Historia e trevave të Elbasanit e ka zanafillën e saj në shekullin e II-të p.k. me vendbanimet e hershme ilire. Në shekullin e II-të qyteti njihet me emrin “SKAMPA” e më vonë me emrin “SKAMPINI” në varësi administrative të Durrahut. Duke qënë i vendosur në kryqëzimin e rrugëve Veri – Jug dhe Lindje – Perëndim, ai ka shërbyer si pikë e rëndësishme kalimi dhe si stacion i rëndësishëm, duke u përmendur si qëndër urbane, ushtarake e peshkopale. Pas bllokimit të rrugës Egnatia nga dyndjet e barbarëve, qyteti nuk përmendet më dhe njeh shkatërrimin e tij gjatë migrimit sllavo – bullgar diku nga shekulli VI – VII.
Elbasani u zhvillua si qendër e rëndësishme strategjike, administrative, ushtarake dhe ekonomike e Shqipërisë së mesme. Zejtaria dhe tregtia mori përsëri një zhvillim të dukshëm duke shtrirë lidhjet dhe ndikimin në tërë zonat përreth. Një zhvillim të ndjeshëm mori arti postbizantin i përfqësuar nga mjeshtri dhe piktori i madh Onufri i Neokastrës (Elbasanit), i cili krijoi një art kulminant ku spikat me forcë të veçantë gërshetimi i shkëlqyer i gjeniut me traditën vendase. Si vepra të tij, të trashëguara deri në ditët tona, janë afresket dhe ikonat e kishave të Shelcanit dhe të Valshit të mesit të shek. XVI. Vazhdues i veprës së Onufrit përmendet Kostandin Shpataraku. Një zhvillim të vrullshëm mori qyteti i Elbasanit në shek. XVII me krijimin, organizimin dhe funksionimin e 60 llojeve të zejeve në 45 Esnafe. Vlen të përmendet në këtë kohë “Kodiku i Esnafeve të Tabakëve”, 15 Maj 1658, i cili konsiderohet ndër më të vjetrit në Ballkan.
Në dokumentacionin e kohës, dëshmohet se në mesin e shekullit të XVII, Elbasani kishte 2000 shtëpi, 900 dyqane, punoheshin lëkura, leshi, mëndafshi, metalet e sidomos argjendi.
Prodhimet e qytetit të Elbasanit gjenin treg shitje si brenda dhe jashtë vendit. Këtë e dëshmon fakti që Turqia në dy ekspozita ndërkombëtare në Paris në vitin 1867 dhe në Çikago në vitin 1894 krahas artikujve të tjerë të artizanatit ekspozoi edhe pushkët, pistoletat dhe silahet e prodhimit shqiptar të Shkodrës, Elbasanit, Prizrenit, etj. E rëndësishme është se Elbasani shquhet për organizimin e panaireve. Panairi i parë është ai i vitit 1381 i pasuar me të tjerë në periudhat e mëvonshme.
Në këtë kohë Elbasani shquhet si qendër e fuqishme arsimore dhe kulturore me përpjekjet që bënë Bugomili (anonimi i Elbasanit), Dhaskal Todri për përhapjen e gjuhës e të shkrimit shqip. Në epokën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare zë një vend të rëndësishëm Kostandin Kristoforidhi, autor i abetares shqipe, fjalorit gegërisht dhe toskërisht, i cili konsiderohet si babai i gjuhës shqipe.
Elbasani, nga ” Skampis” deri në ditët e sotme
I njohur dikur me emrin Skampis qyteti në ‘kërthizë’ të Shqipërisë, që sot njihet me emrin Elbasan, është ndër zonat më të hershme që vërtetojnë trashëgiminë dhe kulturën e lashtë të vendit tonë.
I shtrirë në krahun e djathtë të lumit Shkumbin, në lartësinë 120 m mbi nivelin e detit, Elbasani njihet si ‘kryeqendra e ditës së verës’, një festë pagane që më mirë se kudo tjetër festohet në këtë qytet të Shqipërisë së Mesme. Njihet dhe si qyteti i luleve, ndërsa dikush në ditët e sotme e ka quajtur edhe ‘kryeqyteti i poezisë shqipe’. Në kohën e komunizimit Elbasanit i shkonte për shtat emri ‘qyteti i metalurgëve’.
Elbasani në lashtësi
Elbasani është një vendbanim i lashtë, i ngritur në një pozicion të përshtashëm gjeografik. Si stacion i rrugës ‘Egnatia’ përmendet në shekullin e II të erës sonë me emrin Skampis dhe fakti që vërtetoi plotësisht vendndodhjen e qytetit është guri i varrit të legjionarit Mark Sabiti, i cili ruhet në ditët tona në Muzeun Etnografik në Elbasan. Specialistët vlerësojnë se guri në fjalë është i vetmi monument epigrafik që përmend emrin e lashtë të Elbasanit.
Nga dokumentet studimore rezulton se qyteti filloi rënien në shekullin e V- të erës sonë, me dyndjen e fiseve barbare. Ndarja e perandorisë romake ndikoi në rënien e Skampisit si qendër tregtare, e cila e la qytetin në periferi të Perandorisë Bizantine, duke humbur në të njëjtën kohë dhe rëndësinë e rrugës ‘Egnatia’.
Në fillim të shekullit të VI, si pasojë e pushtimit të Italisë nga perandori Justinian, lëvizjet në rrugën ‘Egnatia’ rigjallërohen dhe kësisoj kalaja e Skampisit kaloi në një proces rindërtimi, ndërsa vetë qyteti nisi të merrte jetë. Sipas dëshmive historike, në atë kohë qyteti u evidentua si një qendër tregtare, peshkopate e ushtarake, me katedrale, kisha e bazilika të shtruara me mozaikë.
Nga një dokument i botur në vitin 2001, mësohet se në shekullin e IX, Elbasani u pushtua dhe u grabit nga dyndjet e bullgarëve. Po sipas këtij dokumenti, pas këtij pushtimi, jeta ekonomike e qytetit, në kushtet e një ekonomie natyrore brenda marrëdhënieve feudale, nisi të merrte një zhvillim. Spikatën këtu zonat përrreth qytetit si në Bradashesh, në manastririn e Shën Gjonit në Shijon, ku organizoheshin edhe panaire të ndryshme.
Emri i një qyteti
Më 1466 Sulltan Mehmeti II ndërtoi kalanë si pikë mbështetjeje për trupat osmane, kala e tipit fushor ndër më të mëdhatë në Ballkan, e cila sipas studiuesve, u emërtua Elbasan. I pari që dëshifroi mbishkrimet në këtë kala dhe më pas emrin e saj ishte orientalisti Babinger, i cili bëri të njohur dhe prejardhjen e këtij emri.
Shpjegimin më të plotë dhe më të saktë të këtij emri e ka sjell shkencërisht orientalisti shqiptar Vehxhi Buharaja. Sipas tij, emri Elbasan është me prejardhje turke dhe kjo vërtetohet nga një mbishkrim i gjetur tek muri i portës së kalasë, ku shkruhet “IJL – basan”, e cila ka një kuptim të caktuar në turqisht.
Nga pikëpamja fjalëformuese dhe morfologjike, fjala IJL do të thotë ( vend, krahinë) dhe basan, është një emër foljor veprues, sipas gramatikës së gjuhëve neolatine, që do të thotë shtypës. Ijl– basan, në turqisht do të thotë ‘vura dorë’ ose shtypa. Ky emër me kalimin e shekujve pësoi ndryshime fonetike në përdorim nga shqipfolësit deri sa arriti në Elbasan.
Me pushtimin turk, në qytet filloi të përhapej muslimanizmi, ndërkohë që në qytet u zhvillua ndjeshëm zejtaria dhe tregtia. Në mesin e shekullit të XVII, në qytet numëroheshin 2000 shtëpi dhe 900 dyqane zeje, kryesisht të përpunimit të lëkurës, leshit, mëndafshit, metaleve dhe sidomos argjendit.
Ndikimi i zejeve të Elbasanit shtrihej në të gjithë Shqipërinë e Mesme dhe deri në Ohër të Maqedonisë. Në qytet u ruajt tradita me ndërtime të tipit ” elbasanas”. Një ndër to është dhe Kulla e Sahatit, e cila u ngrit në vitin 1899 me një lartësi prej 30 metra. Lëvizja arsimore e kulturore mori një zhvillim të gjithanshëm dhe u mbështet nga shtresa të ndryshme të popullsisë.
Pas Luftës së Parë Botërore, në vitet 1920 – 1924, Elbasani u shndërrua një nga qendrat e lëvizjes përparimtare. Gjatë sistemit monarkist zejet morën një zhvillim të vrullshëm, ndërsa në atë kohë u ndërtuan dhe mjaft objekte si prefektura, bashkia, ujësjellësi i ri i qytetit, banka shtretërore, centrali elektrik etj.
Gjatë asaj periudhe u vu re një përkujdesje ndaj gjelbërimit, kultivimit të agrumeve dhe bimëve frutore, ullishteve që rrethojnë aktualisht qytetin. Ndaj dhe jo rrallë, Elbasani cilësohej nga udhëtarët e huaj, si qyteti i luleve. Shkolla normale dhe intelektualët që e drejtonin atë, të arsimuar në perëndim, ndikuan në zhvillimin e jetës arsimore dhe kulturore të qytetit.
Në vitin 1942, në Elbasan u krijua bërthama e rinisë Antifashiste Nacional Çlirimtare, ndërsa pas çlirimit qyteti njohu ndryshime të tjera politike, ekonomike, sociale etj.
