Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: BE

  • Von der Leyen: Vaksinimi për Covid në BE do të fillojë në  dhjetor në datat…

    Von der Leyen: Vaksinimi për Covid në BE do të fillojë në dhjetor në datat…

    Vendet e Bashkimit Evropian do të fillojnë vaksinimin e popullatës kundër koronavirusit të ri nga 27 dhjetor, tha të enjten më 17 dhjetor, shefja e Komisionit të BE.

    “Më 27, 28 dhe 29 dhjetor vaksinimi do të fillojë në të gjithë BE”, shkroi Von der Leyen në Twitter. 

    Presidentja më parë kishte bërë thirrje për një fillim të koordinuar të vaksinimit në të njëjtën ditë në të 27 vendet e BE-së.

    Në mesazhin e saj në Twitter,  Von der Leyen shkroi: “Eshte momenti i Europes! Në 27, 28 dhe 29 dhjetor, vaksinimi do të fillojë nëpër të gjithë Bashkimin Evropian”.

  • Gjermania i bën Hungarinë e Poloninë të pranojnë vullnetin e shumicës së BE

    Gjermania i bën Hungarinë e Poloninë të pranojnë vullnetin e shumicës së BE

    Polonia dhe Hungaria e detyruan të heqin dorë nga vetoja për bllokimin e buxhetit të BE. Presidenca gjermane e BE u dërgoi një sinjal edhe shteteve të tjera, me raporte problematike me drejtësinë.

    Kompromisi i arritur është pa dyshim një arritje e madhe e presidencës gjermane të BE. BE flet për një fitore për të gjithë, por në fakt Polonia dhe Hungaria u detyruan të tërhiqen. 

    Ato kishin kërcënuar se do ta bllokonin me veto buxhetin shtatëvjeçar të BE dhe fondin e rindërtimit të Coronas, të lidhur me të – për shkak të mekanizmit të ri të kushtëzimit të BE.

    Ky mekanizëm i ri parashikon që Komisioni Evropian të kërkojë ndalimin e subvencioneve të BE për një shtet,  kur mendon se përdorimi i këtyre subvencioneve rrezikohet nga deficite në sundimin e ligjit te ai shtet.

    Deficite të tilla mund të jenë cënimi i pavarësisë së gjykatave; kur nuk zbatohen vendimet e gjykatave; apo kur një shtet nuk vepron aktivivisht kundër korrupsionit.

    Si Polonia, ashtu edhe Hungaria kanë probleme në këtë drejtim. Tani mekanizmit të kushtëzimit iu shtua një “deklaratë interpretuese”, tre faqëshe. Gjithashtu, mekanizmin duhet ta verifikojë Gjykata Evropiane e Drejtësisë në Luksemburg.

    Arkitektja e kompromisit, kancelarja Angela Merkel tha se Gjermania dhe “ajo vetë” ishte përpjekur „në mënyrë shumë intensive” “të gjente një zgjidhje për rezervat e shprehura nga Hungaria dhe Polonia. Në të njëjtën kohë…ne kërkuam një zgjidhje për të ruajtur mekanizmin e kushtëzimit…”

    Arritja e kompromisit nuk rezultoi e lehtë. Sipas burimeve nga Brukseli, Gjermania qe detyruar t’u vinte ultimatum deri të mërkurën Polonisë e Hungarisë. Po të mos hiqnin dorë nga vetoja në samitin e BE (10.12.), 25 shtetet e tjera do ta aprovonin fondin e rindërtimit duke e ndarë atë nga buxheti i BE. Në këtë rast, Polonia dhe Hungaria nuk do të merrnin para nga ky fond.

    Tani buxheti i ri shtatëvjeçar i BE prej 1,1 bilion eurosh të BE si edhe fondi i rindërtimit të Covid-19 prej 750 miliardë eurosh mund të lëvrohen, që në janar të vitit të ardhshëm.

    Mekanizmi i kushtëzimit të subvencioneve nuk u ndryshua

    Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki e deklaruan si fitore të tyre kompromisin. Kjo bazohet në faktin që BE tani pranoi që këtë mekanizëm, pra lidhjen e subvencioneve me shtetin ligjor, ta verifikojë jo vetëm ekipi i juristëve të BE, por edhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë.  Për një verifikim, kësaj gjykate i duhen zakonisht nga 12-18 muaj.  Pra faktikisht kemi një shtyrje të fillimit të zbatimit të mekanizmit (por jo ndryshim të tij). Jo formalisht thuhet se këtyre shteteve u dhanë siguri edhe se ky mekanizëm nuk i detyron ato të pranojnë refugjatë. Siç kishin deklaruar ato.

    Kjo u mundëson qeverisë polake dhe hungareze të ruajnë fytyrën. Por në thelb ato u detyruan të heqin dorë nga vetoja.

    Ajo që është kryesorja: BE e la të paprekur mekanizmin e ri, që u miratua në korrik.  Ky mekanizëm u hartua, pasi u pa se disa shtete si p.sh. Hungaria veprojnë në një hapësirë juridike gri, që nuk mbulohet mirë nga instrumentat ekzistues të BE. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen me ardhjen e saj prezantoi edhe mekanizmin e dërgimit të vendimeve të BE, që kontestohen, në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Por duke qenë se mullinjtë e drejtësisë evropiane shpesh bluajnë ngadalë, kjo i bën vendimet e kësaj Gjykate nganjëherë me vlerë jo praktike për disa zhvillime që avancojnë.

    Shtete të veçuara nuk i rezistojnë dot gjatë vullnetit të shumicës në BE

    Instrumenta të tjerë si ndëshkimi i një shteti duke i hequr të drejtën e votës, kur mendohet se ai shkel të drejtat bazë të BE, siç e parashikon Neni 7 i BE, nuk është e lehtë të zbatohen.

