Laçi dhe Skënderbeu janë dy skuadrat e para që kanë siguruar kualifikimin për në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, pas dy fitoreve me histori të ndryshme.
Kurbinakët nuk falën në shtëpi, duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Shirokës. Të besuarit e trajnerit Ahmataj dominuan takimin dhe vulosën fitoren me golat e Tolës në minutën e 13-të, Nergutit në të 71-ën dhe Bibos në minutën e 80-të.
Më shumë vuajtje pati Skënderbeu, që iu deshën 120 minuta për të prerë biletën e kualifikimit. Përballë Apolonisë, koha e rregullt u mbyll në barazim pa gola, ndërsa emocionet më të mëdha erdhën në shtesë. Sulo kaloi fierakët në avantazh në minutën e 94-t, por korçarët reaguan me Ndiajen në të 104-ën dhe Dramen në minutën e 116-të, duke përmbysur gjithçka dhe siguruar vazhdimin e rrugëtimit në Kupë.
Kështu, Laçi dhe Skënderbeu bëhen ekipet e para të kualifikuara për në fazën tjetër të kompeticionit. Për Apoloninë dhe Shirokën aventura në Kupën e Shqipërisë përfundon këtu, ndërsa dy fituesit tashmë presin të mësojnë kundërshtarët e radhës pas përfundimit të ndeshjeve të tjera.
REZULTATET:
Skënderbeu 2-1 Apolonia (Ndiaje 104′, Drame 116′ / Sulo 94′)
Laçi 3-0 Shiroka (Tola 13′, Nerguti 71′, Bibo 80′)