Elbasani sot
Elbasani shtrihet në qendër të Shqipërisë dhe ka një sipërfaqe prej 1372 km2. Qyteti ka një shtrirje të gjerë me disa rrugë kryesore, të cilat shërbejnë si arterie për të lidhur me njëra- tjetrën pjesë të ndryshme të qytetit. Është një nyje e rëndësishme transporti me stacion hekurudhor, ndërsa gjatë regjimit komunist ka qenë një qendër e rendësishme industriale, pasojat e së cilës po i vuajnë sot qytetarët. Tashmë kombinati metalurgjik nuk funksionon. Në një pjesë të mjediseve të tij ushtron aktivitetin prej disa vitesh firma turke e prodhimit të çelikut ‘Kurum’. Me ardhjen e demokracisë në vitet ’90 në qytet nisën aktivitetin dhjetra bizense, të cilat me kalimin e viteve janë rritur dhe shtuar në numër, duke i dhënë një impakt pozitiv zhvillimit të këtij rajoni.
Elbasani njihet dhe për shumë vende turistike, mes tyre pika e Bushekut, trevë e dikurshme e Arianitëve, dhe vendi ku Gjergj Arianiti theu disa herë ushtritë osmane. Pas nuk mbetet dhe pika turistike në Labinot, Mirakë, Belsh, Gjinar etj, të cilat formojnë një ansambël çlodhës e argëtues për qytetarët.
Kalaja e Elbasanit
Interesi që po ngjall ndër vizitorët e huaj kalaja fushore e Elbasanit, pa dyshim ka të bëjë me origjinën Romake të saj.
Kjo kala impozante e ngritur mbi kalldrëmin e rrugës perandorake Egnatia, në harkun e 1200 vjetëve është pagëzuar nga tre perandorë të shquar të historisë, Diokleciani, perandori Romak me origjinë Ilire, Justiniani i Parë Bezantin nga Bederiana pranë Prishtinës, dhe sulltani më i famshëm i turqve Osmanllinj Mehmet Fatih Ngadhnjyesi.
Lindjen, zhvillimin dhe rrënimin përfundimtar Skampini ua detyron të njejtit faktor “Rrugës Egnatia”.
Në kohën e Perandorisë Romake ndërtimi i saj u bë burim mirëqënie e lulëzimi, kjo, jo vetëm për Skampinin, por për krejt krahinën rreth e rrotull, ndërsa në vigjiljen e dyndjeve të popujve e në vazhdim të tyre, ajo u shndërrua në një shkak mjerimi të pandërprerë.
Kjo fortesë përfaqëson një castrum statum, për strehimin e një legjioni romak që do të shërbente për ruajtjen e sigurinë e rrugës Egnatia. Vetëm një fuqi e tillë si shteti romak mund të kishte sigurinë e ndërtimit dhe qëndrueshmërisë së një kalaje fushore.Para ardhësit tanë i ndërtonin kështjellat në maja shkrepash të mbrojtura nga natyra, ndërsa romakët ndiqnin parimin “Kalatë i mbrojnë burrat, jo muret!”.Në të gjithë gjatësinë e rrugës Egnatia, ndihen vlerat monumentale dhe autoriteti i fuqisë së tyre.
Toponimet:
Klaudiana (Peqini i sotëm). Paul -est, ( fshtati i sotëm Paulesh) Lolaj , që të kujton emrin e legjionarit romak Lolian Mansio ( Rrapi i Mansit), Liber – assio ( Librazhdi i sotëm), Valas ( Valësh), tregojnë gjurmët më të pashlyeshme të rrugës më të rëndësishme të perandorisë Romake.
Megjithëse rruga Egnatia përmendet nga Straboni120 vjet para Krishtit, kalaja e Skampinit filloi të ndërtohej në vitet 285 – 305 para Krishtit dhe mori formën e plotë nga rindërtimi i perandorit Justiniani i Parë, në vitet 530 – 565 pas krishtit.
Shumë kohë para se të ndërtohej ky fortifikim filloi jetën qyteti i Skampinit, në fillim rreth stacionit Mansio të rrugës Egnatia e më pas u çvendos në luginën e gjerë midis dy përrenjve të Zaranikës dhe Manasderes.
Në dokumenta të mëvonshme emri i qytetit të lashtë do të marrë trajta të ndryshme. Sipas gjuhës që përdorin kumtuesit e tij dokumenti më i rëndësishëm dhe më autentik për vendodhjen e qytetit dhe formën e emrit, është guri i varrit të Legjiniarit Mark Sabidi që ndodhet në Muzeun Etnografik të qytetit.
Kalaja fushore e Skampinit të lashtë ka formën e një katërkëndëshi këndrejtë me përmasa 308 x 348 metra, e orjentuar në drejtim verilindje – jugperëndim.
Ajo ka katër hyrje të cilat mbrohen nga kulla. Në katër qoshet e saj gjenden kullat e mëdha që mendohet të kenë qenë 12 metra të larta në ndërtim.
Kështjella është e pajisur me 26 kulla që gjenden 40 – 50 metra larg njëra tjetërs.
Ajo qarkohej nga një hendek tre metra i thellë që mbushej me ujë nga përroi i Zaranikës.
Muri i periudhës së vonë romake gjendet në të gjithë gjatësinë e mureve.
Ai ngrihet mbi nivelin e themeleve dhe ruhet në lartësinë 5 metra.
Trashësia e murit rrethues është tre metra. Ai është ndërtuar me teknikën “opus mixtum” me katër rreshta tullash në brez.
Kjo ndërthurje shërben për të realizuar një lidhje më solide midis pjesëve të murit.
Nga punimet e kryera në brendësi të murit jug – perëndim të kështjellës del në pah një lartësi muri prej 9 metrash.
Në gjendjen e sotme të kalasë mungojnë plotësisht hyrjet kryesore të kështjellës ose siç quheshin nga romakët portat “dekumanus”.
Porta që egziston sot është vetëm një hyrje sekondare që përfaqëson drejtimin veri – jug. Portat kryesore të drejtimit perëndim – lindje nëpërmjet të cilave kalonte rruga Egnatia, gjendeshin ndërmjet dy kullave në formë U – je, të dala gjysëm jashë murit rrethues.
Ka pasur dy porta të jashtme dhe të brendshme dhe midis tyre një oborr katërkëndësh me përmasa 1×10 metra.
Mendohet se brenda rrethimit të kalasë, veç ndërtesave puiblike të ketë pasur edhe dy katedrale paleokristiane.
Ne vitin 1466 sulltan Mehmet Fatihu urdhëroi rindërtimin e mureve gërmadhe të Skampinit antik, “të quajtur tani qytet”.
Kalaja e rindërtuar që shërbeu së pari si garnizon ushtarak, u emërtua nga turqit
Il – bassan, por populli duke mos u pajtuar në fillim me emrin e huaj e quajti Qyteti i Ri. Në tekstet kishtare të kishës së Shelcanit ai quhet Neokastron.
Në dokumenta italiane ai quhet herë Terranova herë Çitanuova.
Vetëm nga mesi i shekullit XVIII emri “Qyteti i Ri” bie në harresë dhe filloi të përdoret emri Elbasan. E megjithatë populli i kësaj treve nuk e humbi krejt kujtimin e qytetit antik të Skampinit duke e përjetësuar, atë në emrin e lumit Shkumbin.
Por edhe një kodër në jug të urës së Shkumbinit ku janë gjetur rrënoja antike, mbante emrin qytezë, deri sa brezi ynë e harroi.
Në vitin 1899 në një nga kullat e kalasë në pjesën jugore u ndërtua edhe kulla e sahatit që është ende edhe sot në gjendje pune dhe krenari i qytetit që e ka.
Ajo ngrihet e lartë si simbol i Elbasanit dhe që është mirëmbajtur jo vetëm si kullë që është në gjendje të mirë, por edhe mekanizmi i sahatit të tij.
Arkitektura popullore e qytetit të Elbasanit
Tradicionalisht qyteti i Elbasanit ka qenë qytet i ndërtimeve të ulëta, një dhe dy katëshe, me kopshte të gjera e gjelbërim, gjurmë që i gjejmë edhe sot brenda lagjes “Kala”. Dallohen dy tipa banesash, karakteristike qytetare që i përkasin shekullit XIII- XIX. E para njihet si domallije, njëkatëshe, me hajat.
Hajati shpesh ka një apo dy qoshe për ndenjie. Elemet tjetër tipik të shtëpive të banimit brenda lagjes ” Kala” janë edhe mjediset e qurit, që ndodhen në pjesën e pasme të shtëpisë. Ndarja e tyre me elementët e banimit bëhej nëpërmjet sergjenit ose dollapeve në mur. Gjatë këtyre shekujve banesat ndërtoheshin me mur guri, dhe mbulohej me çati e tjegulla kumie.
Tipi i dytë, i banesës qytetare elbasanase, është ai me çardak. Është dy katëshe dhe në kompozim zë vend qëndror hajati dhe çardaku. Ky tip është i përhapur në lagjen
” Kala”, por edhe në pjesë të tjera të qytetit. Kati përdhes është i ndërtuar me mur guri, i dyti me mur tulle, të rrjetëzuar me kapriata, ose me çati. Kati i dytë është trajtuar me elementë të veçantë arkitektonikë, si: grup dritaresh vertikale me kornizë druri, strehë të gjerë. Tipa të tilla banesash si shtëpia e Sejdinëve ( sot Muzeu Etnografik) janë shpallur Monumente Kulture.
Në vitet 1920 – 1939 në qytet shfaqet edhe një tip i ri banese, dykatëshe, trekatëshe, me arkitekturë bashkohore, e natyrës paramoderne, të cilat spikasin me arkitekturën e bukur dhe hijeshinë urbane.
Tipologjikisht, lidhet me formacionin kapitalist të shoqërisë.
Në ekonominë e centralizuar socialiste, ndërtimi i banesave, iu nënshtrua masivizmit dhe tipareve arkitektonike të thjeshtëzuara, monotone.
