Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: BE

  • Në kulmin e tensioneve/ Erdogan i bën thirrje të fortë BE-së. Ja çfarë i kërkon

    Në kulmin e tensioneve/ Erdogan i bën thirrje të fortë BE-së. Ja çfarë i kërkon

    Një partner i NATO-s kundër një partneri të NATO-s, një anëtar i BE-së kundër një vendi kandidat të BE-së: mosmarrëveshja midis Greqisë dhe Turqisë rreth lëndëve të para në Detin Mesdhe ka shumë aspekte.

    Rexhep Tajip Erdogan i ka bërë thirrje BE-së të jetë “e paanshme” në mosmarrëveshjen e gazit me Greqinë. Sipas njoftimeve të zyrës presidenciale në Ankara Presidenti turk i tha në një telefonatë Presidentit të Këshillit të BE-së Charles Michel se qëndrimi i Bashkimit Evropian në këtë çështje është një provë e sinqeritetit të tij. Brukseli dhe vendet anëtare të BE-së duhet të jenë “të drejtë, të paanshëm dhe objektivë” dhe “të sillen me përgjegjësi” për “çështjet rajonale”, veçanërisht në Mesdheun Lindor.

    Michel nga ana e tij i kërkoi Erdoganit gjatë bisedës telefonike që të angazhohet për shpërshkallëzimin e konfliktit dhe të heqë dorë nga veprime që mund të ushqejnë më tej tensionet me Greqinë, tha një përfaqësues i BE-së.

    Edhe Qiproja e përfshirë

    Që nga zbulimi i rezervave të pasura të gazit në Mesdheun lindor ka pasur mosmarrëveshje të ashpra rreth shfrytëzimit të tyre. Përveç Greqisë dhe Turqisë, Qiproja ka  gjithashtu pretendime për zonat detare në fjalë. Në mbështetje të pretendimeve të tyre Ankaraja dhe Athina kanë dërguar anije luftarake. Marrëdhëniet midis dy anëtareve të NATO-s janë jashtëzakonisht të tensionuara.

    Po ashtu ushtria turke po zhvillon që nga e diela në veri të ishullit mesdhetar të Qipros edhe një stërvitje ushtarake. Në veri të Qipros, që është e ndarë që nga një ndërhyrje ushtarake e Turqisë në vitin 1974, pra në Republikën Turke të Qipros, e cila njihet vetëm nga Ankaraja, ka të stacionuara trupa turke.

    Presidenti i Këshillit të BE-së, Mishel propozoi në kuadër të konfliktit mes Turqisë dhe Greqisë një “konferencë shumëpalëshe” me pjesëmarrjen e Ankarasë. Takimi nuk ka për qëllim vetëm të ndërmjetësojë në mosmarrëveshjen mbi rezervat e gazit natyror, por edhe për çështjet e migracionit dhe të sigurisë. DW

  • Kërkimi në det që ka rritur acarimet, Erdogan i prerë në përgjigjen ndaj BE: Na kërkuan të ndalemi, por ne…

    Kërkimi në det që ka rritur acarimet, Erdogan i prerë në përgjigjen ndaj BE: Na kërkuan të ndalemi, por ne…

    Turqia kritikoi një deklaratë për shtyp të lëshuar pas një takimi joformal të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) lidhur me aktivitetet kërkimore të hidrokarbureve të Ankarasë në Mesdheun Lindor, transmeton Anadolu Agency (AA).

    “Shkaku i tensioneve në Mesdheun Lindor është Greqia dhe administrata Qipriote Greke, me veprimet dhe kërkesat e tyre maksimaliste në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Mbështetja e pakushtëzuar e BE-së për këta dy vende që janë duke u përpjekur të injorojnë të drejtat dhe interesat legjitime të vendit tonë dhe qipriotëve turq në Mesdheun Lindor rrisin tensionet edhe më shumë”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

    “Kritika e BE-së për aktivitetet e hidrokarbureve të vendit tonë brenda shelfit kontinental dhe kërkesa e saj për të ndaluar këto aktivitete është e tepruar”, thuhet në deklaratë.

    “Siç konfirmohet nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së, BE nuk ka asnjë autoritet në këtë çështje. Kjo kërkesë është kundër legjitimitetit të BE-së dhe ligjit ndërkombëtar”, shtoi ministria.

    Turqia gjithashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të mos mbështesin “kërkesat maksimaliste” të Greqisë nën pretekstin e solidaritetit të unionit.

    “Greqia nuk është një shtet arkipelag. Është kundër ligjit dhe juridiksionit ndërkombëtar që ishujt grekë, veçanërisht Meis, të kenë shelf kontinental”, theksohet më tej.

    Deklarata gjithashtu theksoi se BE “duhet të veprojë në mënyrë të paanshme dhe të jetë një ndërmjetës i sinqertë”.

    Më parë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se “në mungesë të përparimit me Turqinë, mund të krijohet një listë e masave të mëtejshme kufizuese që mund të diskutohen në Këshillin Evropian më 24 shtator.”

