Bledi Shkëmbi është kandidat për stolin e Partizanit. Mësohet se Shkëmbi shfaqet opsion, edhe pse të kuqtë do të donin rikthimin e Zoran Zekiç. Për këtë të fundit mbetet i interesuar edhe Sarajevo.Shkëmbi do e kishte po ashtu një rikthim te Partizani. Si lojtar ishte pjesë e “demave” në sezonin 2007/08, kur Partizani i shkoi shumë pranë titullit kampion.
Shkëmbi fillimisht duhet të zgjidhë kontratën me Strugën. Aty ku firmosi kontratën në verën e kaluar për 2 vite me opsion rinovimi edhe një tjetër. Struga e mbylli sezonin në vendin e tretë, duke mbetur pa Europë pasi Shkëndija humbi finalen e Kupës me Sileksin. Mesatarja e pikëve me Shkëmbin në kampionat ishte e lartë, pikërisht 1.94, por pa pasur sukses. Në Kupë ndërkohë ishte Shkëndija që eliminoi Strugën në çerekfinale përmes penalltive.
46-vjeçari punoi për herë të fundit si trajner në Shqipëri te Tirana. Ishte sezoni 2024/25, ndërsa projekti i bardhebluve i besohej duke qenë edhe Agim Ibraimi. Ky i fundit është aktualisht drejtor sportiv i Partizanit. Julian Ahmataj nuk është opsion në vazhdim, ndërsa pritet emërimi i tij te Skënderbeu ku kandidat është edhe Oltijon Kërnaja. Kujtojmë se Partizani është pa një “timonier” që nga data 30 prill. Kjo situatë mund të kthehet në problem, duke qenë se klubi ka lojtarë pa kontratë dhe po ashtu ekipi duhet përforcuar. Pa një trajner deri tani, projekti ka ngecur. Dështimi i arritjes së Final Four dhe Europës mund të quhet një nga pasojat e para.