Lagja ” Kala”
Brenda mureve të kësaj kalaje ndodhet lagja me të njëjtin emër që është nga më të vjetrat dhe më të famshmet për historinë e traditat kulturore që mban në gjirin e saj.Në këtë lagje numërohen mbi njëmijë “zjarre” ose sikurse thuhet në ditët e sotme mbi njëmijë shtëpi karakteristike për nga mënyra e konstruktit të tyre të cilat mbeten tepër të preferua, ndërsa rrugët e shtruara me kalldrëm janë një tjetër e veçantë të cilët shumica e banorëve të kësaj lagjeje e ruajnë me shumë xhelozi. Lagja “Kala” është kryeqendra e arsimimit të shqiptarëve me “Normalen” e famshme. Në këtë lagje ka lindur Dhaskal Todri, krijuesi i fjalorit të gjuhës shqipe, studiuesi e lëvruesi i gjuhës shqipe Konstadin Kristoforidhi, krijuesi i historisë së Shqipërisë Aleks Buda, studiuesi dhe arkeologu Hasan Ceka, gjuhëtari Mahir Domi, mjeku i shquar Ylli Popa e plot figura të tjera të arsimit, kulturës , shkencës, artit, etj. Brenda mureve të kalasë së lashtë bashkëjeton në harmoni të plotë komuniteti i muslimanëve, katolikëve dhe ortodokësve . Ata i kryejnë ritet fetare në tri objekte kulti gjigande dhe mjaft të rralla të cilat janë vlerësuar jo vetëm nga turistët por edhe nga diplomatët e huaj të panumërt që e kanë vizituar këtë lagje.
Artet figurative ndër shekuj
Zhvillimi i arteve figurative në Elbasan daton nga shekulli i II para erës sonë. Janë të shumta objektet e gjetura në këtë rajon të Shqipërisë së Mesme, kryesisht në zonën e Belshit, që i përkasin asaj periudhe, mes të cilave veçohen enët e baltës me një ose dy vegje, portrete të ndryshme në terrakotë, stoli prej ari, enë prej bronzi, monedha figurina dhe pllaka relieve.
Në shekujt XIII-XV, artet figurative në Elbasan janë zhvilluar veçanërisht në pikturë (afreske e ikona) dhe skulpturë, të cilat kanë qenë punime në miniaturë. Të çmuara në këtë kohë janë relivet në muret e kishës së Gjon Vladimirit, me motive ornamentale dhe emblema e familjes së Karl Topisë, në muret e kësaj kishe.
Në këta shekuj të mesjetës, edhe në Elbasan sikurse në shumë zona të tjera të vendit, piktura zhvillohet në frymën paleokristiane, me afreske që i përkasin artit popullor, me forma ornamentale dhe dekorative.
Pikturat e asaj periudhe kanë një frymë kozmopolite, për shkak të ideologjisë, ndaj dhe shumica e tyre janë anonime.
Si piktor i shquar i shekullit të XVI njihet Onufri, i cili ka lënë punime të shoqëruara me mbishkrime në kishën e Shën Kollit në Shelcan dhe Shën a Premtes në Valësh. Në shekullin e XVIII spikat Konstandin Shpataraku, i njohur për ikonat e realizuara në kishat e Shën Kollit dhe Shën Gjon Vladimirit në Elbasan, vëllezërit Zografi nga Korça, të cilët kanë pikturuar “Apokalipsin” në kishën e Shën Kollit.
Gjatë shekujve XVI deri në fillim të shekullit XX, piktorë anonimë zhvilluan dhe pikturën dekorative – ornamentale, me frymë orientale, që u trajtua për zbukurimin e objekteve të kultit fetar islamik. Këto piktura janë me elementë të quajtura ” arabeska” që mbështeteshin në motive me formë bimore dhe shtazore, por të shndërruara në elementë dekorativë-estetikë që edukojnë ndjenjat e rregullit, harmonisë, dhe qetësisë shpirtërore. Këto elementë gjenden në xhamitë dhe teqetë e Elbasanit.
Ekspozita e parë e arteve figurative në qytetin e Elbasanit daton në vitin 1923, me punimet e nxënësve të talentuar të shkollës “Normale”. Prej vitit 1972, talentet në artet figurative formohen në shkollën e mesme “Onufri”, ku përgatiten brezat e piktorëve dhe skulptorëve.
Artet figurative të shekullit të XX
Në Elbasan artet figurative të shekullit të XX përfaqësohen kryesisht nga piktura dhe skulptura, e zhvilluar në përputhje me ngjarjet historike në vend dhe në botë. Në fillim shekullin e XX shfaqen konceptet e reja për artet figurative, si rezultat dhe i ngritjes së shkollës “Normale” në këtë qytet. Arti shfaqet me tiparet e Rilindjes, veçse i vonuar për shkak të izolimit osman. Ishin të shumtë piktorët të cilët nisën të pikturonin portrete dëshmorësh, figura shpatarakësh, peisazhe nga Elbasani, me sfond ullishten, “Xhaminë Mbret”.
Ndër piktorët e njohur të shekullit të XX në Elbasan përmenden Zef Kolombi, Bukurosh Sejdini, piktori i parë elbasanas i cili ka realizuar tablotë “Tre Vëllezërit Frashëri”, “Çlirimi i Tiranës”, “Ismail Qemali” etj. Për të vijuar me piktorët Andon Lakuriqi, Xhemal Lufta, Sefedin Agolli, Fatbardh Marku, Sadik Kasa, si dhe skulptorët Sigfrid Mullisi, Kujtim Koprencka, Vladimir Caridha etj.
Punimet artizanale
Artizanati në Elbasan njeh fillimet e veta në shekullin XVI – XVII. Fillimisht ekonomia fshatare ishte e mbyllur, kështu që vetë gratë fshatare nisën të prodhonin duke nisur nga veshjet, shajakra të ndryshëm, qylyma, velenxa, etj. Me futjen e lirit ( bimë që mbillej në çdo shtëpi fshati, që zëvëndësonte pambukun), pasi korrej përpunohej e më pas me fijen përgatiteshin rroba të brendshme me vegje.
Një mjet tipik i teknologjisë popullore në këto shekuj, i madh prej druri, i ngritur mbi katër këmbë dhe me pjesën e nevojshme, në të cilën tendosen fijet e majës prej liri, leshu, pambuku, mëndafshi, dhe përdoret për të endur pëlhura të ndryshme dhe qilima.
Pjesët kryesore të vegjës janë dy shulat, në njërin mbështillet maja dhe në tjetrin pëlhura e punuar, lisat për të ulur e ngritur këmbyerazi fijeta e majës shpata ose krehri, për të rrahur indin, druga e boshtet e penjëve.
Me kalimin e kohës këto prodhime nisën të shiheshin edhe në tregun e Elbasanit ku zinin një vend të veçantë punimet artizanale me thurje, ornamente. Dalëngadalë përpunimi me vegje erdhi duke u përsosur dhe prodhimi i atrtizanëve nga familjarët kaloi në profesione të veçanta dhe prodhimet e këtyre artizanëve profesionistë morën udhën edhe jashtë kufijve si mallra të kërkuara.
Pëlhurat e prodhuara në qytetin e Elbasanit që në fillim shekullin e XIX ishin më në zë në të gjithë Rumelinë. Kjo zeje ishte mjaft e përphapur dhe u bë burim i rëndësishëm i të ardhurave për pupullsinë.
Shumë pëlhurë mëndafshi konsumohej për prodhimin e mbulesave të shtretërve, tavolinave, çërçafëve, sidomos për të qepur elementë të veshjes së gruas dhe burrit. Nusja qytetare përgatiste shumë veshje për pajë. Tjerrja e mëndafshit bëhej gjatë muajve të dimrit, kurse endja gjatë stinëve të ngrohta. Me këtë zeje jetonin 500 -600 shtëpi qytetare.
Kjo lloj zeje funksionoi deri në vitet 1950-të. Me futjen e pambukut u zëvëndësuan prodhimet e shajaktat dhe të lirtat, dhe tezgjahet, mbetën aty këtu në ndonjë familje në malësi. Tek tuk, për kënaqsitë e tyre personale vllehët në Elbasan, dhe shpataraket, punon në shtëpi me vegje dhe me tezgjah, velenca, apo qilima me lesh.
Në vitet 1970- 1990, me hapjen e tregjeve njerëzit u dergjën pas prodhimeve seriale të industrisë. Shumë kombinate tekstili apo NPV, ja zunë vendin prodhimeve artizanale, dhe kështu kjo lloj zeje thuajse u harrua fare.
Esnafët zhvilluan tregëtinë dhe zejtarinë në vitin 1580 të shek XVI.
Njëqind vjet pas themelimit të qytetit të elbasanit nga pushtuesit Osmanë, u vu re një zhvillim i vrullshëm i tregëtisë dhe zejtarisë në këtë qytet. Kjo u bë e mundur nga pozita e favorshme e qytetit të Elbasanit si një nyjë lidhëse ndërmjet të gjitha trevave shqiptare e veçanërisht të funksionimit të transportit përgjatë rrugës tokësore Egnatia.
Por zhvillim i tregëtisë dhe i zejtarisë do të shoqërohej edhe me reformat më të përsosura të organizimit ( korporativ) të esnafëve.
Gjurmët e hershme të organizmit esnafnor të fazës embrionale, i takojnë gjysmës së dytë të shekullit XVI. Për herë të parë në vendin tonë në vitin 1580 në qytetin e Elbasanit hasen esnafët
( tajfat) e tabakëve ( lëkurëregjësve) terzinjve, çullhave, ( leshpunuesve) takijexhinjve, fespunuesve, shpataxhinjve, gëzotarëve, etj.
I tillë ishte në vitin 1580 edhe esnafi i tregëtarëve të Elbasanit ( ehli zymreh) i kryesuar nga disa pleq që kishin krijuar prej shumë kohësh rregullat ( beslidhjet, marrëveshjet) e tyre.