    Kur shumica në BE është e vendosur për një çështje, megjithë mekanizmin e vetos, shtete të veçuara të BE nuk i rezistojnë dot gjatë vullnetit të saj. Këtë e pamë edhe në rastin e vetos së Francës për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithëse Franca kishte argumente që pranoheshin edhe nga të tjerë për rezervat e saj, dikur ajo u tërhoq përballë shumicës, pasi inicioi disa ndryshime, më tepër kozmetike, të metodologjisë së pranimit në BE. As Gjermania nuk ia imponoi dot e vetme Bashkimit Evropian kuotat për shpërndarjen e refugjatëve.

    Tani Polonia dhe Hungaria e sfiduan BE për parimet themelore të tij.  Dhe megjithë kompromiset e dendura në BE, shteti juridik nuk është fjalë boshe në komunitet.

    Polonia, Hungaria dhe Bullgaria – raporte problematike me drejtësinë

    Drejtësia në Poloni konsiderohet e cënuar politikisht, që me goditjet që i dhanë atje Gjykatës së Lartë. Puna ka shkuar deri aty, sa së fundi, një gjykatë holandeze nuk lejoi ekstradimin, në Poloni, të një personi, me argumentin se atje atë nuk e pret një proces gjyqësor korrekt.

    Veçse shkatërrimi i besimit ndaj njëri-tjetrit në bashkësinë 27 anëtarëshe e dobëson Bashkimin Evropian. Këtë rrethanë e mban parasysh tani mekanizmi i ri i kushtëzimit të subvencioneve të BE me respektimin e shtetit juridik.

    Kurse Hungaria konsiderohet se kryeson antiliberalët në BE. Kryeministri Orban ndjek shpesh politika ultra të djathta dhe që nuk respektojnë minoritetet në vend.

    Në BE ekziston gjithashtu një frikë e bazuar se tolerimi i Polonisë dhe Hungarisë do të frymëzonte shtete të tjera për mosrespektim të vlerave themelore.

    Shteti tjetër në fokus të Komisionit Evropian është Bullgaria. Nga njëra anë, në Bullgari ka një konflikt të hapur mes Kryeministrit dhe Presidentit të vendit. Mendohet se kryeministri Bojko Borisov ka ndikim te Prokurori i Përgjithshëm, i cili dha urdhër pak kohë më parë të kontrollojnë zyrat e dy punonjësve të Presidentit.

    Nga ana tjetër, ekziston përshtypja se fondet e kohezionit të BE janë përdorur në Bullgari për të pasuruar edhe një grup të vogël njerëzish.

    Por ndryshe nga Polonia dhe Hungaria, kryeministri  bullgar nuk e ka sfiduar edhe verbalisht Bashkimin Evropian. Ai as tani nuk kërcënoi me veto.

    Kurse në Poloni, qarqe ultra të djathta luanin këto kohë me idenë e daljes nga BE. Ato e shohin veten si viktima të një „ideologjie të LGBTQ” në Evropë. Në Hungari, kryeministri Orban tregoi se Britania e Madhe ka përparësi ndaj BE, gjë që u pa në lejen për vaksinën e Covid-19 të firmës së Biontech/Pfizer. Londra veproi këtu më herët se BE.

    Shtetet lindore të BE – përfitues të mëdhenj financiarë nga BE

    Polonia dhe Hungaria janë nga përfitueset kryesore të BE. Për të marrë një shembull: në vitin 2018, 3,4 përqind e produktit të brendshëm bruto të Polonisë u financua me transferta të BE; për Hungarinë ky financim madje arriti në 5 përqind të produktit të brendshëm bruto.  Edhe nga fondi i rindërtimit të Covid-19 ato pritet të marrin disa miliarda.

    Polonia e Hungaria u detyruan të heqin dorë nga vetoja për disa arsye. E para, sepse BE do t’i kishte anashkaluar, do ta kishte miratuar fondin e rindërtimit nga Covid-19 ndaras nga buxheti. E dyta, në një rast të tillë ato do të kishin mbetur duarbosh, pa fonde rindërtimi. Dhe para zgjedhjeve mot në këto vende, këtë do ta kishin ndjerë. E treta, ato bënë llogari të gabuar kur sfiduan presidencën gjermane të BE para përfundimit të saj. Ultrakonservatorët në Poloni luajtën publikisht me idenë e daljes nga BE. Kjo në një kohë kur në BE dihet që për kancelaren Merkel uniteti i komuniteti është veçanërisht i rëndësishëm.

    Por këtu u gabuan. Një sfidim i presidencës gjermane të BE bëri që Gjermania, në krye të BE, t’u tregojë kufijtë.

    Burimi: DW

  • Ibrahim Kalin: Është zhgënjyese për të parë gjuhën kërcënuese kundër Turqisë në draft deklaratën e BE-së

    Ibrahim Kalin: Është zhgënjyese për të parë gjuhën kërcënuese kundër Turqisë në draft deklaratën e BE-së

    Zëdhënësi i Presidencës Ibrahim Kalin mori pjesë në panelin e titulluar “Politika e Jashtme e Turqisë” e organizuar në internet nga “Fondi Gjerman Marshall”, një think-tank me bazë në Uashington DC.

    Zëdhënësi i Presidencës Ibrahim Kalin tha se ishte zhgënjyese për të parë gjuhën kërcënuese në draft deklaratën e Samitit të Bashkimit Evropian (BE), në të cilën po konsiderohen sanksionet kundër Turqisë.

