautor i të cilit jeni edhe ju – tregon se njerëzit që testojnë negativë për antitrupa ndaj koronavirusit, mund të kenë akoma imunitet. Si është e mundur kjo?
Hans-Gustaf Ljunggren: Ajo që kemi vërejtur është se shumë pacientë që kanë qenë të infektuar me virus, kanë pasur reagim të fuqishëm të qelizave T, që është i pavarur nga përgjigjja e antitrupave.
Radio Evropa e Lirë: Përmendët qelizat T… Si funksionojnë këto qeliza, krahasuar me antitrupat?
Hans-Gustaf Ljunggren: Kjo është një pyetje e mirë. Qelizat T janë qeliza të bardha të gjakut dhe ato janë të specializuara në identifikimin e qelizave të infektuara nga virusi. Për dallim prej tyre, antitrupat janë të specializuar në identifikimin e grimcave të lira të virusit në trup. Qelizat T i vrasin qelizat që janë infektuar me virus. Në thelb, e eliminojnë ‘fabrikën’ ku prodhohen grimcat e virusit në trup.
Radio Evropa e Lirë: Si zhvillohen qelizat T në trupat e njerëzve?
Hans-Gustaf Ljunggren: Në çdo sekondë, në trupin tënd, në trupin tim dhe në trupin e secilit, gjenerohen miliona qeliza të reja T. Të gjitha këto qeliza T, në mënyrë të mrekullueshme, kanë aftësi të njohin gjithçka që trupi mund të hasë. Kjo do të thotë se të gjitha qelizat T kanë specifika të ndryshme. Nëse ne infektohemi me virus, si koronavirusi për shembull, disa prej qelizave T do t’i identifikojnë qelizat e infektuara. Ato do të ndahen me shpejtësi – do të jenë miliona sosh me këtë specifikë të veçantë, që do të luftojnë sëmundjen.
Dietë e mirë ushqimore, stërvitje, gjumë i mirë…
Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë metodë specifike apo ndonjë ilaç që mund të nxisë prodhimin e qelizave T?
Hans-Gustaf Ljunggren: E dimë në përgjithësi se për një imunitet të mirë duhet një dietë e mirë ushqimore, stërvitje, gjumë i mirë natën. E dimë se uria dhe mungesa e gjumit kanë efekte negative. Po ashtu edhe disa sëmundje mund të kenë efekte negative. Për shembull, kanceri mund të shtypë imunitetin dhe trupi i njeriut mund të mos jetë në gjendje të mirë për t’u mbrojtur nga infeksionet, përfshirë viruset.
Radio Evropa e Lirë: Përmendët një dietë të mirë ushqimore. Ta elaborojmë pak më shumë… Çfarë lloji ushqimesh u rekomandohet njerëzve të hanë?
Hans-Gustaf Ljunggren: Nuk jam i sigurt se mund të jap rekomandime specifike, por e dimë se në vendet ku ka varfëri, mungesa ushqimesh, uri… këto kanë efekte në sistemin imunitar.
Radio Evropa e Lirë: Le të themi se një person i caktuar ka qeliza T, a do të thotë kjo se ato do ta mbrojnë vetëm atë, apo po ashtu do ta pengojnë atë që ta transmetojë infeksionin te të tjerët?
Hans-Gustaf Ljunggren: Nëse një individ ka qeliza shumë të mira T, që mund ta luftojnë virusin, kjo do të thotë se ai nuk do të ketë përsëritje virale. Andaj, ai individ specifik nuk do të jetë në gjendje ta transmetojë virusin te të tjerët. Pra, përfundimisht, një përgjigje e mirë e qelizave T do të kontribuojë në përgjigjen e përgjithshme ndaj virusit dhe në aftësinë e individit për të përhapur virusin tutje.
Imuniteti me qelizat T mund të jetë jetëgjatë
Radio Evropa e Lirë: A keni ndonjë ide se sa mund të zgjasë imuniteti me qelizat T?
Hans-Gustaf Ljunggren: Kjo po ashtu është një pyetje e mirë. Në rastin e COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], ne nuk e dimë këtë, sepse sëmundja është me ne që pesë ose gjashtë muaj – së paku në Evropë. Por, ajo që mund të bëjmë është të shohim epidemitë e tjera të koronaviruseve. Në vitin 2003 ka qenë një epidemi e madhe në Azinë Juglindore, por që nuk është përhapur globalisht.