Në shekullin e XVII në qytetin e Elbasanit kishte 30 esnafë, përfaqsues të 60 llojesh zejesh të ndryshme. Kronikani Turk Elvija Celebiu, që ka vizituar Vilajetet shqiptare në vitet 1660 – 1670 dhe ka lënë shënime të vlefshme historike, duke folur për zejtarët e Elbasanit shkruan ” … në këtë qytet punohej çdo mjeshtëri, por qëndistarët dhe armëtarët punojnë mjeshtëri shumë të hollë dhe me elegancë…”
Në këtë kohë në Elbasan vendin e parë e zinte esnafi i tabakëve, dhe pas tyre vinte esnafi i argjendarëve. Vetëm me përpunimin e arit e të argjendit në Elbasan ishin 100 familje që merreshin me këtë zeje. Objektet e zbulurimit si unazat, varëset, gjerdanët e sidomos armët e zjarrit të montuara prej tyre e të zbukuruara me argjënd ishin bërë të famshme në të gjithë Perandorinë Osmane.
Me anën e dispozitave ( kanun – nameve) të Statutit, rregulloheshin marrëdhëniet e shkëmbimit të prodhimeve të ndryshme, përcaktoheshin taksat, çmimet, peshat, masat. Udhëzohej tregëtia e jashtme, doganat, shitja e skllevërve, organizoheshin panairet lokale me mallrat e tyre, festat kolektive në vende piktoreske të quajtura ndryshe teferrice, si në Byshek, Manastiri i Shijonit, Kroi i Kalit . Cdo esnaf kishte dokumentacionin e vet ( kodikët) vulën, flamurin.
Esnafët unanimisht vendosnin çmime fikse dhe pesha e dimensionieve të standartizuara për mallrat e tyre në çdo vend ku tregëtonin caktonin me marrëveshje zonat e tregëtisë dhe vendet e punë s e të shitjes. Kudo mbizotëronte ndershmëria.
Termi i përdorur deri në Selanik ” Elbasan Pazar” nënkuptonte çmim të pandryshuar.
Brenda vendit esnafët luajtën një rol të rëndësishëm në çështjet organizative, ekonomike, politike shoqërore, ushtarake të vendit. Ata kishin shumë ndikim në pushtetin vendor të kontrolluar nga pushtuesit osmanë. Nuk kishte ngjarje në qytet pa pjesëmarrjen e shtresave të esnafëve të cilët ishin bërë tashmë një forcë e rëndësishme shoqërore në jetën e përditshme të qytetit.
Organizimi i esnafëve ishte i tillë : detyrimisht anëtarët ishin mjeshtra të së njëjtës zeje dhe të njejtit besim fetar. Në krye kishin një udhëheqës shpirtëror ( shejhu) dhe pas tij vinte Llonxha me 3 – 6 anëtarë që ishin zgjedhur nga elita e tyre , dhe në fund vinte anëtarësia e thjeshtë e mjeshtrave. Zgjedhja e kreut bëhej me vota, dhe vënd nderi në esnaf zinin qahjai dhe bajraktari.
Në elbasan, si me një forcë magjike, një shenjë e thjeshtë rrahja e shkopit të qahjait të Tabakëve tri herë në kalldrëm të Bezistanit, ( sheshi në mes të pazarit) shkaktonte mbylljen e dyqaneve brenda disa minutave dhe gadishmërinë luftarake e të gjithë zejtarëve të qytetit.
Interesante është se në kuadrin e shërbimit ushtarak për Perandorinë Osmane, esnafët në Elbasan ndërhynin pranë autoriteteve vendore dhe nuk lejonin që të dërgohej ushtar një djalë që ishte i martuar me një vajzë, familja e së cilës nuk kishte djalë. Kjo ishte e vlefshme panvarësisht faktit nëse rekruti ishte i krishterë apo musliman.
Elbasani sipas raportit të peshkopit Nikollë Mekajshi ( 1609) konsiderohej si kryeqendra e Shqipërisë së Mesme, dhe njëkohësisht si një qytet me popullsi të madhe dhe me lagje të shumta.
Evlija Celebiu thotë se … ” këtu priteshin edhe monedha… ” dhe i tërhequr nga natyra e vendit e quan Elbasanin … ” nuse të shqipërisë”.
Së fundi shthurja e sistemit esnafor erdhi si pasojë e sistemit teknologjik që mori hov në fund të shekullit të XVIII në vendet perëndimore të cilët duke përsosur dhe modernizuar format e prodhimit zaptuan tregjet duke tregëtuar me çmime të lira dhe cilësi më të lartë. Megjithatë, elementë të zbehtë të organizimit esnafor u ruajtën në vendin tonë deri në vigjilje të shekullit të XX.
Artizanët elbasanas, të njohur për gdhendjen e armës
Sami Frashëri duke vlerësuar armët e prodhuara në Elbasan shkruante: “brenda në këtë qytet punohen tyta pushkësh të cilat preferohen shumë nga Shqiptarët”
Qyetarët elbasanas kanë meritën e tyre pasi duke filluar nga shekulli i XVIII prodhuan me mjete artizanale por me aftësi teknike të përsosur një nga pushkët më të reja të kohës ” Hutën e Elbasanit”, armë të cilat ndodhen në Muzeun Etnografik, e cila u quajt ” huta e miletit”
Për prodhimin e saj u dalluan mjeshtrat Saliu i Xhem Katundjes dhe Dem Zabzuni.
Lidhjet tregtare dhe zejtare me tregjet dhe panairet e vendit, ku tregtimi i armëve zinte një vend të rëndësishëm si dhe eksportimi i armëve të luksit, bënë që kjo zeje të kalonte kufijtë e perandorisë Osmane.
Ky zanat i armëtarëve bazohej kryesisht në përpunimin e metaleve lidhur pjesërisht me atë të drurit. Deri në pushtimin turk, në krahinat e Elbasanit, si në pjesën më të madhe të vendit, prodhoheshin vetëm armë të bardha, si sopata, shpata, topuze, heshta, shigjeta, mburoja, si dhe veshje të jashtme metalike. Pas pushtrimit turk, dhe me futjen e armëve të zjarrit, si dhe me zhvillimin e qytetit, doli në pah profesioni i armëtarit duke u organizuar e specializuar, sidomos në krijim e esnafëve të armëtarëve.
Në shekullin e XVII përmendet Ali Harkova, nga Grabova i cili prodhonte pushkën e gjatë me çark, “karajfilen”, shumë të njohur në krahinat shqiptare”.
Prodhimet e armëtarëve në Elbasan nuk ishin vetëm armë, por edhe prodhime artistike të vërteta. Çdo pjesë e armës punohej mekanikisht me rrahje, gërryerje, gdhendje limosje, ndërsa shkrirja dhe derdhja e hekurit nuk përdorej”
Në mesin e shekullit të XIX-të përmendeshin si armëtarë të zotë Osman Dyni, Bim Biçaku, Lam Zabzuni, Mal Skera, Muç Guranjaku. Armëtarët Elbasanas përdornin armët e zjarrit në bashkëpunim me armëtarë të krahinave të tjera shqiptare, sidomos Prizrenit i cili prodhonte tytat e pushkëve dhe merrte nga Elbasani çarqet e bubat e pushkëve.
Në shekullin XIX –XX, prodhimi i armëve në Elbasan përfaqësohej nga 30 sokaqe, dhe çdo sokak kishte disa dyqane të ndara sipas zejeve dhe proçeseve të punës.
Armët e prodhuara në Elbasan njiheshin dhe pëlqeheshin jo vetëm në tregjet e Ballkanit, por ato tregtoheshin deri në Anadoll, Liban, Siri, Persi, Egjipt, Tunizi, Sudan dhe Indi.
Profesioni i armëtarit mori fund në shekullin e XX-të me vdekjen e mjeshtrit të fundit të këtij profesioni Cen Karadakut.
Kisha Ortodokse Autoqefale Shën Maria
Kisha e Shën Marisë së Kalasë së qytetit të Elbasanit u ndërtua në fillim të shekullit të XVII rreth vitit 1830 nga komuniteti Kristian i Elbasanit mbi themelet e një kishe më të vjetër e ndërtuar në varrezat e komunitetit kristian të kalasë.
Kisha Shën Maria është një nga vlerat etnokulturore e arkitekturore të rralla në rajonin e Elbasanit. Kjo kishë zëvëndësoi katedralen e stilit roman që mendohet të ketë egzistuar në vendin ku sot ndodhet xhamia Mbret në qendër të lagjes “Kala”.
Kisha e “Shën Marisë” është një ndërtim arkitekturor i stilit të vonë bizantin ndërtuar me gurë të gdhendur nga mjeshtrit dibran. Ajo ka shërbyer jo vetëm si objekt kulti, por edhe si një vatër e atdhetarisë. Rreth kësaj kishe kanë ushtruar veprimtarinë për shkrimin e gjuhës shqipe dhe deklarimin e psalmeve në gjuhën shqipe që nga Dhaskal Todri, Teodor Haxhifilipi, Konstandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, etj.
Ndërtesa pranë Kishës shërbeu si shkolla e parë shqipe në Elbasan në vitin 1908. Nga burimet historike të gjitha ndërtimet brenda mureve të kalasë tregojnë se në territorin e brendshëm të kalave janë ndërtuar tunele me skema të caktuara që shërbenin për shërbime të rëndësishme.Në brendësi të kishës ” Shën Maria” janë ndërtuar katokombet ku janë vendosur trupat e të vdekurve, dhe drejtimi i kanaleve të brendshëm të saj dalin poshtë qytetit, jashtë në male, ku strehoheshin patriotë shqiptarë të cilët ndiqeshin nga pushtuesit turq. Aktualisht kisha përfaqësohet nga famulltari At Nikolla Marku.
