Deputeti opozitar, Halit Valteri, habiti sot gjatë seancës plenare ku u paraqit me një maskë “I Love Allah” në kuadër të masave anti-Covid. Ai mbante një maskë, e cila kishte ngjyrë të zezë, ndërkohë që në të shkruhej: ‘I Love Allah’ (unë e dua Allahun’.
I pyetur nga agjencia e lajmeve Anadollu, në lidhje me qëllimin dhe mesazhin e një maske të tillë ai tha se dashuria për Zotin, do të thotë të duash kombin, familjen dhe veten.
“Aty fillon baza e edukimit për të qenë i kujdesshëm dhe i denjë në komunitetin ku jetojmë dhe japim kontributin tonë. Me njerëz që duan dhe adhurojnë Zotin do të kemi një shoqëri më të mirë e më të prirur të respektojmë, duam dhe ndihmojmë njëri-tjetrin”, theksoi Valteri.
Ky rast nuk ka shpëtuar as nga mediat turke. Agjencia “Haber” citon fjalët e Valterit, që sipas të cilit, pika fillestare e edukimit drejt kontributit në shoqëri është pikërisht këtu (dashuria ndaj Allahut). Ai deklaroi se njerëzit do të ishin më të prirur për të respektuar, dashuruar dhe ndihmuar njëri-tjetrin nëse do të besonin tek Allahu.
Të njëjtën gjë ka shkruar edhe media tjetër turke A24.