    Ibrahim Kalin mori pjesë në panelin e titulluar “Politika e Jashtme e Turqisë” e organizuar në internet nga “Fondi Gjerman Marshall”, një think-tank me bazë në Uashington DC.

    Duke theksuar se rendi ndërkombëtar ka filluar të ndryshojë, veçanërisht pas pandemisë së COVID-19, por Turqia është ende pjesë e aleancës perëndimore, Kalin tha: “Vetëm sepse jemi akoma pjesë e NATO-s dhe duam të bëhemi një anëtare e plotë e BE-së dhe të mbetemi një partner i fortë dhe aleat i aleancës perëndimore, nuk do të thotë që ne nuk do të kemi marrëdhënie të mira me vendet e Lindjes së Mesme ose Rusinë”.

    Ai gjithashtu tha se Turqia krahas hapave mbi çështje të tilla si lufta kundër terrorizmit, po ndjek edhe një politikë të jashtme në të cilën dinjiteti dhe jeta e njeriut janë përparësi.

    Kalin rikujtoi se çështja e sanksioneve kundër Turqisë do të ngrihet gjithashtu në Samitin e sotëm të BE-së, ndërsa tha: “Unë e lexova draft deklaratën e Samitit të BE-së për Turqinë. Ishte zhgënjyese për të parë një gjuhë në të cilën konsiderohen sanksionet kundër Turqisë. Shpresoj që udhëheqësit evropianë dhe të BE-së ta shmangin atë. Gjuha e sanksioneve dhe kërcënimeve ndaj Turqisë nuk ka funksionuar kurrë. Ne duam të kemi një agjendë pozitive dhe të kthejmë përsëri një faqe të re me BE-në që të ecim përpara në procesin e anëtarësimit”.

    Në fund zëdhënësi Kalin tha se “Kjo më bën të mendoj se Greqia shpreson se nga ky samit do të dalin sanksionet kundër Turqisë. Të jeni të sigurt që një gjë e tillë do të ishte e dëmshme jo vetëm për marrëdhëniet Turqi-BE, por edhe për marrëdhëniet Turqi-Greqi”.

  • Kroaci: Dëbime me forcë dhe dhunë të refugjatëve në interes të BE

    Kroaci: Dëbime me forcë dhe dhunë të refugjatëve në interes të BE

    Dhunë ndaj refugjatëve, dëbime me forcë, shkelje sistematike e të drejtave të njeriut. Ka shumë raporte që e përshkruajnë kështu praktikën e zakonshme të policisë kroate në kufirin me Bosnjën. BE-ja mbyll sytë.

    Dukej si rutinë mënyra se si ministri i Brendshëm kroat Davor Bozhinoviç iu përgjigj pyetjeve në lidhje me sjelljen e vartësve të tij me migrantët. Në një konferencë shtypi në Zagreb ministri tha se njoftimet mbi veprimet e paligjshme dhe brutale të policisë kroate kundër migrantëve në kufirin kroato-boshnjak nuk janë të vërteta, nuk ka dëshmi dhe janë vetëm pretendime të pabazuara. Božinović pohoi se policia kroate vepron në mënyrë shembullore dhe të pashembullt në Evropë.

    Ministri është i sigurtë, se të gjitha akuzat kundër policisë kroate janë pjesë e një fushate të kundërshtarëve të Kroacisë. Ai nuk specifikoi se kush ishin këta kundërshtarë dhe çfarë interesash ndjekin.

    Arsyeja e konferencës së shtypit ishte një artikull, i botuar para disa ditësh në revistën gjermane “Der Spiegel”. Ai përshkruante në detaje rastin e një migranti, që ishte përpjekur të kalonte kufirin e gjelbër nga Bosnja në Kroaci dhe më pas në Evropën Perëndimore. Ai dhe refugjatët e tjerë ishin kapur disa herë. Sipas rrëfimit të tij policia kroate i kishte keqtrajtuar dhe grabitur, para se t’i kthente përsëri në Bosnjë, gjysmë të zhveshur dhe pa këpucë.

    “Kjo përbën një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe rregulloreve të BE,” thotë për DW Julija Kranjec, eksperte për çështjet e migrimit në Qendrën për Kërkime të Paqes në Zagreb (CMS). “Të gjithë refugjatët, që arrijnë në territorin e një vendi anëtar të BE-së dhe aplikojnë për azil atje, kanë të drejtën e një ekzaminimi individual të kërkesës së tyre, pra të një procesi individual sipas standardeve të një shteti ligjor.” Kjo vlen edhe për ata që vijnë ilegalisht në territorin e BE-së. Dëbimet janë të mundshme vetëm brenda kornizës së një procedure të rregullt. “Ato nuk duhet të bëhen kurrsesi jozyrtarisht”, thekson Kranjec.

    Raporte të shumta

    Raportet mbi veprimin e policisë kroate në kufirin me Bosnjën si ai në “Spiegel” nuk janë diçka e re. Që nga mesi i vitit 2018 ka shumë dëshmi të migrantëve, qindra fotografi që tregojnë shenja abuzimi, deklarata nga mjekë që i kanë trajtuar. Ka raporte nga organizata joqeveritare, lokale dhe ndërkombëtare, si Amnesty International apo Mjekë pa Kufij. Edhe agjencia e OKB për refugjatët UNHCR flet për shtypjen brutale të migrantëve nga policia kroate. Kjo temë është debatuar edhe në Parlamentin Evropian. Asgjë nuk ka ndryshuar.