Kjo kishë e rihapur fill pas ardhjes së viteve të demokracisë, bëri që një grup besimtarësh ortodoksë me bekimin e famullitarit më të vjetër të mbetur gjallë të saj, At Spiro Velin, të hapë dyert për besimtarët e kësaj lagje “Kala” e më gjerë për t’u dhënë atyre bekimin e Zotit në shërbim të Shqipërisë. Vendndodhja e kësaj kishe është në zemër të kalasë dhe në mesin e Elbasanit, por edhe të Shqipërisë.
Në vitin 458 pas Krishtit, qyteti Elbasanit, i quajtur Skampini, bëhet qendër peshkopate dhe në këtë kohë qyteti i Skampinit ka patur një katedrale në qendër të lagjes Kala, si dhe një tjetër në jugperëndim të Kalasë. Në arkivat e Vatikanit janë gjetur dy letra drejtuar Papës së Romës, ku bëhet fjalë për mikëpritjen e banorëve të Skampinit për të dërguarit e Papës në këtë qytet.
Më 11nëntor 1819 kisha u dogj plotësishtë dhe në periudhën 1826 u filluan dhe në 1833 përfunduan punimet për rindërtimin e saj. Duhet thënë se si ndërtim planimetrie ka interes të vihen në dukje disa veçori, ku në plan të dukshëm bie në sy një sallë qëndrore që është tipike, e mbuluar me kupolë mbi tampur, kapele që mbështetet në harqet e mureve anësorë. Kisha është rindërtuar me gurë të skalitur. Arktitektura e veçantë me blloqe guri të gdhendur me trashësi 1.2 metra, është ndërtuar me rreze dhe kënd që t’i rezistojë çdo fenomeni. Pikturat të tipit afreske të kësaj kishe flasin për vlerat arkitekturore dhe etnokulturore. Çdo gjë në këtë Ikonostas është realizuar me një mendim artistik që e bëjnë atë tërheqës, po aq sa të çuditshme për aftësinë e përdorur deri në detajet më të vogla që të magjepsin dhe që janë të lyera me llak ngjyrë floriri. Afreskët janë punuar nga David Selenica dhe Kostadin Shelcani, si dhe disa janë punuar nga Onufri.
Kjo kishë shquhet edhe për vlera arkitekturore, ku kultura Bizantine e aplikuar është e shprehur dhe me një bazilikë mesjetare të veçantë të punuar nga duart dhe mendja e shqiptarëve që kanë punuar në të me mjeshtërinë e njohurive të kohës. Janë këto vlera që e bëjnë këtë kishë një qendër jo vetëm të autoktonisë shqiptare të kulturës religjoze, por edhe një qendër të frekuentimit nga klerikë dhe besimtarë, nga vizitorë dhe personalitete.
Në këtë kishë kanë ligjëruar në mesha liturgji ortodokse udhëheqës fetarë të njohur e të mirënjohur si Famullitari Fan Noli, At Vissarian Xhuvani e të tjerë.
Sipas burimeve historike në vitin 1819, kur u dogj pjesa e brendshme e saj, thuhet se kjo shkaktoi një dhembje të thellë tek besimtarët ortodoksë të Elbasanit, por njëkohësisht edhe te populli i Elbasanit që në shumicë ishte i fesë muslimane dhe, me një thirrje të përbashkët, u mblodhën bizhuteri të vyera dhe parà që u ndërtua Ikonostasi dhe pjesa e djegur
Kisha “Shën Mëria” e Kalasë së Elbasanit renditet krah kishave të tjera ortodokse të trevës së Elbasanit që nga shekulli XVII e deri në XIX, që janë edhe monumente të vyera të një kombi si : kisha e Mamëlit shek..XVII, kisha “Shën Kollit” Shelcan e viti 1554, kisha “Shën Kollit” e Valëshit e viti 1604, kisha “Shën Kozmait” dhe “Damianoit” në Stërstan e shek. XVIII, kisha “Shën Mëhillit” në Shalës e shek. XVII, kisha e “Shën Mërisë” në Dragot e shek. XVII, kisha “Shën Kollit” Elbasan e shek. XVII, kisha “Shën Thanasit” në Elbasan e vitit 1554. në këtë mënyrë të gjithë këto kisha ishin edhe Ortodokse, edhe Autoqefale, por edhe Kombëtare, ashtu si edhe Shqiptare, vula e së cilës u vu që nga Kuvendi i Beratit më 12 shtator 1922.
11 Nëntori, dita e çlirimit
Akt i popullit të Elbasanit e krahinave të tij, ishte pavarësia e qytetittë Elbasanit, i cili ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli pavarësinë në 25 Nëntor të vitit 1912. Ky akt dëshmonte se ushtritë pushtuese viheshin përpara një fakti të kryer dhe se nuk duhet të shkelnin në trojet e shtetit të pavarur shqiptar. Në telegramin që populli i Elbasanit i dërgon në Vlorë Ismail Qemalit për ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë janë shumë firmëtarë, patriotë të qytetit e krahinave përreth.
Qyteti i Elbasanit u çlirua nga pushtuesit nazistë Gjermanë më 11 Nëntor të vitit 1944.
Për çlirimin e qytetit u angazhuan forcat partizane të brigadës së XV – të. Gjatë luftimeve për çlirimin e qytetit nga rradhët e saj dhanë jetën 23 partizanë. Gjatë luftës së Dytë Botërore qyteti pësoi dëme të mëdha materiale dhe ekonomike si dhe humbje në njerëz. Gjatë kësaj kohe u dogjën krejtësisht 1263 shtëpi, dhe mbi 300 veta dhanë jetën gjatë viteve të luftës Antifashiste Nacional Clirimtare. Vetëm nga rradhët e normalistëve ranë në luftën për çlirim mbi 70 dëshmorë. Shumë të tjerë u vranë, internuan apo u torturuan, në burgjet, kampet e përqëndrimit të pushtuesit fashist apo nga lufta e brendshme vëllavrasëse.
Roli që luajti Elbasani për alfabetin e gjuhës shqipe
Elbasani për shumë dekada u bë një qendër e rëndësishme arsimore e kulturore, që me patriotët, atdhetarët e veprimtarët e tij të shquar si Konstandin Kristoforidhi, Aqif Pashë Elbasani, Lef Nosi, Aleksandër Xhuvani e shumë të tjerë luajtën rolin e një drejtuesi të vërtetë në lëvizjen arsimore e kulturore kombëtare.
Duke u bazuar në këtë kredo Klubi ” Bashkimi” i Elbasanit i drejtohet zyrtarisht Klubit
” Bashkimi” të Manastirit, më datë 21 shtator 1908 se ” ….. do t’ishte shumë ma e mirë, e shumë ma e drejtë, e arsyeshme që kjo mbledhje e përgjithshme të bahet në nji vend qëndrorë, me fjalë të tjera në kërthizë të shqipërisë…., të mbështillen nga të katër anët e atdheut burrat e kombit që do të marrin përsipër një punë kaq të shejtënueshme….”
Shkurt, dëshira e patriotëve elbasanas qe që ky kongres të mbahej në Elbasan, por që shkaqe të ndryshme, më shumë politike, kjo gjë nuk u realizua. Ajo do të bëhet realitet në Elbasan, një vit më vonë ( 1909). Në korespondencën zyrtare midis këtyre dy klubeve, Simon Shuteriqi në emër të klubit ” Bashkimi” të Elbasanit, do ti sygjeroi klubit ” Bashkimi” të Manastirit, që gjatë punimeve të kongresit të mundësohet që në bazë të saj gjuha shqipe të ketë një dialekt të përbashkët për të gjithë shqiptarët. ” që të njifet prej të gjithë shqipfolësve…. e cila futet nëpër të gjithë mësojtoret shqipe që do të cilen në shqipni… të cilën do ta përdorin edhe gazetat..”
Ideja e tij është që elbasanishtja të shërbejë si bazë për gjuhën shqipe.
Delegatët që morën pjesë në Kongresin e Manastirit
Më 2 nëntor të vitit 1908 këshilli drejtues i Klubit ” Bashkimi”, zyrtarisht vendosi që si përfaqësues të tij delegatë në kongres të ishin, Taq Buda, Simon Shuteriqi, dhe Kamber Sejdini. Taq Buda qe intelektual i njohur në rrethet patriotike dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare, ndërsa, Simon Shuteriqi mësues e gjuhëtar autor i disa artikujve, studimeve e botimeve dhe me një formim të mirë filologjik. Ishte për krijimin e gjuhës letrare shqipe, mbi bazën e gegërishtes jugore, elbasanishtes. Kamber Sejdini, i njohur si ushtarak karriere që ishte një nga anëtarët më aktivë të komitetit të Manastirit dhe mësuesi gjuhës frënge. Në dokumetet dhe relacionet e kohës jepen të botuara listat e delegatëve, për të cilat ka probleme të diskutueshme. Në një relacion të Gjergj Qiriazit jepet lista e delegatëve ku si delegatë të Elbasanit renditen: Dhmitër Buda, Simon Shuteriqi, Kamber Efendi Elbasani ( Kamber Sejdini) si dhe Lef Nosi.
Ndërsa në një relacion të kryekonsullatës Austro – Hungareze në Shkodër, dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme në Vjenë, për delegatët e Kongresit jepet një listë e delegatëve me të drejtë vote dhe një listë e pjesëtarëve pa të drejtë vote. Me të drejtë vote: Dhimitër Buda, i cili u zgjodh edhe si anëtar në komisionin e votimit të hartimit të alfabetit, si dhe Simon Shuteriqi.
Pa të drejtë vote Kamber Sejdini dhe Lef Nosi.
Shkolla Normale
Hapja e shkollës ‘Normale’ u vendos nga Kongresi i Elbasanit, i mbajtur në gusht të vitit 1909 dhe në 1 dhjetor të po atij viti ajo çeli dyert për mbi 100 nxënës nga gjithë trevat shqiptare. Fillimet e ‘jetës’ së saj nuk ishin aq të lehta. Normalja pati një jetë të trazuar. Disa herë u morën masa për mbylljen e ‘Normales’, ndërsa u tentua dy herë shpërngulja e saj nga Elbasani. Falë popullit arsimdashës të këtij rajoni një gjë e tillë nuk u bë asnjëherë realitet.