    Të hënën, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas vizitoi Greqinë dhe Turqinë, duke inkurajuar të dy vendet të përfshihen në dialog për të shmangur konfliktin në Mesdheun Lindor.

    Duke kërkuar të bllokojë të drejtat e ligjshme territoriale detare të Turqisë, Greqia nënshkroi marrëveshje të zonës ekskluzive ekonomike (EEZ) me Italinë më 9 qershor dhe me Egjiptin më 7 gusht.

    Ministria e Jashtme turke e ka dënuar këtë të fundit, duke pohuar se Greqia dhe Egjipti nuk kanë kufij detarë dhe se marrëveshja është “e pavlefshme”.

    Ministria turke ka thënë se zona e shënuar në marrëveshje ndodhet në shelfin kontinental të Turqisë, siç është raportuar në OKB nga ana e Ankarasë.

  • Konflikti i acaruar/ Nëse përpjekjet e Gjermanisë për ndërmjetësim me Turqinë dështojnë, atëherë BE ka planifikuar…

    Konflikti i acaruar/ Nëse përpjekjet e Gjermanisë për ndërmjetësim me Turqinë dështojnë, atëherë BE ka planifikuar…

    Nëse përpjekjet e Gjermanisë për të ndërmjetësuar në konfliktin me Turqinë dështojnë, BE-ja pritet të shtojë sanksionet. Sanksione pritet të vendosen edhe ndaj Bjellorusisë.

    Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së diskutojnë në Berlin (27.-28.08) për sanksionet e planifikuara kundër Bjellorusisë dhe reagimet e mundshme ndaj zhvillimeve në konfliktin për gazin natyror me Turqinë.

    Sipas zyrtarëve të BE-së sanksionet e planifikuara kundër Bjellorusisë fillimisht mund të prekin rreth 15-20 persona të përfshirë në mashtrimet zgjedhore dhe në dhunën dhe shtypjen e protestave. Qëllimi i takimit është të arrihet në parim një marrëveshje politike për persona të caktuar si dhe për parimet e sanksioneve.

    Si do të veprojë BE-ja kundrejt Turqisë?

    Edhe ndaj Turqisë mund të merren gjithashtu masa të reja ndëshkuese, sepse Turqia vazhdon të kryejë kërkime për gaz në pjesë të Detit Mesdhe që pretendohen nga Greqia dhe Qiproja, pavarësisht paralajmërimeve nga BE-ja.

    I ngarkuari i BE-së për çështjet e jashtme, Joseph Borrell, do të paraqesë mundësi të ndryshme se si mund të veprojë BE-ja kundrejt Turqisë. BE-ja ka vendosur që nga viti i kaluar një sërë sanksionesh ndaj Ankarasë, sepse i konsideron shpimet për gaz si të paligjshme.

    Gjithësesi sanksionet ndaj Turqisë pritet të vendosen vetëm nëse përpjekjet e fundit të Gjermanisë për të ndërmjetësuar në konflikt dështojnë. Sikurse u tha në kuadrin e një takimi të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të BE-së në Berlin kancelarja Angela Merkel (CDU) dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mund të zhvillojnë një telefonatë tjetër të premten.

    Megjithë thirrjet e shumta që konflikti të mos acarohet, ai vazhdon të përshkallëzohet. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të mërkurën (26.08.) se vendi i tij nuk do të bëjë lëshime në Mesdheun Lindor dhe i bëri thirrje Greqisë që të mos bëjë “gabime” që mund ta “shkatërrojnë”. DW

  • “Helmimi mund të jetë porositur nga…”/ Rritet presioni ndaj Rusisë, BE ultimatum: Nis hetimet menjëherë dhe…

    “Helmimi mund të jetë porositur nga…”/ Rritet presioni ndaj Rusisë, BE ultimatum: Nis hetimet menjëherë dhe…

    Në rastin e drejtuesit të opozitës ruse, Aleksej Navalny me gjasë të helmuar, BE rrit presionin ndaj Rusisë. I ngarkuari i BE për politikën e jashtme, Joseph Borrell tha: Presim nga Moska që të zbardhë rastin pa vonesë.

    Populli rus, por edhe bashkësia ndërkombëtare kërkojnë që të dinë arsyet, theksoi i ngarkuari i BE për politikën e jashtme, Joseph Borrell. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë. Hetimet duhet të fillojnë menjëherë dhe të jenë të pavarura dhe transparente.

    Gjetja e përgjegjësve

    Ashtu si Bashkimi Europian, edhe kancelarja Merkel dhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas kërkojnë nga autoritetet ruse të zbardhin sulmin e mundshëm ndaj Navalynt. Për shkak të rolit të tij të rëndësishëm brenda opozitës ruse, duhet që rasti të zbardhet deri në fund. “Përgjegjësit duhet të zbulohen dhe të dalin para drejtësisë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Merkelit dhe ministrit të Jashtëm, Maas.