    Rruga e re ballkanike

    Meqenëse rruga e vjetër ballkanike, përmes së cilës në 2015 erdhën në Evropë rreth një milionë refugjatë, u mbyll me tela me gjemba në kufirin hungaro-serb dhe hungaro-kroat, mijëra migrantë përdornin “rrugën e re ballkanike” përmes Bosnjë-Hercegovinës në Kroaci dhe që andej për në vendet më të pasura të Evropës Perëndimore. Meqenëse kufiri është i vështirë për t’u kaluar, ata qëndrojnë në kampe të improvizuara në anën boshnjake duke pritur rastin për të kaluar në Kroaci.

    Aktualisht në zonën kufitare boshnjake ka rreth 8.000-9.000 refugjatë, kryesisht nga Afganistani, Pakistani dhe Siria. Atmosfera fillestare mikpritëse e popullatës lokale ndaj refugjatëve është shndërruar prej kohësh në një pakënaqësi të madhe. Banorët raportojnë për vjedhje nga ana e migrantëve ose ata bëhen dëshmitarë të konflikteve të dhunshme midis grupeve të refugjatëve. Shumë vendas flasin për “kushte të padurueshme” dhe protestojnë kundër kampeve zyrtare dhe jozyrtare të refugjatëve.

    Gjithçka për “Shengenin”

    “Qëllimi kryesor i politikës së jashtme kroate është pranimi në zonën Shengen,” thotë Julija Kranjec. Për këtë vend anëtar të BE që nga viti 2013 kjo do të thotë përfundimi i integrimit në BE. Që të pranohet në zonën Shengen Kroacia duhet të tregojë se është në gjendje dhe e gatshme të mbrojë në mënyrë efektive kufirin e saj të jashtëm evropian, në rradhë të parë kundër fluksit të migrantëve. Vitin e kaluar presidentja e atëhershme kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç pranoi pa kujdes para gazetarëve të televizivionit zviceran SRF, se “natyrisht që ndonjë dhunë e vogël është e nevojshme, kur kryhen pushbacks në këtë terren të vështirë”.

    Në marrëveshje me BE

    “Kroacia vepron nën presionin e vendeve të tjera të BE”, thotë për DW eurodeputeti i të Gjelbërve, Erik Marquardt. “Ekziston një marrëveshje e ngushtë mes vendeve të BE për këtë çështje. Duket se ka presion politik nga Komisioni i BE ose nga disa vende anëtare të BE për të mos iu përmbajtur të drejtave të njeriut në këtë rast.” Sipas Marquardt, kjo mund të shihet edhe në faktin se “negociatat për pranimin e Kroacisë në zonën Shengen filluan vetëm, pasi vendi filloi të refuzonte sistematikisht refugjatët në kufi, të përdorte dhunë dhe t’i kthente.” Sipas politikanit evropian është absurde dhe e papranueshme, që të mund të ecësh përpara vetëm, nëse shkel ligjet në fuqi. Në Parlamentin Evropian janë zhvilluar ndërkohë disa debate mbi praktikën në kufijtë e jashtëm të BE-së. “Ekziston një konsensus i gjerë se shkeljet e të drejtave të njeriut janë të papranueshme”, thotë Marquardt.

    Çështja do të hetohet nga avokati i popullit të BE

    Edhe avokatja e Popullit të BE Emily O’Reilly ka njoftuar një hetim mbi dështimin e pretenduar të Komisionit Evropian për të mbrojtur të drejtat e migrantëve në kufirin kroat. Nëse kjo do të rrisë presionin mbi qeverinë kroate për të ndryshuar praktikën e saj në kufi, mbetet për t’u parë. Ndërkohë çështja e kontrolleve kufitare ka marrë rëndësi. Kohët e fundit Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron bënë thirrje për përmirësimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE në luftën kundër terrorizmit. Përvoja e deritanishme tregon se Kroacia është e gatshme për këtë detyrë.

    Burimi: DW

  • Integrimi ne BE/ Borrel zbardh bisedën me kryeministrin Rama: Është thelbësore të ruhet…

    Integrimi ne BE/ Borrel zbardh bisedën me kryeministrin Rama: Është thelbësore të ruhet…

    Pas Komisionerit të Zgjerimit, edhe shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin Edi Rama.

    Nëpërmjet një postimi në Twitter, Borrel shkruan se mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën për anëtarësimin në BE.

    “Unë e mirëpres angazhimin e Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e pranimit në BE. Siç diskutova me kryeministrin Edi Rama, është thelbësore të ruhet dinamika e marrëdhënies BE-Ballkan Perëndimor. Shqipëria luan një rol të rëndësishëm”, shkruan ai në Twitter.

  • Rajonet e BE-së ku njerëzit do të jetojnë më gjatë

    Rajonet e BE-së ku njerëzit do të jetojnë më gjatë

    Një foshnje që ka lindur në vitin 2018 në Bashkimin Evropian, parashikohet se do të ketë një jetëgjatësi mesatare prej 81 vite.

    Parashikimi në të gjitha rajonet e vendeve të BE-së është më i lartë për jetëgjatësinë e gjinisë femërore, pasi parashikohet një jetëgjatësi prej 83.7 vjeç kurse për meshkujt 78.2 vjeç.

    Rekordin e mban kryeqyteti i Spanjës, Madridi ku jetëgjatësia mesatare parashikohet 88.1 vjeç për gjininë femërore.

    Në 10 rajonet ku parashikohet jetëgjatësia më e madhe për femrat bëjnë pjesë 7 rajone spanjolle dhe 7 franceze.

    Kurse për jetëgjatësinë e meshkujve, parashikimi më optimist është për veriun dhe qendrën e Italisë, ku piku arrihet në Trento (82.7%).

    Të dhënat tregojnë se, një person 65 vjeç që ka jetuar në BE, do të ketë një jetëgjatësi me 20 vite të tjera.