Pedagogët shqiptarë të angazhuar në këtë shkollë ditën të shfrytëzonin arritjet intelektuale të sferës së arsimit, pedagogjisë, psikologjisë dhe të shkencave të tjera të zbatuara. Përmenden këtu Luigj Gurakuqi, drejtori i parë i Normales, emrin e të cilit mban sot pasardhësja e saj, Shkolla e Mesme Pedagogjike në Elbasan, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Petër Dodbiba, Dhmitër Paparisto, Hysen Blloshmi, etj. ‘Normalja’ pati jehonë brenda dhe jashtë vendit. Shtypi i kohës e cilësonte shkollë e lartë. Dhe në të vërtetë ‘Normalja’ mbetet institucioni i parë për shumë dekada që përgatiti mësues në mbarë hapësirën shqiptare, me ndikim të gjerë në shtresat e popullsisë.
Shkolla ‘Normale’, e njohur si rrezatimi i dritës së diturisë shqiptare, nisi të funksionojë në ndërtesën e Servet Bej Zylfit, në Elbasan dhe që në hapat e para u dallua për misionin historik kombëtar dhe arsimor.
Në datën 1 dhjetor të vitit 1909 në bankat e shkollës u ulën 111 nxënës dhe pas 2 muajsh ky numër arriti në 140 nxënës, 70 prej të cilëve ishin nga Kosova, dërguar nga Hasan Prishtina.
Aty mësohej matematikë, numëratore, gjeometri, algjebër, trigonometri, astronomi, mekanikë, fizikë, kimi, histori natyrore, anatomi, fiziologji, zoologji, botanikë, gjeologji, mineralogji, gjuhë shqipe, shkronjtore, sintaksë, literaturë, retorikë, poetikë, turqisht, frëngjisht, anglisht, greqisht, etj.
Viti i parë mësimor u mbyll me sukses në vitin 1910 dhe nxënësit iu nënshtruan një sërë provimesh si në gjuhën shqipe, turqisht, matematikë, fizikë e kimi. Ndër nxënësit e parë të shkollës ishin Emin Matraxhiu, Abedin Çaushi.
Fill, pas përfundimit të vitit të parë, ‘Normlja’ u mbyll, si pasojë e agresionit të Shevqet Turgut Pashës. Përpjekjet e patriotëve shqiptarë do ta rihapnin sërish këtë shkollë në shkurt të vitit 1912, në mjediset e shtëpisë së Qemal Karaosmanit. Shkolla kishte tre klasë dhe rreth 80 nxënës me një personel prej katër vetësh. Viti shkollor u mbyll aty nën drejtimin e drejtorit Aleksandër Xhuvani.
Më pas shkolla u mbyll sërish për shkak të periudhës së luftës dhe u rihap në 22 nëntor të vitit 1918. Në vitin mësimor 1925-1926 shkolla punoi me programe të reja dhe në të u diplomuan 31 normalistë. Ministria e Arsimit në atë kohë përfshiu në programin e saj dhe gjuhët italisht dhe latinisht.
Shkolla e Kalasë
E cilësuar si shkolla e kishës, vetëm pse ndodhet pranë kishës “Shën Maria” të Kalasë dhe në vendin ku është varrosur babai i gjuhës Shqipe Kostandin Kristoforidhi, kjo godinë historike është ndërtuar me kontributet e vetë besimtarëve të lagjes Kala në vitin 1736. Në dokumentin bazë nga shënimet e zgjedhura për historinë e Shqipërisë shkruhet se “fillojmë me emrin e Zotit të shenjtë dhe po shkruajmë për kujtim për pasardhësit se, me ndihmën e Zotit, të krishterët mëshironjës të Neokastrit dhuruam aspra për të bërë shkollë të re dhe tepricat e asprave t’i jepen mësuesit që do të jetë. Këto kapitale do të jenë të palëvizshme dhe do të jenë të kishës. Ata që i dhuruan do të përkujtohen të dielën e parë të kreshmës për shpëtimin e shpirtit dhe kujtim të përjetshëm”. Bëhet fjalë për rreth 35 mijë aspra që sollën në jetë këtë shkollë që do të bëhej shenja e diturisë dhe e ardhmërisë kombëtare.
Shërbesat e shkollës.
Duke iu referuar historisë sonë kombëtare të arsimit bëhet e ditur se godina ka shërbyer gjithmonë si shkollë për mësimin e bijëve të qytetit, të krishterë e muslimanë.
Pikërisht në këtë godinë u mbajt kongresi i arsimit që njihet si “Kongresi i Elbasanit” nga 2-9 shtatori 1909 që më pas, më 1 dhjetor 1909, do të ishte edhe godina e shkollës së parë me emrin “Normale” e njohur tashmë si universiteti i parë shqiptar.
Pikërisht në këtë godinë do të hapej më pas më 1922 edhe shkolla Ushtrimore, laboratori i shkollës Normale që do të përgatiste mësuesit e ardhshëm të arsimit tonë mbarëkombëtar.
Në këtë godinë të shkollës, që ndodhet pranë kishës drejtori i parë i Ushtrimores Sulejman Harri do të bëhej një personalitet i pashlyer nga kujtesa e nxënësve dhe mësuesve së bashku me Ahmet Duhanxhiun, Karlo Ljarja, Ahmet Gashin dhe Fadil Gurmanin.
Shkolla e kalasë është ndërtuar për qëllime arsimore në vitin 1736, dhe është e para vepër filantropike për shërbime publike që ngrihet në Elbasan nga vetë qytetarët e qytetit dhe që do të pasohej më pas nga vepra të tjera publike dhe arsimore që do të ndërtoheshin me paratë e vetë iniciatorëve. Në kohën e diktaturës komuniste kjo godinë ka shërbyer edhe si shkollë, por edhe si muze arsimi dhe asnjëherë nuk ka qenë ndërruar destinacioni. Pas vitit 1945 kjo godinë u kthye në shkollë 8 -të vjeçare ku edhe mori emrin e lëvruesit të gjuhës shqipe Kostandin Kristoforidhi.
E ruajtur mirë nga banorët e lagjes “Kala”, e mirëmbajtur nga vetë famulltari At Nikolla Marku, sot kjo shkollë e pagëzuar me emrin “Zëra jete” është kthyer në një ambjent shkollor për fëmijët me prapambetje mendore, për t’i ndihmuar të integrohen në shoqëri.
Banda Frymore ” Afërdita”
Banda Frymore “Afërdita” u themelua në vitin 1917. Me të janë lidhur përpjekjet e para për krijimin e një repertori të kultivuar kombëtar, me pjesë si “Marshi i Elbasanit” si dhe ” Afërdita”.
Orkestra ishte një formacion i rregullt. Ajo jepte herë pas here koncerte publike. Në pragun e ditës së 28 nëntorit të vitit 1917 banda frymore ” Afërdita” shpërndante në rrugët e qytetit tingujt e këngës patriotike.
Çast historik në jetën e bandës frymore “Afërdita” ishte pjesëmarrja në kremtimin e çlirimit të Vlorës nga pushtuesit italianë”.
Pas një udhëtimi prej tre ditësh në këmbë më 3 shtator të vitit 1920 ajo vihet në krye të luftëtarëve dhe hyn në Vlorë e çliruar.
Në në vitin 1917 banda frymore ” Afërdita” do të jepte koncertin e saj të parë cilësor në publik. Në realizimin e koncertin kotribuan nxënës, mësues të shkollës “Normale”, si edhe mbështetja financiare e qytetarëve elbasnaans të cilët mblodhën shumën e nevojshme të parave, e më pas ia dërguan në Vjenë Dhimitër Papajanit (veprimtar i arsimit).
Ky i fundit solli kompleksin e plotë të një formacioni bande, por edhe të gjetjes së mjeshtrit të orkestrës, austriakun Anton Cimfl, i cili ndodhej në Elbasan që një vit më parë në përbërje të trupave ushtarake austro – hungareze”.
Më pas rol përcaktues në rrugëtimin e bandës do të luante mësuesi Ahmet Gashi, i cili do ta udhëheqë këtë formacion të brishtë në shumë ngjarje të historisë së qytetit të Elbasanit.
Në prag të vitit 1920 banda frymore e rriti shumë cilësinë e saj. Repertori i bandës do të ishin këngët patriotike, popullore, forma të suitave, apo potpurive me motive popullore si dhe një sërë marshesh nga repertori europian dhe ballkanas.
Pjesëtarët e parë të kësaj bande si: Faik Gurman15 vjeç, Ymer Saraçi 14 vjeç, Shqyqyri Demiri 14 vjeç etj, studjuan në Austri në fusha të ndryshme si mjekësi, inxhinjeri, si edhe për vegla muzikore si flaut, trompë etj.
Në këtë nisje të bandës ” Afërdita” një rol të rëndësishëm luajtën dhe intelektualë të tillë si Thanas Floqi, i cili në vitin 1913 krahas obligmeve të tjera si mësues në shkollën ” Normale” krijon një sërë krijimesh vokale, por edhe për bandën frymore ” Afërdita”.
Gjithashtu Filip Papajani jep kontributin e tij me krijimin “Elbasan, qytet me famë”. Në vitet 1930 nën drejtimin e Sokol Paparistos repertori i bandës do të pasurohet me veprat violinistike, të cilët do të zejnë një vend të rëndësishëm në bandë. Po gjatë këtij viti, banda pati një ndërprerje, dhe pas çlirimit në vitin 1944 banda do të drejtohet nga Sulejman Gjevori, i cili vuri në baza profesionale punën në këtë formacion duke rritur dhe një brez të ri muzikantësh.