    Gjendja e Navalnyt serioze

    Aktivisit i njohur kundër korrupsionit dhe kritiku i ashpër i Putinit u dërgua në një spital rus në Omskun siberian të enjten e kaluar, kjo pasi ai gjatë një fluturimi drejt Moskës pati dridhje të forta dhe pastaj humbi vetëdijen. Rrethi i afërt i Navalnyt është i mendimit, se ai u helmua pasi piu një çaj pak para fluturimit.

    Klinika universitare Charite, ku po trajtohet kritiku i njohur rus po ashtu mendon për helmim të 44 vjeçarit. Këtë e bëri të ditur një zëdhënëse e klinikës. Navalny ndodhet ende në koma. “Gjendja e tij shëndetësore është serioze, por nuk ka rrezik akut për jetën”, Rezultatet e kontrolleve mjekësore çojnë drejt konkluzionit për helmim “me një substancë nga grupi i frenuesve të kolinesterazës. Navalny po trajtohet me një kundërilaç. “Si do të përfundojë sëmundja është e pasigurtë dhe nuk mund të përjashtohen në këtë moment pasojat e vona sidomos në sistemin nervor.”

    “Gjëra të tilla janë të kreut”

    Kreu i komisionit parlamentar të Bundestagut, Norbert Röttgen, CDU, shprehu dyshimin se helmimi me gjasa i Navalnyt mund të jetë porositur nga instancat më të larta. “Gjëra të tilla janë në dorën e kreut”, tha politikani i CDU-së për televizionin gjerman, ZDF. Sipas tij me Navalnyn duhet të jepej një shembull si “paralajmërim nga popullit”. Koha nuk është rastësi. Qëllimi është që në sfondin e protestave në Bjellorusi të dërgohet një “sinjal i qartë” ndaj opozitës ruse, tha Röttgen.

    Mjekët rusë thonë megjithatë, se Navalny nuk është helmuar. “Ne e shpëtuam me mundim të madh dhe punë jetën e tij”, tha kreu i klinikës Aleksander Murahovski në Omsk. “Nëse do të kishim gjetur një helm të tillë, që do ishte konfirmuar, do të kishte qenë për ne shumë më e thjeshtë.” Mjekët e Omskut i hodhën poshtë akuzat, se udhëtimi i Navalnyt në Gjermani u shty për shkak të presionit të autoriteteve ruse.

    DW

  • “Me amnistinë fiskale, Shqipëria si parajsë për krimin e organizuar”, Tabaku: Nëse Rama nuk tërhiqet, PD në qeveri do ta shfuqizojë me efekt prapaveprues

    “Me amnistinë fiskale, Shqipëria si parajsë për krimin e organizuar”, Tabaku: Nëse Rama nuk tërhiqet, PD në qeveri do ta shfuqizojë me efekt prapaveprues

    PD ka reaguar përmes ish deputetes Jorida Tabaku lidhur me ligjin e aministisë fiskale, për të cilën thotë se po thellon kursin e tij të përplasjes me partnerët strategjikë SHBA dhe Bashkimin Europian dhe po godet interesat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për llogari të krimit të organizuar dhe pushtetit të tij personal.

    “Projekti i kryeministrit në ikje për amnistinë fiskale e kthen vendin në parajsën e krimit financiar ndërkombëtar dhe madje në vendstrehim për persona që financojnë aktivitete terroriste. Në ligjin që kryeministri në ikje duhet ta tërheqë menjëherë, çdo i huaj që ka një biznes në Shqipëri mund të deklarojë dhe të ligjërojë paratë e tij pa u pyetur për burimin e tyre.” –tha Tabaku ndërsa paralajmëroi se nëse kryeministri në ikje nuk tërhiqet, PD në qeveri do ta shfuqizojë me efekt prapaveprues.

    “Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, deklarojnë sot para shqiptarëve, para partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, dhe para subjekteve potenciale të këtij projekt-ligji, se nëse kryeministri në ikje nuk tërhiqet nga ky ligji korruptiv, ne do të zhbëjmë me efekt prapaveprues çdo dispozitë dhe përfitim nga ky ligj.”- përfundoi Tabaku.

    Deklarata e plotë:

    Me ligjin e amnistisë fiskale, kryeministri në ikje po e thellon kursin e tij të përplasjes me partnerët strategjikë SHBA dhe Bashkimin Europian dhe po godet interesat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për llogari të krimit të organizuar dhe pushtetit të tij personal.

    Projekti i kryeministrit në ikje për aministinë fiskale e kthen vendin në parajsën e krimit financiar ndërkombëtar dhe madje në vendstrehim për persona që financojnë aktivitete terroriste. Në ligjin që kryeministri në ikje duhet ta tërheqë menjëherë, çdo i huaj që ka një biznes në Shqipëri mund të deklarojë dhe të ligjërojë paratë e tij pa u pyetur për burimin e tyre.

    Projekti i kryeministrit në ikje u siguron paprekshmëri dhe legalizim të pasurisë gjithë anëtarëve të organizatave kriminale brenda dhe jashtë vendit.

