Besa do të ketë një pamje ndryshe në pjesën e dytë të sezonit, kur do të drejtohet nga Emiljano Çela. Kavajasit po bëjnë investime të tjera të rëndësishme për të fituar garën që kanë me Vorën dhe Flamurtarin për ngjitjen direkte në Superiore.
Besa nuk e pret janarit, pasi menjëherë drejtuesit kanë nisur përforcimin e ekipit duke mbyllur edhe marrëveshjet e para. Bedri Greca është lojtari më i ri i Besës. Pas afrimit të trajnerit Emiljano Çela dhe sulmuesit Bedri Greca, klubi kavajas ka gjetur akordin edhe me një tjetër futbollist cilësor, me të kaluar në Kategorinë Superiore. Mësohet se argjentinasi Rodrigo Migone, është tashmë një futbollist i kavajasve. Migone ka qenë pjesë e Erzenit që në verën e vitit 2023 dhe spikati me këtë skuadër në sezonin në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa së fundmi ishte pjesë e shijakasve edhe në Kategorinë e Parë.
Besa ka nisur kontaktet për të kthyer në Shqipëri ish-sulmuesin brazilian të Erzenit, Patrik Nonato. Me afrimin e 27-vjeçarit trajneri Çela do të kishte një alternativë më shumë për majën e sulmit. Nonatao e ka treguar veten në Shqipëri, ku në sezonin 2022-2023 shënoi 12 gola me fanellën e Erzenit. Mbetet për të parë se si mund të kryhet ky transferim, pasi në verë Nonato kaloi nga Deçiçi në Malin e Zi te Marsakslok në Maltë.