Sherif Kallaku do të jetë sërish pjesë e Teutës. Pas bisedimeve të zgjatura mes drejtuesve të Teutës dhe Vllaznisë, palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët, duke finalizuar transferimin e mesfushorit 28-vjeçar në Durrës. Marrëveshja mes klubeve raportohet të ketë kushtuar rreth 50 mijë euro.
Për Kallakun ky është një rikthim në një ambient të njohur, pasi ai ka mbajtur veshur fanellën e Teutës në periudhën 2018-2020, ku la gjurmë me paraqitjet e tij.
Pas aventurës në kampionatin rumun me Sepsin, mesfushori u rikthye në Superiore, duke u bashkuar me Vllazninë nën drejtimin e trajnerit Edi Martini. Tashmë ai nis një kapitull të ri me bardheblutë, me synimin për të qenë një nga liderët e skuadrës në sezonin e ardhshëm.
Pasi rinovoi pasaportën e skaduar, Kallaku i është bashkuar menjëherë Teutës në fazën përgatitore në Bansko, ku ka nisur punën me grupin në prag të sezonit të ri.