    Parashikimi më optimist është për zonat e veriun e Spanjës, perëndimin dhe jugun e Francës, në veri dhe qendër të Italisë si dhe në veriperëndim të rajonit të Ipeiros në Greqi.

    Në kontrast, jetëgjatësia tek 65-vjeëarët është e ulët tek shumica e vendeve lindore të BE-së dhe vendet baltike.

    Niveli më i ulët parashikohet në dy rajone të Bullgarisë, ku ata që kanë jetuar 65 vjet jetë mund të presin të jetojnë mesatarisht dhe 15.7 vite.

    Të dhënat janë publikuar nga Eurostat me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, që është më 1 tetor.

    Burimi: Euronews Albania

  • Raporti i BE-së për Shqipërinë: Progres në reforma, korrupsioni mbetet problem shqetësues

    Raporti i BE-së për Shqipërinë: Progres në reforma, korrupsioni mbetet problem shqetësues

    Komisioni i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Olivér Várhelyi vlerëson, se Shqipëria ka përparim vendimtar drejt hapjes së negociatave.

    Várhelyi e kushtëzoi hapjen zyrtare të negociatave të pranimit me bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese.

    Ai e dha këtë lajm kur paraqiti në Bruksel, të martën raportin vjetor për progresin në zbatimin e reformave themelore në vendet e Ballkanit Perëndimor, Paketën Vjetore të Zgjerimit dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, 2021-2027.

    “Shqipëria ka bërë tashmë një përparim vendimtar dhe është pranë përmbushjes së kushteve të vendosura nga Këshilli Evropian lidhur me konferencën e parë ndërqeveritare”, tha Várhelyi

    Vendimin e Këshillit Evropian në muajin mars të këtij viti për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Várhelyi e sheh të lidhur me metodologjinë e re të zgjerimit.

    “KE ka përforcuar politikën e zgjerimit në tri pista: metodologjinë që ꞔoi në vendimin e shteteve anëtare për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjë që tregon mbajtjen e premtimeve nga BE; angazhimin e vendeve partnere në BP për reforma të mëtejshme; mbështetjen për rimëkëmbjen ekonomike dhe konvergjencën e rajonit me BE, me anë të Planit Ekonomik dhe të Investimeve, që KE sapo ka miratuar”, theksoi Várhelyi.

    Mesatarisht e përgatitur

    Raporti e quan “politikën e besueshme të zgjerimit një investim gjeostrategjik për paqe, siguri dhe rritje ekonomike në gjithë Evropën, aq më tepër në kohën e rritjes së sfidave dhe ndarjeve botërore”.

    “Perspektiva e vendosur dhe e bazuar në meritat e anëtarësimit të plotë të BP në BE është në vetë interesin politik, të sigurisë dhe ekonomisë të BE”, theksohet në raport.

    Për Shqipërinë dhe Maqedonisë e Veriut, KE-ja pret që konferencat e para ndërqeveritare të mblidhen sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të kornizave negociuan nga Këshilli Evropian. Komisioni i BE-së e vlerëson Shqipërinë të jetë mesatarisht e përgatitur për reformën e administratës së saj publike dhe sistemin gjyqësor.

    “Rivlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vettingut) ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, duke vazhduar të prodhojë rezultate të prekshme, duke përmbushur kushtin për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Deri tani janë përpunuar më shumë se 286 dosje, duke çuar në 62 për qind shkarkime, kryesisht për çështje që lidhen me pasuri të pajustifikuara apo dorëheqje”, vë në dukje raporti i KE-së.

    Komisionari Olivér Várhelyi e kushtëzoi hapjen zyrtare të negociatave të pranimit me bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese. Niveli i përgatitjes së Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit cilësohet “i një farë niveli” dhe progresi “i mirë”.

    “Dënimet përfundimtare për zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara. Organet e specializuara antikorrupsion të sapothemeluara (SPAK dhe Gjykatat kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) pritet ta forcojnë ndjeshëm kapacitetin e përgjithshëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin. Në përgjithësi, korrupsioni mbetet i përhapur dhe është një shqetësim serioz”, konstaton KE në raportin e tij.

    Lufta kundër krimit të organizuar

    Një kusht tjetër i plotësuar nga Shqipëria për konferencën e parë ndërqevetitare të BE është lufta kundër krimit të organizuar, ku ajo ka “një farë përparimi”, vërehet në raport.

    “Përpjekjet duhet të vazhdojnë për të siguruar rritjen e ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, si dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive që burojnë nga krime e pasuri të tjera të pajustifikuara”, rekomandon KE-ja.

    Lidhur me të drejtat themelore të njeriut raporti i KE-së, konstaton që Shqipëria është në përputhje me instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ka zhvilluar kuadrin e saj ligjor në përputhje me standardet evropiane. Por për të drejtën e pronës, raporti i KE rekomandon që “të vazhdojnë përpjekjet për të çuar përpara procesin e regjistrimit dhe kompensimit të pronës”.

    Me “një farë përgatitjeje e vlerëson raporti Shqipërisë edhe për të drejtën e shprehjes. Lidhur me Paketën ligjore Anti-shpifje raporti konstaton që “ndryshimet ligjore nuk janë në lartësinë e standardeve ndërkombëtare dhe parimeve të lirisë së medias dhe ngrenë shqetësime për rritjen e censurës dhe autocensurës dhe pengesat e mundshme ndaj lirisë së shprehjes në vend”.

    Raporti vëren që kjo paketë ligjore është duke u ripunuar nga shumica qeverisëse sipas rekomandimeve të Komisionit të Venedikut.

