Korabi, Jurgen Mehidri nuk do të jetë më pjesë e klubit dibran. Portieri ka konfirmuar largimin e tij nga klubi dibran përmes një postimi në rrjetet sociale, duke mbyllur kështu bashkëpunimin me skuadrën.
Gardiani iu bashkua Korabi-t verën e kaluar, pasi u transferua nga Besa, ndërsa gjatë sezonit të fundit arriti të regjistrojë paraqitje pozitive me fanellën dibrane, duke qenë një nga pikat e rëndësishme të skuadrës.
Për Mehidrin, ky ishte rikthimi i dytë te Korabi, pasi portieri kishte qenë pjesë e klubit edhe në periudhën 2019-2023, duke krijuar një lidhje të fortë me ekipin dhe tifozët dibranë.
Për momentin nuk dihet se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm i portierit, ndërsa mbetet për t’u parë se ku do të vijojë karrierën në sezonin e ri.