    Ata fshihen pas pretendimit se po ndihmohen gjoja emigrantët, por në fakt do të pastrojnë paratë përmes akteve kriminale të kësaj qeverie në ikje.

    Emigrantët shqiptarë që jetojnë me sakrifica dhe punë të ndershme nuk përfitojnë nga ky ligj, sepse ai nuk po bëhet për emigrantët, por për trafikantët ndërkombëtarë të drogës.

    Projekti i Edi Ramës për amnistinë fiskale favorizon politikanët dhe një numër të lartë zyrtarësh. Mjafton që i afërmi i një politikani të mos jetë në certifikatën e tij familjare dhe për pasurinë e tij eventualisht të paligjshme, bëhet mburojë amnistia fiskale, e propozuar nga kryeministri në ikje.
    Qeveria nuk duhet të luajë me zjarrin dhe ta shndërrojë vendin në lavatriçe të parave të krimit të organizuar dhe terrorrizmit.

    Kjo amnisti është një shuplakë për shumicën e shqiptarëve që kanë që jetojnë duke punuar në punë të ndershme. Përfituesit e amnistisë fiskale paguajnë si taksë vetëm 5 – 10% për vlerën e deklaruar, ndërsa një qytetar ka paguar në 7 vite nga 15% në 23%.

    Së dyti, projekti i kryeministrit në ikje i ofron mbrojtje penale krimit të organizuar që do të deklarojë paratë e paligjshme.

    Përfituesit nga amnistia nuk do të hetohen për mënyrën, sesi apo kur e kanë vendosur pasurinë e padeklaruar. Atyre u ruhet fshehtësia e identitetit dhe e deklarimit, duke mbrojtur kështu shkelësit e ligjit përpara atyre që e zbatojnë atë.

    Partia Demokratike e konsideron projektin e Edi Ramës për aministinë fiskale të papranueshëm.

    Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, deklarojnë sot para shqiptarëve, para partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, dhe para subjekteve potenciale të këtij projekt-ligji, se nëse kryeministri në ikje nuk tërhiqet nga ky ligji korruptiv, ne do të zhbëjmë me efekt prapaveprues çdo dispozitë dhe përfitim nga ky ligj.

  • Kërcënimi nga Bundestagu gjerman: Tërhiquni nga ndryshimet kushtetuese ose bllokojmë hapjen e negociatave me BE

    Kërcënimi nga Bundestagu gjerman: Tërhiquni nga ndryshimet kushtetuese ose bllokojmë hapjen e negociatave me BE

    Zv.kryetar i Grupit të CDU-CSU në Bungestag Johann David Wadephul ka reaguar pas zhvillimeve politike në vend ku Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet kushtetuese për hapjen pjesërisht të listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore duke shkelur kështu kompromisin e arritur në Këshillin Politik me opozitën jo parlamentare.

    Wadephul deklaron se reforma zgjedhore duhet të miratohet nga Parlamenti pa ndryshime, ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e 14 janarit 2020. Madje ai kërcënon me bllokimin e konferencës së parë ndërqeveritare dhe procesin e integrimit nëse marrëveshja nuk miratohet ashtu siç është dakordësuar.

    “Me marrëveshjen e 5 qershorit dhe marrëveshjet e tjera të bazuara mbi të, qeveria dhe opozita kanë hartuar një reformë të mirë zgjedhore. Kjo reformë zgjedhore tani duhet të miratohet nga Parlamenti pa ndryshime, ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e 14 janarit 2020. Atëherë do të përmbushej kërkesa e bërë nga BE dhe Bundestagu gjerman për të kryer një reformë zgjedhore në një proces gjithëpërfshirës midis qeverisë dhe opozitës – përfshirë opozitën ekstra-parlamentare.

    Por tani po dëgjojmë për vendime në Parlament, për të ndryshuar marrëveshjet e 5 qershorit dhe kushtetutën, duke ndaluar formimin e koalicioneve zgjedhore nga partitë përpara zgjedhjeve.
    Të dyja këto ndryshime, nëse do të miratohen nga Parlamenti, do të ishin një shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit.

    Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë”, deklaroi Wadephul.

    “Në praktikë, -vijon ai- kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit”.
    Ai thekson se “kjo do ta vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashimin Europian”.

    “Për më tepër, një qasje e tillë do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e një reforme të mirë zgjedhore.

    Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje.

    Prandaj u bëj thirrje kolegëve në Parlamentin shqiptar:
    Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni reformën zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore. Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman.

    Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!”, deklaron gjermani Wadephul.

  • BE vendos të mos hapë kufijtë/ DW: Tri elementet që e penalizuan Shqipërinë. Paralajmërimi i OBSH

    BE vendos të mos hapë kufijtë/ DW: Tri elementet që e penalizuan Shqipërinë. Paralajmërimi i OBSH

    Komisioni Evropian vendosi që të mos hapë kufijtë me katër vende të Ballkanit Perëndimor, ndonëse rekomandimet e mëparshme ishin pozitive. Serbia dhe Mali i Zi përfitojnë.