    Lidhur me plotësimin e kritereve ekonomike, KE-ja konstaton që Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për ekonominë funksionale të tregut.

    “Ende nuk e ka përmirësuar sigurinë ligjore për biznesin. Pandemia COVID-19 i ka përkeqësuar dobësitë strukturore dhe rënia ekonomike e shkaktuar prej saj ka eliminuar disa nga arritjet”, vëren KE.

    Burimi: Deutsche Welle

  • Rikthehen vizat për Shqiptaret/ Ja si do të udhëtojmë drejt vendeve të BE në 2021-n

    Rikthehen vizat për Shqiptaret/ Ja si do të udhëtojmë drejt vendeve të BE në 2021-n

    Hapja e negociatave apo integrimi i BE, duken gjithmonë e më larg për Shqipërinë, por së fundmi për shqiptarët ka ardhur një tjetër lajm i keq.

    Vendet e Bashkimit Europain kanë vendosur të rikthejnë regjimin e vizave për qytetarët shqiptarë duke nisur nga viti 2021.

    Vendet e Bashkimit Europian kanë hartuar një program të ri vizash i quajtur Sistemi Elektronik i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).

    Sipas këti vendimi të ri, çdo qytetar që do të udhëtojë drejt vendeve të BE-së më parë duhet të marrë ‘ETIAS-in’

    Programi ETIAS u mendua në vitin 2016 dhe u deshën katër vjet për t’u zhvilluar. Duke filluar nga viti 2021, të gjithë udhëtarët shqiptarë do të duhet të kenë një ‘ETIAS’ nëse dëshirojnë të vizitojnë një vend të Shengenit. ‘ETIAS’ është e vlefshme për kufijtë tokësorë, ajrorë dhe detarë, si dhe për udhëtarët të cilët do të kalojnë vetëm përmes vendeve të Shengenit gjatë rrugës për në destinacionin e tyre përfundimtar.

    Shqiptarët do të duhet të marrin një ‘ETIAS’ nëse dëshirojnë të udhëtojnë në vendet e vendosura në Zonën Shengen, e cila përfshin fqinjë të tillë si Greqia, Italia, etj.

    Lista e vendeve Shengen:

    Si merret ‘ETIAS’ nga qytetarët shqiptarë?

    Procesi për marrjen e një ‘ETIAS’ për Qytetarët Shqiptarë është shumë i thjeshtë dhe i shpejtë. Aplikantëve do t’ju duhet vetëm rreth 15 minuta nga koha e tyre për të përfunduar aplikacionin, gjë që mund të bëhet nga çdo smartphone, kompjuter ose tablet që ka qasje në internet. Rezultati zakonisht dërgohet menjëherë në adresën e postës elektronike të aplikantit.

    Çfarë dokumentesh i duhen sqytetarit shqiptar për të marrë ‘ETIAS’?

    Ekzistojnë vetëm një pjesë e vogël e Kërkesave të ‘ETIAS’ për Qytetarët Shqiptarë. Ato përfshijnë sa vijon:

    -Një pasaportë e vlefshme e azhornuar dhe e lëshuar nga Shqipëria. Kjo pasaportë duhet të jetë e vlefshme për të paktën tre muaj nga data kur udhëtari planifikon të hyjë në zonën Shengen. Nëse pasaportave ju kanë mbetur më pak se tre muaj, ne rekomandojmë të merrni një pasaportë të re përpara se të aplikoni për ‘ETIAS’.

    -Një formë e vlefshme pagese për të paguar tarifën e aplikimit, të tilla si një kartë krediti ose debiti.

    -Një adresë emaili për të marrë njoftime në lidhje me statusin e ‘ETIAS’ të aplikantit.

    -Sapo të plotësohen të gjitha këto kërkesa, udhëtarët mund të vazhdojnë me aplikimin e tyre ‘ETIAS’.

    Procesi i Aplikimit ETIAS për Qytetarët Shqiptarë

    Aplikimi ‘ETIAS’ për Qytetarët Shqiptarë është i thjeshtë dhe zgjat më pak se 15 minuta. Aplikimi do t’u kërkojë udhëtarëve disa detaje personale, duke përfshirë edhe:

    -Emri i plotë

    -Data e lindjes

    -Gjinia

    -Kombësia

    -Informacion për pasaportën (Numri, data e lëshimit, data e skadimit)

    -Informacioni i kontaktit (adresa e shtëpisë, numri i telefonit)

    -Adresa e emailit

    Do të ketë gjithashtu një seksion që kërkon nga aplikacionet për detajet e udhëtimit, përfshirë pikën e pritshme të hyrjes në Zonën Shengen, si dhe një itinerar të thjeshtë të planeve të tyre të udhëtimit. Udhëtarët gjithashtu do të duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve në lidhje me shëndetin dhe sigurinë e tyre, siç janë të dhënat e tyre kriminale.

    Ne i këshillojmë të gjithë aplikantët t’u përgjigjen këtyre pyetjeve sa më vërtetësisht që të jetë e mundur, pasi që çdo informacion në formularin e aplikimit do të kontrollohet kundër bazave të të dhënave evropiane të sigurisë, siç janë Interpol dhe Europol. Po kështu, ne i këshillojmë të gjithë aplikantët të kalojnë në aplikimin e tyre të përfunduar dhe të kontrollojnë dyfish për të siguruar që gjithçka është e saktë.

    Nëse aplikanti zbulohet se ka shkruar informacion të pasaktë ose mashtrues, autoritetet e ETIAS kanë të drejtë të refuzojnë aplikimin. Në këtë rast, aplikanti mund të ri-aplikojë duke përdorur informacionin e saktë.