Pas Sulejman Gjevorit në vazhdimësi me bandën e qytetit punuan, Mit’hat Stringa, Alfonc Balliçi, Sulejman Baltëza, Blerim Narazani, Emin Palluqi, Josif e Leonard Shuteriqi, Hamit Kusi, Ndriçim Behluli”.
Biblioteka publike” Qemal Baholli”
Biblioteka publike “Qemal Baholli” është institucioni bibliotekar kryesor i komunitetit dhe një qendër e rëndësishme studimore e kërkimit shkencor.
Biblioteka publike “Qemal Baholli” është një vepër bamirësie e Nazif Bahollit ish pronar i njohur i qytetit të Elbasanit në vitin 1930.
Një nga djemtë e tij Qemali ish nxënës në liceun e Korçës, humbi jetën në moshë të re. Në përkujtim të të birit, Nazifi si patriot me ide përparimtare, pati idenë të ngrinte në Elbasan një vepër kulturore, bibliotekë publike, duke e pagëzuar me emrin e të birit Qemal Baholli.
Asokohe Nazifi bleu nga bashkia një truall ku më pas do të ngrihej godina, me një shumë prej 800 napolona ari. Lejen nga Ministria e Arsimit e dha vetë ministri i asokohe Mirash Ivanaj, duke e çmuar e falenderuar xhestin fisnik të dy djemve të tjerë të Nazifit të cilët pas vdekjes së të atit vijuan veprën e lënë përgjysëm. Mbas një periudhe rreth 2 vjeçare ndërtesa me një mjedis të jashtëm të gjelbëruar ishte gati.
Festa e përurimit u organizua në vitin 1953 dhe Biblioteka “Qemal Baholli” ju dorëzua bashkisë duke u bërë një institucion publik në shërbim të zhvillimit kulturor të Elbasanit. Aktualisht kjo bibliotekë së bashku me muzetë e qytetit është një trashëgimi kulturore e qytetit të Elbasanit. Vëllezërit Baholli vunë në dispozicion edhe 2000 franga ari për blerje librash. Libra dhuruan edhe intelektualë të ndryshëm të qytetit, ambasada të huaja në vendin tonë, dhe veçanërisht Oborri Mbretëror. Në fondet e saj fillimisht u futën 1000 vëllime.
Krahas pasurimit me libra, biblioteka rriste çdo ditë shërbimin ndaj lexuesve të qytetit dhe numurin e aktiviteteve të saj. Me ambjente e kushte të përshtatshme, lexuesit kërkuan më shumë kohëzgjatje në bibliotekë për lexim. Më pas në këtë bibliotekë u vendosën edhe objekte muzeale në një sallë të vecantë të fondit dhe mbas vitit 1936, si institucion u emërua “Biblioteka dhe Muzeu Qemal Baholli”
Drejtori i parë ishte intelektuali Ibrahim Laçi, i cili krijoi edhe një këshill apo siç quhej në atë kohë komisioni i bibliotekës, me kryesinë e përbërë nga Lef Nosi, Beqir Rusi, Tasim Mufiu etj. Këshilli siguronte të ardhura me ndihma e donatorë të ndryshëm intelektualë të spikatur shqiptarë, brenda e jashtë vendit.
Mbas vitit 1945 fondi i saj u pasurua me bibliotekën albanologjike e ballkanollogjike, pronë e Lef Nosit ( intelekual, atdhetar, politikan e studjues).
Biblioteka shquhet jo vetëm për veprat e rralla por edhe për koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para luftës II Botërore, ajo numëron rreth 200 000 libra e koleksione periodiku, në gjuhën shqipe e të huaj.
Aktivitetet e saj janë bazuar në Ligjin e Bibliotekave të Shqipërisë, aprovuar nga Parlamenti në vitin 2000. Biblioteka ka statusin e një institucioni kulturor të rëndësishëm që varet nga pushteti lokal. Detyra e saj është të koleksionojë dhe të ruajë trashëgimninë kulturore të shkruajtur të popullit shqiptar.
Për ruajtjen e gazetave të vjetra që janë një thesar i vjetër është krijuar një sallë speciale për studjuesit, gjithashtu në ambjentet e bibliotekës ka edhe një sallë leximi shkencor për literaturën albano – balkanologjike dhe kjo për ruajtjen e vlerave të rralla.
Biblioteka ka shumë dhurata por edhe ka blerë shumë libra, me autorë elbasanas, si dhe kanë dhuruar libra të shkruara në Frengjisht dhuruar nga Ambasada Franceze, nga Ambasada Amerikane.
Në fillim të shkullit XXI Biblioteka mban ende emrin ” Qemal Baholli”.
Rradhitet ndër bibliotekat më të pasura të vendit për nga pasuria që zotëron, e kthyer tashmë edhe me sistem dixhitalizimi.
AQIF PASHË BIÇAKÇIU ( Elbasani)
Aqif Pashë Biçakçiu (Elbasani), njeriu i pajisur me dije, kulturë e shpirt liridashës është patrioti i parë që ngriti në 25 nentor 1912 të parin flamur të Pavarësisë në Elbasan e Shqipëri.
Si një nga figurat më në zë të luftës për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet kombëtar, veprimtaria e tij politike atdhetare e shtetërore, spikati gjatë lëvizjes kombëtare shqiptare kur u shpall pavarësia dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar. Aqif pashë Bicakciu u shqua në periudhat më kritike të lëvizjes politike kombëtare, në vitet e ndërlikuara të Luftës së Parë Botërore e pas saj, në Kongresin e Lushnjës dhe në përpjekjet për konsolidimin e demokratizimin e shtetit shqiptar.
Aqif Pashë Elbasani, ndihmoi kryengritjen e përgjithshme antiosmane në vitin 1912 dhe në organizmin e çetës së Elbasanit, njihet si bashkëpunëtori më i ngushtë i Ismail Qemalit gjatë Shpalljes së Pavarësisë dhe në mbështetjen e plotë që i dha qeverisë së tij.
Ai bashkë me popullin e Elbasanit dhe me mbështetjen e Ismail Qemalit ngritën flamurin kombëtar më 25 nëntor të vitit 1912, shpallën të parët pavarësinë duke i treguar ushtrisë Serbe, që po i afrohej Elbasanit se kishte shkelur në vise të Shqipërisë së Pavarur.
Për veprimtarinë e gjithanshme atdhetare të Aqif Pashës, vetë Ismail Qemali i shkruante: “Në këtë kohë transformimi, historia do të dallojë patriotin nga tradhëtari dhe do t’i caktojë secilit vendin e tij… Se ç’vend do të kem unë në histori këtë nuk e di. Sa për ju, emri juaj i shkëlqyer si patriot do te mbetet i shkruar në faqet e ndritura të historisë sonë…”.
Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ushtritë Austro-Hungareze hynë në Shqipëri, Aqif Pasha shpejtoi të ngrinte administratën shtetërore vidiste në Shqipërinë e Mesme për t’i treguar shteteve ndërluftuese se Shqipëria ishte shtet asnjanës, i garantuar prej tyre. Ai mbante korrespondencë të vazhdueshme me patriotë si Hoxha Kadriun, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, etj.
Aqif Pashë Elbasani e vlerësonte lart Kongresin e Lushnjes, duke menduarse “në këtë kongres u përfaqësuan nga tërë krahinat e Shqipërisë aristrokratë, njerëz fetarë dhe popullore. Asnjëherë populli nuk ka qënë i bashkuar si sot me dëshirën e patundur që kufinjtë tanë të përfshijnë tërë viset ku rrojnë shqiptarët”.
Më 20 mars 1920, patrioti Aqif Pasha e ftonte Fan Nolin dhe shqiptarët e Amerikës të bashkëpunonin për Shqipërinë. Ai u rreshtua në krahun liberaldemokrat dhe kur forcat e djadhta e konservatore forcuan pozitat e tyre në organet shtetërore, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria drejt Vjenës, ku krijoi Partinë Kombëtare, dhe më 4 maj të vitit 1923, shpalosi programin e partisë me bindje liberaldemokrate. Në programin e kësaj partie shtrohej idea e pluralizmit politik parlamentar, për një shtet juridik ku të zotëronte ligji si dhe domosdoshmëria e bashkimit të të gjithë shqiptarëve. Pas zgjedhjeve të Asamblesë Kushtetuese të dhjetorit 1923 Aqif Pashë Elbasani kthehet në Shqipëri dhe merr pjesë në Asamble si deputet i Korçës. Vdiq në 20 shkurt 1926, i përcjellë me shumë nderime nga i gjithë populli iElbasanit”.
ALEKSANDËR XHUVANI
Aleksandër Xhuvani është një nga figurat më të nderuara të kulturës shqiptare, gjuhësisë dhe arsimit shqiptar, profesor Mësues i Popullit.
Por ashtu si çdo mendimtar i shquar i asaj kohe, ai ishte gjithashtu dhe veprimtar i njohur Veprimtaria e tij nisi ne periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe arriti zhvillimin më të madh pas çlirimit. Xhuvani ka lindur në vitin 1880 dhe studimet e larta filologjike i kreu ne Universitetin e Athinës në vitet 1902 – 1906. Dha mësim në shkollën e parë të mesme kombëtare, në “Normalen” e Elbasanit (dhjetor 1909). Aleksandër Xhuvani kreu një punë të madhe e shumë të vlefshme për krijimin e pasurimin e letërsisë mësimore, pajisi shkollën me një sërë tekstesh, të gjuhës, letërsisë, të shkrimeve pedagogjike etj. Ai luftoi për një shkollë kombëtare e laike, për përmirësimin e vijueshëm dhe ngritjen e mëtejshme të saj. Mbas mbylljes së shkollës, shkon në Kajro të Egjiptit, më pas në Aleksandri, dhe pas shpalljes së pavarësisë rikthehet sërisht në Shqipëri dhe me rihapjen e Normales, punon si drejtor i kësaj shkolle në vitin shkollor 1913 – 1914.