    Serbia dhe Mali i Zi janë dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor me të cilat Bashkimi Evropian ka rekomanduar hapjen e kufijve të jashtëm me 1 korrik. Në Bruksel është hartuar një listë prej 15 vendesh, e bazuar mbi të dhënat e dy javëve të fundit, ku thuhet se gjendja epidemiologjike me COVID-19 në këto vende është “e ngjashme” apo dhe më e mirë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian. Gjendja do të rishikohet çdo dy javë. Përveç Serbisë dhe Malit të Zi, në listën e vendeve me të cilat rekomandohet hapja e kufijve janë edhe Algjeria, Australia, Kanadaja, Gjeorgjia, Japonia, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Koreja e Jugut, Tajlanda, Tunezia, Uruguaji dhe Kina. Në këtë listë nuk janë pra Shqipëria, Kosova, SHBA, Turqia, Rusia…

    ”Për t’u futur në këtë listë është e nevojshme që numri i të infektuarve në 100.000 banorë, në 14 ditët e fundit, të jetë i njëjtë apo i ngjashëm me mesataren e BE. Njëkohësisht edhe lëvizjet e numrave të të infektuarve gjatë dy javëve të fundit duhet të jenë stabile ose në rënie. Ndërkohë që të dhënat duhet të jenë të sakta dhe të qëndrueshme”, thuhet në shpjegimin e Këshillit të BE.

    Në kumtesë thuhet se këto janë rekomandimet e Këshillit të BE, “e jo obligime ligjore” dhe se vendet anëtare janë ato të cilat i zbatojnë apo jo këto rekomandime. Kjo do të thotë se vendet anëtare mund t’i zbatojnë këto rekomandime, por nuk janë të obliguara që të hapin kufijtë me vendet që janë në listë. Por kufijtë nuk mund të hapë asnjë vend anëtar i BE me vendet e treta, që nuk janë në këtë listë, pa një marrëveshje paraprame me vendet tjera të BE. Kështu Çekia menjëherë pas publikimit të listës ka bërë të ditur se do të hapë kufijtë vetëm me tetë vende nga kjo listë, përfshirë këtu edhe Serbinë dhe Malin e Zi.

    Ndryshimi i listave
    Lista do të rishikohet pas dy javësh dhe sipas të gjitha gjasave që tani dihet se gjendja do të komplikohet, pasi që ndërkohë në Bruksel kanë mbërritur edhe të dhënat e ditëve të fundit. Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton për rritjen e numri të të infektuarve me COVID-19 në pjesën e dytë të qershorit në të paktën 11 vende të Evropës.

    OBSH ka bërë të ditur se në pjesën e dytë të qershorit gjendja është përkeqësuar në veçanti në Suedi, por edhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pra edhe në Shqipëri e Kosovë, me përjashtim të Serbisë dhe Malit të Zi.

    Thuhet se në Maqedoninë e Veriut është shtuar numri i të infektuarve gjatë qershorit në mbi 100 persona në ditë, e shpesh kjo shifër ka mbërritur edhe në 200 raste. Autoritetet theksojnë se numri i të infektuarve ka filluar të rritet në momentin kur janë hequr kufizimet dhe se banorët i kanë injoruar rekomandimet e autoriteteve për kujdes, ruajtjen e distancës dhe ikjen e tubimeve.

    Për shkak të mosrespektimit të distancës dhe masave të parashikuara, numri i infektimeve është rritur edhe në Shqipëri. Ndërkohë që masat nuk janë respektuar as në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, ku po ashtu është shënuar rritje e numrit të infektimeve, thuhet në shpjegimet e OBSH.

    Të gjitha këto vende të Ballkanit Perëndimor kanë qenë në listën e vendeve me zhvillime pozitive në pjesën e parë të qershorit. Ndaj me 11 qershor rekomandohej që me 1 korrik të hapen kufijtë edhe me Kosovën dhe Shqipërinë. Por për shkak të përkeqësimit të gjendjes, ato janë larguar nga lista.

    Në dokumentin e Qendrës Evropiane për Kontroll dhe Evitimi të Sëmundjeve thuhet se numri i të infektuarve është rritur shumë edhe në Serbi dhe B-H, por nga lista ka rënë vetëm B-H, ndërsa Serbia ka mbetur.

    Në Këshillin Evropian thuhet se numri i të infektuarve në fillim të qershorit në shumë vende ka qenë më pak se 16 në 100.000 banorë. Ndërsa në pjesën e dytë në Serbi ka pasur 20, në Mali të Zi 19, Shqipëri 29, B-H 32, Kosovë 47, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ka pasur 98 të infektuar në 100.000 banorë.

    Rekomandimet shëndetsore apo politike
    Në Komisionin Evropian thonë se rekomandimet janë marrë për bazë tri elemente: gjendja epidemiologjike në një vend të tretë, mundësia e respektimit të masave higjenike gjatë udhëtimit dhe masat e reciprocitetit.