    Në fund të procesit, udhëtarëve do t’u kërkohet të paguajnë një tarifë aplikimi në mënyrë që të paraqesin formularin e tyre. Aplikantët mund ta bëjnë këtë duke paguar me një kartë debiti ose krediti të vlefshme.

    Udhëtarëve u rekomandohet të shtypin një kopje të autorizimit të tyre ‘ETIAS’ në mënyrë që ata t’ia paraqesin atë oficerëve të imigracionit kur hyjnë në vend.

    Udhëtarët shqiptarë mund të përdorin autorizimin e tyre ‘ETIAS’ për qëllimet e vetme të turizmit dhe biznesit. Kjo do të thotë që nuk është e mundur të përdoret ‘ETIAS’ për të punuar, prandaj aplikantët duhet të aplikojnë për një vizë tjetër nëse dëshirojnë ta bëjnë këtë.

    https://www.etias.info/visa-requirements/albanian-citizens/
  • ‘Koha për një marrëveshje po mbaron’, ç’ndodhi në Berlin mes Merkelit dhe kryenegociatorit të BE/ 15 tetori, shansi i fundit?

    ‘Koha për një marrëveshje po mbaron’, ç’ndodhi në Berlin mes Merkelit dhe kryenegociatorit të BE/ 15 tetori, shansi i fundit?

    Kanë mbetur pak ditë deri në afatin kur bisedimet e Brexitit duhet të arrijnë një përfundim. Kryenegociatori i BE për Brexit-in, Michel Barnier ishte në Berlin për t’u takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel.

    Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryenegociatori i Bashkimit Evropian për Brexit-in, Michel Barnier u takuan të hënën në Berlin për të diskutuar negociatat tregtare midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian. Koha po mbaron, brenda së cilës Britania e Madhe dhe BE mund të arrijnë një marrëveshje.

    Barnieri u takua edhe me Ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas, i cili tha se një Brexit pa marrëveshje do të ishte “i papërgjegjshëm”, veçanërisht duke pasur parasysh ndikimet ekonomike dhe shëndetësore të pandemisë së koronavirusit.

    “Me sfidat e sotme shëndetësore dhe ekonomike, njerëzit në të dy anët e kanalit kanë mjaft për të mbajtur në kurriz, kështu që do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme t’i ngarkosh ata në këtë pozicion me problemet shtesë përmes një mosmarrëveshjeje,” tha Maas.

    Maas theksoi se BE është ende i hapur për diskutime konstruktive me Britaninë e Madhe. “Dera jonë është ende e hapur për një partneritet të ngushtë me Britaninë e Madhe”, tha ai.

    Ministri i Jashtëm gjerman gjithashtu tha në Twitter se ndërsa koronavirusi i kishte bërë negociatat më të vështira “në çdo aspekt”, ai e kishte bërë edhe arritjen e një marrëveshjeje më thelbësore.

    Presidenca e Këshillit të BE është në duart e Gjermanisë kur po përfundon mundësia e një marrëveshjeje pas Brexitit. Dhe kjo finale po bëhet gjithnjë e më shumë një përparësi kryesore. 27 krerët e qeverive duhet të shqyrtojnë se ku mund të afrohen me Londrën pak më shumë se më parë – dhe ku duhet të lëvizin britanikët.

    “Mandati i Barnierit nuk është një korse shumë e ngushtë. Sigurisht, kjo lejon një shkallë të caktuar të hapjes dhe fleksibilitetit,” theksoi njeriu i Merkelit në BE në Bruksel, Michael Clauss.

    15 tetori – shansi i fundit?

    Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tha se takimi i Këshillit Evropian në 15 tetor është shansi i fundit për të ratifikuar një marrëveshje midis BE dhe Britanisë së Madhe, duke e kthyer atë një afat efektiv për negociatat tregtare. BE tha se negociatat duhet të përfundojnë më e vonte deri më 31 tetor.

    Britania e Madhe u largua nga institucionet politike të BE në 31 janar, por ka ndryshuar ende shumë pak nga mënyra se si ajo bën tregti me BE. Kjo për shkak se Britania e Madhe aktualisht ndodhet në një të ashtuquajtur periudhë tranzicioni, dhe ende shijon shumicën e përfitimeve të Tregut të Brendshëm dhe të Bashkimit Doganor. Kjo do të përfundojë në 31 dhjetor. Nëse nuk bihet dakord për asnjë marrëveshje deri atëherë, Britania e Madhe mund ta mbyllë periudhën e tranzicionit pa ndonjë marrëveshje tregtare me bllokun.

    Takimi erdhi menjëherë pasi banka globale Goldman Sachs publikoi një raport të hënën në mëngjes duke parashikuar që një marrëveshje do të arrihej në fillim të nëntorit, megjithëse mbetet rreziku i një dështimi të negociatave.

    “Pikëpamja jonë kryesore mbetet se një marrëveshje tregtare me tarifë zero / kuotë zero do të arrihet deri në fillim të nëntorit dhe më pas do të ratifikohet deri në fund të dhjetorit nga Britania e Madhe,” thanë analistët e Goldman në një raport dërguar klientëve.

    “Rreziku i një dështimi të negociatave nuk mund të përjashtohet,” shtoi raporti. “Ne vazhdojmë të mendojmë se probabiliteti i perceptuar i një ndarjeje “pa marrëveshje” do të vazhdojë përtej takimit të ardhshëm të Këshillit Evropian në mes të tetorit.”

    Boris Johnson dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen folën në një konferencë me video të shtunën për të diskutuar “gjendjen e lojës” të negociatave për Brexit-in, për të deklaruar më pas se mbeten”boshllëqe të konsiderueshme”.

