Nga Japonia në Rrogozhinë. Egnatia vjen me moral të lartë pas fitores në Superkupën e Shqipërisë ndaj Kukësit. Përforcimi i parë i klubit rrogozhinas është braziliani Rodolfo Tito de Moraes, i cili është mbrojtës i majtë, por në karrierën e tij është aktivizuar edhe si mesfushor.
Janë karakteristika të ngjashme me ato të Edison Ndrecës dhe kështu trajneri Tetova mund të ketë dy opsione për formacionin. Braziliani 27-vjeçar e ka të lidhur gjithë karrierën në vendin e tij, me skuadrën Figuirense FC, por gjithashtu edhe në Japoni me skuadra si Yamagata dhe Kanazawa për tre sezone.
Për momentin nga klubi i Egnatias nuk ka asnjë konfirmim për afrimin e tij, por burime të gazetës pohojnë se praktikisht gjithçka është e mbyllur, me lojtarin që nga Japonia do të vijojë karrierën në Rrogozhinë.
Mbetet vetëm zyrtarizimi nga palët që braziliani t’i bashkohet në stërvitje skuadrës që drejtohet nga Edlir Tetova.
LEXO ME SHUME:Egnatia nuk e diskuton Kukësin, fiton Superkupën dhe bën tris titujsh në një sezon (video)
Egnatia bën tris: pas kampionatit e Kupës së Shqipërisë, rrogozhinasit sigurojnë edhe Superkupën, duke mposhtur Kukësin me rezultatin 2-0. Vendosën Ujka dhe Bakayoko, duke i dhënë suksesin e dytë radhazi në përballjen mes tyre, pas asaj të finales së Kupës të edicionit të kaluar.