    Ndër vendet e para me të cilat është rekomanduar hapja e kufijëve në mes të qershorit, kanë qenë pikërisht vendet e Ballkanit Perëndimor. Në Bruksel thuhej se kjo është në harmoni me raportet e ngushta me këto vende dhe politikën e integrimeve evorpiane në BE. Në Komisionin Evropian nënvizojnë se vendimi i fundit u takon vendeve anëtare, nëse duan të hapin kufijtë me ndonjë vend apo jo.

    Plani i Brukselit parashikon që me 1 korrik të rivendoset në funksion të plotë zona Shengen për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave. Deri tani kontrolle kufitare për shkak të COVID-19 ka pasur Danimarka, Finlanda, Hungaria, Lituania dhe Norvegjia. Ndërsa në fazën e dytë duhet të hapen gradualisht edhe kufijtë me vendet e treta, të cilat i plotësojnë kushtet. Por shumë vende kanë rezerva.

    Deri tani në BE lejohet futja pa kurrfarë pengesash e personave që kanë nënshtetësi të ndonjë vendi të BE, anëtarëve të familjeve të tyre dhe perësonave që kanë ndonjë leje qëndrimi në ndonjë vend të BE.

    Të gjithë të tjerët duhet të informohen mirë para nisjes në rrugë, nëse një vend i caktuar ku duan të shkojnë lejon hyrjen apo jo./Deutsche Welle 

  • Kufijtë e BE-së mbeten të mbyllur për vendet e Ballkanit, përveç Malit të Zi dhe Serbisë

    Bashkimi Evropian nuk do të hapë kufijtë e jashtëm për shtetasit e shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas 1 korrikut, pos për Malin e Zi dhe Serbinë.

    Kjo supozohet në bazë të një liste, që si aneks i është bashkangjitur një rekomandimi të Këshillit të BE-së, për të cilin ambasadorët e vendeve anëtare, kanë diskutuar në Bruksel, të premten në mbrëmje, për më shumë së gjashtë orë.

    Ata në fillim ka miratuar kriteret që duhet të merren parasysh për të hequr kufizimet për hyrjen e shtetasve të huaj në territorin e BE-së, pastaj në bazë të këtyre kritereve, është përpiluar edhe lista në të cilën janë vëtëm 15 shtete.

    Kjo do të thotë se për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën kufizimet do të mbeten, edhe pas ditës së parë të korrikut.

    Para më shumë se dy javësh Komisioni Evropian kishte propozuar që për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të hapen kufijtë e BE-së nga 1 korriku, duke marrë parasysh, se atëherë, situata epidemiologjike e koronavirusit ishte e ngjashme, apo edhe më e mirë sesa në vendet e Bashkimit Evropian.

    Por, prej atëherë situata është përkeqësuar dukshëm dhe janë shënuar raste të shumta të personave me koronavirus në këto shtete. Kjo ka bërë që ato të bien nga lista e vendeve për të cilat rekomandohet heqja e kufizimeve nga data 1 korrik.

    Poashtu, me kusht të reciprocitetit, kufizimet nuk do të hiqen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por do të hiqen për Kinën. Kjo mund të zemëroj administratën amerikane, por në BE thonë se i kanë marrë parasysh vetëm kriteret reale që kanë të bëjnë me rrezikun nga pandemia, dhe jo ato politike, transmeton rel.

    Kriteri kryesor për heqjen e kufizimeve për hyrje në BE, ka qënë ai që të ketë pasur më pak se 16 raste për 100.000 banorë në dy javët e fundit.

    Burimet e BE-së pohojnë se për një kategori të konsiderueshëm të qytetarëve nuk do të duhej të vlejnë kufizimet, Si shembull, përmenden udhëtimet në BE për punë sezonale në bujqësi, udhëtimet për studime, pastaj për diplomatët, punëtorët shëndetësorë dhe disa kategori tjera.

    Po ashtu kufizimet nuk do të vlejnë për personat të cilët do të kalojnë tranzit.

    Për personat që kanë vendbanim në shtetet e Bashkimit Evropian nga 1 korriku nuk do të duhej të vlejnë më kufizimet për hyrje në territorin e BE-së.

    Lista nuk është përfundimtare dhe ajo mund të ndryshohet në bazë të zhvillimit të situatës epidemiologjike. Për këto rekomandime, deri të shtunën në mbrëmje, duhet të pajtohen qeveritë e vendeve anëtare, ose të mos dërgojnë vërejtje në mënyrë që rekomandimi të konsiderohet si i aprovuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

    Por edhe kur ky rekomandim të bëhet zyrtar në emër të BE-së, u takon shteteve anëtare që të vendosin a do ti hapin, apo jo, kufijtë e tyre për këta shtetas të huaj.

  • Jamie Shea: BE të mos e pranojë Serbinë pa e zgjidhur problemin me Kosovën

    Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë në vitin 1999, Jamie Shea thotë se nëse bisedimet Beograd-Prishtinë përparojnë, do të jetë më e vështirë për anëtarët e Bashkimit Evropian që të mbajnë peng njohjen e Kosovës.

