Partizani kërkon fitoren e pestë, të shtunën vjen miqësorja e radhës

by KLIKOJE.AL

Partizani po i afrohet fundit të fazës përgatitore me sinjale gjithnjë e më pozitive. Të kuqtë, nën drejtimin e trajnerit Florin Bratu, kanë zgjedhur këtë verë të zhvillojnë përgatitjet brenda Shqipërisë, duke e ndarë aktivitetin mes “Shtëpisë së Futbollit” në Tiranë dhe stadiumit “Gjorgji Kyçyku” në Pogradec.

Deri më tani, Partizani ka zhvilluar pesë ndeshje miqësore, ku ka regjistruar katër fitore dhe vetëm një humbje. Disfata e vetme erdhi në testin e parë ndaj Besës së Kavajës, me skuadrën kryeqytetase që u mposht 2-1. Në atë takim, Bratu shfrytëzoi mundësinë për të testuar kryesisht lojtarët e rinj dhe ata që ende nuk e kishin të sigurt vazhdimin e aventurës me Partizanin.

Pas humbjes së parë, “Demat e Kuq” kanë reaguar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke regjistruar katër fitore radhazi. Fillimisht mposhtën Skënderbeun 2-0, më pas Pogradecin me të njëjtin rezultat. Serinë e fitoreve e vijuan me suksesin 3-1 ndaj Elbasanit, ndërsa në miqësoren e fundit triumfuan 2-0 përballë Bylisit.

Një tjetër sinjal pozitiv për Bratun është edhe forma e repartit ofensiv. Partizani ka shënuar në të pesë ndeshjet e zhvilluara deri tani, duke treguar se skuadra po fiton gradualisht ritmin dhe automatizmat e kërkuara nga trajneri rumun. Por përgatitjet nuk kanë përfunduar ende. Partizani do të zbresë sërish në fushë më 15 gusht, kur do të përballet me Besëlidhjen në stadiumin e Lezhës.

Ky takim pritet të jetë një nga testet e fundit për Bratunë përpara startit të sezonit zyrtar, ku trajneri do të ketë mundësinë të bëjë zgjedhjet përfundimtare dhe të korrigjojë detajet e fundit të skuadrës.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.