Korabi është një nga klubet më aktive në merkaton e dimrit, por deri tani lëvizjet kanë qenë thuajse të balancuara. Shtatë janë lojtarët e afruar dhe gjashtë janë të larguarit që nga përfundimi i pjesës së parë të sezonit. Patrik Treni, Rihan Zeqiri, Ujkan Muça, Ronald Disha, Xhejson Ndreu, Paulo Pjeshka dhe Keslin Shani janë të afruarit, ndërsa të larguarit janë Ertigen Shehu, Markovanbasten Çema, Fernando Ndrejaj, Klevis Lushaku, Dionis Çikani, Klodian Pjetri.
Administratori Donald Mëziu, theksoi gjithashtu se do të jetë një afrim nga elita e futbollit shqiptar. Klikoje Sport ka mësuar ekskluzivisht, se klubi dibran ka arritur të firmosë me Hajrulla Tolën.
Mesfushori i Tiranës do të luajë gjysmën e sezonit me Korabin si i huazuar. 20-vjeçari ka zhvilluar vetëm 64 minuta në Kategorinë Superiore, dhe klubi bardheblu ka vendosur ta çojë në një skuadër tjetër për të marrë minuta e për t’u formuar si lojtar.
POZICIONI I KORABIT
Korabi nuk zhvilloi një gjysmë sezoni pozitiv. Ekipi dibran aktualisht është në vendin e 10-të në zonën e Play-Outit dhe ka grumbulluar 16 pikë. Me afrimet e fundit, Korabi shpreson që të largohet sa më shpejt nga zona e ftohtë e renditjes dhe të shpëtojë një sezon që po shkon drejt dështimit. Në javën e 19-të të Kategorisë së Parë, Korabi do të luajë ndaj Valbonës, me shpresën që të marrë 3 pikë e të lërë ekipin tropojan në vendin e parafundit në klasifikim.