    Në një intervistë ekskluzive për Kosovapress, Shea thotë se nëse shtetet fqinje e njohin Kosovën dhe jetojnë të lumtur përkrah saj, atëherë si mund të refuzojnë disa vende të BE-së që janë duke e bërë këtë? Sipas tij, çelësi i shumë problemeve është që BE-ja të mos i japë Serbisë anëtarësimin derisa të zgjidhë problemin e saj me Kosovën.

    KosovaPress: Z. Shea, ju keni pasur një karrierë të gjatë, veçanërisht me Ballkanin, pasi keni qenë zëdhënës i NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër ish-Jugosllavisë. Siç e dini, ju keni qenë një nga figurat dhe zërat më kryesorë të fushatës ajrore dhe një personalitet shumë i njohur në Ballkan. Tani, në vitin 2020, nuk jeni më aktiv në përpjekjet e perëndimit për të bindur Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje përfundimtare për të mbyllur historinë armiqësore midis tyre. Si i shihni zhvillimet më të fundit rreth këtyre përpjekjeve?

    Jamie Shea: Unë e mirëpres rifillimin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe gjithashtu faktin që Shtetet e Bashkuara po angazhojnë edhe njëherë diplomacinë e saj në një nivel të lartë në një çështje të rëndësishme të sigurisë evropiane. Unë kam qenë prej kohësh i bindur se siguria evropiane nuk ka nevojë vetëm për trupat dhe tanket amerikane, por ka nevojë edhe diplomatët amerikanë. Tani që zgjedhjet serbe janë pas nesh (edhe pse ishin larg nga e përsosura), shpresoj që Presidenti Vuçiç të ndjejë se tani ai e ka bazën politike në shtëpi për të negociuar seriozisht, për të arritur një zgjidhje të plotë dhe të qëndrueshme me Kosovën. Është koha për të treguar disa aftësi politike dhe bisedimet në Shtëpinë e Bardhë do të na japin një tregues të hershëm nëse presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti janë të gatshëm për t’u ngritur në këtë sfidë.

    KosovaPress: Richard Grenell, i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet Kosovë-Serbi, thotë se bisedimet do të përqendrohen në çështjet ekonomike, ndërsa çështjet politike do të lihen të zgjidhen nga Bashkimi Evropian. A besoni se ndarja e roleve midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi është një ide e mirë?

    Jamie Shea: Nuk ka asgjë të keqe për të filluar me çështjet ekonomike pasi këto gjithmonë kanë qenë përpjekjet e hershme në dialogun Prishtinë-Beograd. Tani që Kosova ka hequr kufizimet e saj tarifore për importet serbe, aty ka shumë hapësirë për të përmirësuar lidhjet bilaterale të tregtisë, transportit, energjisë dhe telekomunikacionit. Kosova duhet të jetë e hapur për investime të huaja direkte transparente nga kompani serbe dhe për ndërmarrje të përbashkëta. Natyrisht edhe anasjelltas. Sa më shumë lidhje tregtare dhe ekonomike mund të ndihmojnë në promovimin e kontakteve njerëzore, përfshirë kontaktet ndërmjet administratave qeveritare dhe ndërtimin e besimit.

    Por, megjithatë, asgjë nuk zgjidhet derisa politika të zgjidhet dhe lidhjet ekonomike do të shkojnë aq larg, përveç nëse çështja themelore politike është zgjidhur: që është njohja e plotë e një Kosove të pavarur nga Beogradi. Vetëm kjo do të mundësojë që Kosova të zhvillohet siç duhet, si në rajon, ashtu edhe në botën më të gjerë, dhe të zërë vendin e saj të merituar në organizatat ndërkombëtare. Nuk ka asgjë të keqe që SHBA dhe BE të kenë ndarë punët. Të dy kanë forma të ndryshme të ndikimit mbi palët, gjë që i bën të dyja ato akterët thelbësorë. Por gjëja kryesore është që të këshillohen ngushtë dhe të punojnë së bashku e të mos dërgojnë mesazhe kontradiktore. Gjëja e fundit që na duhet është “blerja e forumit”, siç thonë diplomatët, ku një palë beson se mund të marrë më shumë lëshime nga njëra anë kundrejt një tjetre. Kështu që shpresoj se SHBA dhe BE do të ndërthurin përpjekjet e tyre dhe do të punojnë drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse që çon në njohjen e plotë të Kosovës.

    KosovaPress: Nëse çështjet politike me të vërtetë mbeten tek Bashkimi Evropian, ndërsa dihet që BE nuk ka sensin që ta bind Rusinë. A mendoni se gjërat mund të komplikohen në planin afatgjatë?