    BE nisi veprime ligjore kundër Mbretërisë së Bashkuar javën e kaluar lidhur me planet britanike për të thyer ligjin ndërkombëtar dhe për të bërë hapa pas në një pjesë të marrëveshjes dypalëshe, për të cilën qe rënë dakord.

    Burimi: DW

  • BE do të veprojë kundër lajmeve të rreme “fake news”

    BE do të veprojë kundër lajmeve të rreme “fake news”

    Një komision i posaçëm i Parlamentit Europian do të zbulojë dhe luftojë ndikimin e huaj kibernetik. Sidomos në kohët e Coronës fushatat dezinformuese janë shtuar, beson BE.

    Në pranverë Brukseli ngriti alarmin: „Në kohën e krizës së Coronës, Europa është përmbytur nga fushata dezinformuese”, thotë zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Vera Jourova. Këto fushata nuk janë të rrezikshme vetëm për arsye shëndetësore, ato synojnë hapur gërryerjen e besimit tek qeveritë dhe mediat.

    Si shembull KE merr rritjen e menjëhershme të numrit të kundërshtarëve të vaksinës në Gjermani. Në më pak se dy muaj, sipas një studimi, gatishmëria për vaksinim në Gjermani ra me 20%. Pretendimi tjetër i përhapur në mediat sociale, se pirja e lëndëve zbardhuese ndihmon kundër Coronës shihet po ashtu si një përpjekje për çorientim. „Dezinformimi në kohët e pandemisë së Coronës mund të vrasë”, thotë i ngarkuari i BE për politikën e jashtme, Joseph Borrell.

    Sidomos teoritë konspirative gëlojnë në internet. Njëra prej tyre thotë, se luftimi i virusit dikur do të përdoret si pretekst për vaksinimin masiv të popullsisë apo që themeluesi i Microsoftit, Bill Gates bashkë me BE duan të përgjojnë njerëzit.

    Propagandë dhe sulme kibernetike

    Pikërisht për të luftuar këto fushatë, Parlamenti Europian ka krijuar një komision të posaçëm që fillon tani nga puna. E në fokus të komisionit nuk do të jetë vetëm Corona. Pas fushatave, BE shikon përpjekje sidomos të Kinës apo Rusisë për të rrënuar demokracitë në BE dhe me këtë të dobësojë Bashkimin Eurooian dhe rolin e tij në botë.

    Ky komision do të identifikojë në fillim hapësirat, se ku përhapen informacionet e rreme. Njëra prej tyre duket se qëndron në përpjekjet për ndikimin në zgjedhje. Pak para zgjedhjeve europiane, deputetë të Parlamentit Europian janë ankuar për propagandë masive nga Rusia. Deputetët kanë raportuar jo vetëm për dezinformim, por edhe për sulme kibernetike apo në infrastrukturën zgjedhore. Dhe aktorë të caktuar politikë që janë të afërt me porositësit në vende të treta i mbështesin ata direkt ose jo direkt. Kështu ka dyshime se populistja e djathtë dhe ish-europarlamentarja, Marine Le Pen ka marrë fonde nga Kremlini. Le Pen i ka kritikuar gjithmonë sanksionet kundër Rusisë.

    Platformat e mëdha luajnë rol kryesor

    Partnerët kryesorë të BE në këtë luftë janë platformat e mëdha online si Facebook, Twitter dhe Google. BE kërkon t’i detyrojë ata ta veprojnë më ashpër kundër informacionit të gabuar dhe të ofrojnë të dhëna tek studiuesit. “Nuk ka një bashkëpunim strukturor mes platformave dhe bashkësisë studimore”, bëri të ditur KE para pak ditësh. “Platformat duhet të bëhen më të përgjegjshme, më transparente, e t’u kërkohet më shumë llogari”, thotë zëvendëspresidentja e KE, Jourova. Komisionit nuk i mjaftojnë masat e marra nga vetë gjigandët e mediave sociale. Së shpejti do të publikohen propozimet e reja.

    Që në qershor, kur u krijua komisioni i posaçëm, KE ka kërkuar nga platformat online që të bashkëpunojnë ngushtë me verifikuesit e fakteve dhe të ofrojnë raportim mujor për punën e tyre në luftë kundër informacioneve të falsifikuara. Rezultate pozitive vihen re që tani, sipas Brukselit. Burimet e besueshme bëhen më prezente, lajmet çorientuese hiqen. Facebook dhe Instagram i janë referuar autoriteteve shëndetësore si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe kanë hequr reklamat e produkteve mjekësore të fallsifikuara apo shumë të shtrenjta.

    Ku fillon censura?

    Federata Europiane e Gazetarëve, Këshilli Europian i Botuesve dhe Shoqata e TV-privatë në Europë mendojnë, se këto masa nuk mjaftojnë. Europa i beson më shumë se duhet vullnetit të mirë të aktorëve të rëndësishëm online, shkruajnë këto organizata në një deklaratë të përbashkët në korrik dhe kërkuan sanksione “të efektshmme”, nëse koncernet nuk i përmbajne kodit të mirësjelles.

    Ka edhe një vështirësi tjetër: Verifikuesit e fakteve veprojnë në një territor të pasigurtë. Shpesh nuk është e lehtë të përcaktosh fake news e t’i dallosh ato nga shprehja e një mendimi ndoshta ekstremist. Kritikët i tremben ndërhyrjeve në lirinë e mendimit. “Nuk dua të krijoj ministrinë e së vërtetës”, tha Vera Jourova para komisionit. Edhe komisioni i posaçëm i parlamentit duhet të përballet rregullisht me këtë problem në luftën kundër fake news.

    Burimi: DW