Vllaznia do të debutojë sonte në Conference League në transfertën e Belfastit kundër Linfield. Një kundërshtar i fortë, por jo i pakalueshëm për Hysen Zmijanin. Ish-mbrojtësi shkodran e ka të qartë se vetëm shtatlartësia e irlandezo-veriorëve mund t’i krijojë probleme kuqebluve, që duhet ta luajnë lojën me vetëbesim. “Mendoj se goditjet standarde do të jenë pika e dobët e Vllaznisë përballë rivalit në Europë. Mendoj se shtatlartësia do të jetë një element, i cili do të shfrytëzohet nga Lindfield në këtë duel”, nis analizën e tij Hysen Zmijani.
Kjo transfertë i sjell në mendje edhe kujtime nostalgjike Zmijanit, që pranon megjithatë se kohët kanë ndryshuar. Diferenca nuk është më ajo e dikurshme dhe Vllaznia duhet ta tregojë këtë në fushë.
Për kualifikimin, 60-vjeçari që ka 36 ndeshje me kombëtaren dhe ka luajtur edhe për Ajaccio, Al-Nassr dhe St.Pauli, beson se është krejtësisht i mundur, sidomos nëse në Shkodër Vllaznia kthehet pa humbje.
Ndeshja e parë do të luhet sot në Belfast në orën 20.45 dhe kthimi do të jetë pas një jave në “Loro Boriçi”, për të tentuar gjithçka për gjithçka për kualifikimin.