    Jamie Shea: Diplomacia nuk është kurrë e lehtë. Kjo është arsyeja pse ne gjithmonë kemi nevojë për diplomatë të mirë. Por nuk është as e pamundur, pasi këtë na kujton zgjidhja e mosmarrëveshjes për emrin midis Greqisë dhe Maqedonisë Veriore. Kjo i ka mundësuar Maqedonisë Veriore që tani të anëtarësohet në NATO dhe së shpejti të hap negociatat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nëse bisedimet Beograd-Prishtinë përparojnë, do të jetë më e vështirë për anëtarët e BE që kanë mbajtur peng njohjen e Kosovës, dhe Rusia për të mbajtur qëndrimet e tyre. Nëse fqinjët e Kosovës të gjithë e njohin Kosovën dhe jetojnë të lumtur përkrah saj, atëherë si mund të refuzojnë vendet e tjera ta bëjnë këtë? Unë mendoj se çelësi këtu është që BE-ja të mos i japë Serbisë anëtarësimin në BE derisa të zgjidhë dallimet e saj me Kosovën. Ky është një ndikim i rëndësishëm që BE-ja duhet të përdorë në mënyrë konstruktive dhe me mençuri. Dhe duhet të përfshijë mbështetjen e Beogradit edhe për anëtarësimin e ardhshëm të Kosovës në BE. Sigurisht pasiqë Prishtina t’i ketë përmbushur të gjitha standardet dhe kushtet e BE-së.

    KosovaPress: Bisedimet u ndërprenë ca kohë më parë, ndërsa u shfaq një ide “anonime”, për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë. Si ju është dukur kjo ide dhe a besoni se kjo ide nuk do të diskutohet?

    Jamie Shea: Qëndrimi im për idenë e shkëmbimit të tokës ka qenë gjithmonë i qartë. Jam kundër. Ajo mund të duket sipërfaqësisht tërheqëse, por zgjidhjet e shpejta rrallë zgjasin shumë. Për një gjë është shumë e vështirë të krijosh një ndarje të pastër në hartë që kënaq çdo fshat dhe çdo komunitet. Shikoni vështirësinë për të përcaktuar Zonën e Ndarjes në Bosnje gjatë negociatave të Marrëveshjes së Paqes në Dejton. Së dyti, është një justifikim i përsosur për të shtyrë çështjen e njohjes pasi për ca kohë nuk do të dimë se çfarë forme të Kosovës po njohim. Dhe së treti, besoj që në të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë si shtete shumetnike evropiane dhe jo akoma më shumë si shtete të brendshme monoetnike. Është bindja ime personale që për një kohë të gjatë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë do të jenë më të ndërlikuara nëse ato janë kryesisht shtete monoetnike sesa shtete dhe shoqëri multietnike.

    KosovaPress: A besoni se palët mund të arrijnë një marrëveshje me njohje reciproke?

    Jamie Shea: Po. Gjithçka është e mundur me udhëheqje dhe vizion. Unë kurrë nuk kam pranuar qëndrimin se ne nuk mund të bëjmë diçka për shkak të kundërshtimit të opinionit publik. Është detyrë e udhëheqjes politike për të formësuar opinionin publik.

    KosovaPress: Nga koha kur ju keni qenë thellësisht i përfshirë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, le të themi se asnjë drejtues dhe diplomat i Perëndimit, të asaj kohe, tani nuk janë aktivë në përpjekjet e fundit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se potenciali aktual diplomatik i perëndimit është në gjendje të ofrojë rezultate?

    Jamie Shea: Koha kalon më shpejtë nga sa mendoni ndonjëherë të jetë e mundur dhe është e vërtetë që gjenerata ime e miqve të Kosovës, sot janë në qendra studimi dhe universitete – në vend që të qëndrojnë në skenën e kryesore si aktorë. Ne thjesht duhet të shpresojmë se brezi i tanishëm i liderëve politikë është në gjendje të kryejë detyrën që ne e kemi filluar, por nuk mundëm ta përfundojmë: të krijojmë një Evropë me të vërtetë të plotë dhe të lirë dhe një Ballkan Perëndimor, bashkë me Kosovën, të përfshirë në strukturat e sigurisë transatlantike. Por edhe sikur të jemi të vjetër sot, ne miqtë e Kosovës, jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë. Varet nga Kosova që të na tregojë se si mund të jemi akoma të dobishëm. (Intervista është realizuar të martën)

  • BE dhuron pajisje për të ndihmuar Shqipërinë të luftojë Coronavirus

    BE ka dhuruar 5 ambulanca, 15 ventilatorë të lëvizshëm dhe më shumë se 100 njësi të specializuara mjekësore për qeverinë shqiptare për të trajtuar raste të rënda të koronavirusit.

    Kjo është pjesa e dytë e ndihmës së BE për spitalet e vendit në mbështetje të luftës kundër koronavirusit.

    “Bashkimi Evropian është dhuruesi më i madh në luftën kundër koronavirusit në Shqipëri, me 50 milion euro grante për të mbështetur sistemin shëndetësor dhe rimëkëmbjen socio-ekonomike dhe 180 milion euro kredi për ndihmë makro-financiare,” shkroi ambasadori i BE-së në Twitter.

    Ai gjithashtu u bëri thirrje njerëzve që “respektojnë rregullat” për të fituar luftën kundër COVID-19.