Orges Shehi do të jetë trajneri i ri i Partizanit dhe më në fund këtë zë të amplifikuar të merkatos e pranojnë edhe në kampin e kuq. Arbër Abilaliaj ndaj Erzenit mbyll ciklin si trajner i Partizanit për t’iu rikthyer me kohë të plotë detyrës parësore, drejtor teknik i “demave të kuq”. Ka qenë vetë Abilaliaj që në daljen e sotme para mediave e ka pranuar se zyrtarizimi i me trajnerin Orges Shehi do të vijë shumë shpejt dhe projekti me ish-portierin dhe kapitenin e Partizanit ka nisur që nga data 5 tetor.
“ Siç dhe ju e dini vazhdojmë t’i qëndrojmë planit që kemi bërë në nisjen e këtij projekti ka që në verë. Ditët në vijim kemi pasur akord total prej shumë kohësh me trajnerin. Besoj që shumë shpejt do jetë dhe dita për të bërë zyrtarizimin. Kjo është në aspekt të dytë, sepse më e rëndësishme ndeshja nesër, kjo është ajo që duhet të kemi vëmendje maksimale. Gesi ishte projekt qe kemi filluar të punojmë që në 5 tetor dhe besoj ditët në vazhdim do ta konkretizojmë”.