Ka pasur disa studime për përgjigjen imunitare të pacientëve. Është interesante se përgjigjja e antitrupave te disa pacientë nuk ka zgjatur më shumë se dy-tre vjet. Por, disa njerëz që janë infektuar atëbotë, pra më 2003, ata edhe sot kanë qeliza T kundër atij virusi. Kjo na tregon se përgjigjja e qelizave T mund të jetë me të vërtetë jetëgjatë. Nuk e dimë se si do të ndodhë në këtë rast [të COVID-19], por ka indikacione për një rrjedhë të ngjashme.
Radio Evropa e Lirë: Ku mund të bëhen testet për qelizat T? Në çdo laborator? Njësoj si për antitrupa?
Hans-Gustaf Ljunggren: Jo. Kjo është një pyetje që na bëhet shpesh. Për fat të keq, testet e qelizave T janë shumë më të komplikuara. Ato kërkojnë një laborator të specializuar, një laborator të specializuar kërkimi. Nëse janë nga persona të infektuar, nganjëherë kërkojnë masa paraprake të sigurisë dhe teknologji e metodologji mjaft të përparuara. Pra, në këtë moment, ato mund të kryehen vetëm në laboratore kërkimore.
Radio Evropa e Lirë: Jo secili vend i ka këto laboratore?
Hans-Gustaf Ljunggren: Vendet, në shkallë të ndryshme, kanë laboratore të tilla, por ju duhet të keni edhe shkencëtarë të aftë për t’i kryer ato teste.
Radio Evropa e Lirë: A na afron imuniteti i qelizave T më pranë imunitetit të tufës?
Hans-Gustaf Ljunggren: Po. Jam absolutisht i bindur. Do të thosha se roli i qelizave T është mbrojtja nga infeksionet e viruseve, përtej të gjitha funksioneve të tjera. Kështu janë zgjedhur gjatë rrjedhës së evolucionit. Pra, po, ky është supozimi im absolut.
Radio Evropa e Lirë: Edhe një pyetje, Suedia ka ndjekur një rrugë tjetër në luftimin e koronavirusit, ndryshe nga vendet e tjera në Evropë. A keni të dhëna se sa ka zhvilluar imunitet popullata?
Hans-Gustaf Ljunggren: Sikurse edhe në vende të tjera, janë matur nivelet e antitrupave. Nuk ka pasur matje të gjera, por në Stokholm, për shembull, seropozitiviteti, apo niveli i konsiderueshëm i antitrupave, në matjet e një jave apo dy javëve më parë, ka dalë të jetë 15-17 për qind.
Por, ajo që ne kemi treguar është se shumica e njerëzve që kanë antitrupa, kanë qeliza T, por përveç kësaj, shumë njerëz kanë qeliza T dhe nuk kanë përgjigje të antitrupave. Pra, shkalla e imunitetit, së paku te popullsia e Stokholmit, ka të ngjarë të jetë më e lartë seç reflektohet në matjet e antitrupave.
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka përshëndetur suksesin e shndritshëm të vendit të tij në përballjen me Covid-19.
Duke folur në një mbledhje të byrosë politike, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, ai tha se vendi kishte parandaluar përhapjen e virusit dhe e kishte mbajtur situatën stabël.
Koreja e Veriut mbylli kufijtë e saj dhe vendosi mijëra vetë në izolim gjashtë muaj më parë ndërsa virusi u përhap në të gjithë globin. Ajo pretendoi se nuk kishte raste të virusit edhe pse analistët thanë se kjo nuk kishte gjasa të ndodhte. Kim ndërkohë thuhet se ka analizuar në detaj emergjencën kombëtare gjashtë mujore dhe punën antiepidemike në mbledhjen e fundit të byrosë politike dhe tha se suksesi në menaxhimin e situatës ishte arritur si pasojë e vizionit largpamës të lidershipit të komitetit qendror të partisë. Por ai sipas KCNA nënvizoi edhe rëndësinë e vigjilencës maksimale, pa e larguar vëmendjen nga fronti anti epidemik duke shtuar se virusi është ende i pranishëm në vendet fqinje. Në fakt askush nuk e di nëse koronavirusi është përhapur apo jo në Korenë e Veriut. Vendi ka qenë i mbyllur që nga 30 janari dhe shumë pak njerëz kanë dalë apo hyrë në të.
Vullnetarët e kryqit të kuq ndërkombëtar, në zonën e kufirit, thonë se ka patur raporte të pakonfirmuara për raste në vend. OBSH, në një raport të sajin, thotë se në vend janë testuar vetëm 922 persona për virusin dhe të gjithë kanë rezultuar negativë. Koreja e veriut ka një kufi të gjatë me kinën dhe ka thënë gjithnjë se nuk ka regjistruar as edhe një rast të vetëm të virusit.