Në vitin 1918 bëhet nismëtar i krijimit në Elbasan të shoqërisë kulturore letrare me emrin “Qarku Letrar i Elbasanit” Më pas në vitet 1920 – 1922 punoi në Ministrinë e Arsimit në Këshillin e Epërm Arsimor, dhe më pas sërisht nga viti 1922 – 1929 drejtor i shkollës Normale.
Veprimtari e tij në fushën e arsimit dhe gjuhësisë
Pas çlirimit, Aleksandri dha një ndihmesë të rëndësishme për zhvillimin e arsimit (1946-1951), për organizimin e drejtimin e jetës shkencore si drejtues i seksionit te Gjuhës e të Letërsisë të Institutit të Studimeve të quajtur më vonë Instituti i Shkencave (janar 1947- shtator 1953) si dhe anëtar i presidumit të tij (1947-1957).
Krahas arsimit, fushë themelore e veprimtarisë së tij, ishte gjuhësia. Shtjelloi një veprimtari sistematike, të shumanshme, të gjerë e të frytshme si lëvrues e studiues i gjuhës shqipe. Puna e tij shkencore u karakterizua nga një veshtrim i qartë e objektiv i çështjeve, nga një njohje e gjerë e gjuhës shqipe, e strukturës gramatikore dhe leksikore të saj, nga lufta këmbëngulëse për një gjuhë shqipe sa më të pastër, të pasur e të paqortueshme, për tëngritur gjithnjë e më lart përpunimin e gjuhës letrare. Në një artikull në revistën “Albania” të Konicës, në vitin 1905 Xhuvani shkruante se “gjuha e vetme letrare duhet të ketë bazat në dialektin e toskërishtes”. Atëherë ishte koha kur gjuha shqipe ishte në rrezik, dhe grekët e serbët nxitonin që të hapnin shkolla të huaja në tokat shqiptare.
Shkrimet e tij kishin problematikën e kohës, gjuhën shqipe, shkollën, e arsimin kombëtar. Ai punoi me sukses në fusha të ndryshme të gjuhësisë dhe pati ndikim të rëndësishëm në fushën e leksikografisë, leksikologjisë si dhe për studimin historik të gjuhës.
Drejtoi hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimore që zgjeruan gjithnjë e më shumë rrethin e çështjeve që gjetën rrugën për njehsimin e plotë të drejtshkrimeve të gjuhës shqipe më vonë.
Aleksandër Xhuvani gjatë të gjithë jetës bëri luftë këmbëngulëse për pastërtinë e gjuhës shqipe, për pasurimin e saj në bazë të veçorive e të ligjeve që e karakterizojë. Në vitin 1956 botoi posaçerisht librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”.
Ishte ndër studjuesit e parë të fjalëformimit, të morfologjisë e sintaksës. Hartoi punime e studime për kategori e çështje të ndryshme të gramatikes. Në abashkëpunim me Eqrem Çabej hartoi dy trajtesat “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962), të cilët karakterizohen nga vështrimi i gjerë, sinkronik e diakronik, nga pasuria e madhe e të dhënave, e vëzhgimeve dhe e mendimeve që pasqyrojnë njohuritë e thella të Xhuvanit për leksikun e gjuhës shqipe e sidomos leksikun popullor.
Ishte njohësi më i mirë i visarit leksikor të gjuhës shqipe.
Ai dha një ndihmesë të vlefshme edhe për “Fjalorin e gjuhes shqipe” (1954).
Një ndihmesë i ka dhënë leksikologjisë shqipe dhe teorisë e praktikës së leksikografisë sonë me shkrime e punime të ndryshme me artikuj e reçensione, ndër të cilat mund të permenden “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” (1934) “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipëtare”(1957).
Një ndihmesë të vyer u solli ai studimeve për letërsinë e sidomos për letërsinë e vjetër dhe arbëreshe me tekstet, antologjitë, artikujt e reçensionet që botoi.
Aleksander Xhuvani punoi tërë jetën me dashuri e këmbëngulje për mëkembjen e përparimin e arsimit kombëtar, për lëvrimin e gjuhës shqipe, për kulturën shqiptare. Ai vazhdoi të mbetet një figurë e rëndësishme edhe më pas duke u zgjedhur anëtar i Asamblesë Kushtetuese (dhjetor 1945), më tej deputet i Kuvendit Popullor në një sërë legjislaturash, dhe deri në fund të jetes ai ishte nënkryetar i presidiumit të Kuvendit Popullor gjatë regjimit komunist.
Ai u nda nga jeta ne vitin 1961 dhe 19 vite më pas, pra me 1980, u botua vëllimi i parëi Veprave të Aleksander Xhuvanit me 6-të vëllime, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave. Ky libër është një nga literaturat më të vlefshme për këdo që merret me studimin e gjuhës shqipe.
ShtëpiaXhuvanit, shtëpi muze
Në rrugën e njohur nga të gjithë elbasanasit ” Rruga e Jasharit”, apo në lagjen
“Kala” ndodhet një shtëpi e cila edhe pse më shumë se një shekullore, të jep përshtypjen e një vile por të pabanuar.
E rrethuar me një kopësht plot me lule, për shumë vite në këtë vilë ka lindur e jetuar i madhi personalitet i gjuhës dhe arsimit shqiptar, Aleksandër Xhuvani, ku sot emrin e tij e mban Universiteti i Elbasanit. Për cilindo që kalon në këtë rrugë, të bie në sy kjo vilë sa e vogël nga jashtë por aq e madhe nga brenda.
Dritaret ty mbyllura me grila druri, fshihnin brenda dhomave një arkiv të madh me shkrime, të personalitetit, dhe mësuesit të popullit, të cilat prej më shumë se 26 vitesh ruheshin me besnikëri, nga një qytetar i punësuar nga Bashkia e Elbasanit.
Në kohën e diktaturës shtëpia e lindjes së Aleksandër Xhuvani u kthye në muze, ajo u përshtat dhe u kthye në muze, dhe përbëhet nga disa mjedise, studjoja e punës së Aleksandër Xhuvanit, (sot një arkivë) ku pasqyrohet në letra dhe foto jeta dhe aktiviteti i tij ,dhoma e zjarrit, dhoma e fëmijëve, dhoma e pritjes dhe dhoma e gjumit.
Në vitin 1991, kur Nënë Tereza vizitoi Shqipërinë, nuk la pa vizituar edhe shtëpinë e personalitetit të figurës së shquar të kulturës kombëtare, mësuesit të popullit Aleksandër Xhuvani. Po kështu edhe me mijëra turistë ndër vite kanë vizituar këtë shtëpi, e cila është ndërtuar para viteve 1880.
Gjatë viteve 1991 e deri më tani, shumë pak investime janë kryer në këtë vilë, e cila thuajse në të shumtën e kohës rri e mbyllur.
ELBASANI, MIKPRITËS I HEBRENJVE
Gjatë Luftës së Dytë Botërore ndjekur nga inkuizicioni spanjoll e francez, si në mbarë shqipërinë, edhe në qytetin e Elbasanit dhe rrethinat e tij, u strehuan shumë familje hebreje. Këto të fundit u mbrojtën duke i shpëtuar shfarosjes nga disa familje elbasnase. Historiani Kujtim Bevapi shprehet se ” hebrenjtë merreshin kryesisht me tregëti, dhe mendohesh se shumë familje janë vendosur në lagjen ” Kala”
Sipas informacioneve të dhëna nga kleriku dhe atdhetri VisarionXhuvani një ndër themeluest e Drejtuesit e Kishës Autqefale Shqiptare, bëhet fjalë për një vendbanim të madh hebrenjshë gjatë Perandorisë Otomane”.
Në qytet ka pasur një sinagogë, gjë që e vërtton fragmenti i një rozoni me yllin e Davidit, i cili ruhet në Muzeun Etnografik të qytetit. Vitet e fundit të shekullit të XX-të është gjetur një pllakë guri në formë trapezi, në sipërfaqen e të cilit ka të skalitur një kornizë dhe brenda saj disa rrjeshta, me shkrim hebraik, përreth janë gjashtë yje me gjashtë cepa. Rreth 100 metra në jug të rrapit të Bezistanit ( qendër të qytetit) rreth shekullit të XVI-të ka egzistuar një sinagogë hebraike quajtur ” Havri i Hebrenjve” që shërbente si faltore dhe si han dhe ishte një pikë e rëndësishme për tregëtarët hebrenjë që shkëmbenin mallra në shumë vende të ballkanit dhe të botës. Më pas kjo sinagogë u përdor nga turqit si han i qujtur ” Hani i Shehetilës”
Gjatë luftës së Dytë Botërore gjermanët dogjën të gjithë librat e hebrenjve që ndodheshin në këtë sinagogë. Më pas në këtë vend në vitin 1930 u ndërtua pazari i vjetër ku punëtorët gjetën monedha ari me simbole hebraike. Tregëtarë të cilët gërmuan për të ndërtimin e themeleve të dyqaneve të tyre gjetën edhe një kapak libri në gjuhën hebraishte të punuar me dorë në argjend, ku është edhe vula e punuesve të librit. Ky kapak i cili i është shtuar arkivës së koleksionistit vangjel Kapidani sipas tij mendohet se i përket një libri shumë të rëndësishëm të kulturës hebraike. Kjo tregon se në Elbasan ka egzistuar një komunitet hebraik shumë i rëndëshëm i cili ka lënë gjurmët hebraike në qytetin e Elbasanit.
Mikpritja e elbasanasve
Do të mbetet i pashlyer në kujtesën e qytetarëve elbasanas fakti se gjatë të gjithë periushës së luftës së Dytë Botërore dhe pas saj asnjë nga familjet çifute banorë të Elbasanit nuk pësoi dëmtimin më të vogël nga politika antisemitike gjermane. Rreth 30 përqind e popullsisë, “tabanë” të lagjes “Kala” përbëhesh nga çifutë, të cilët luajtën një rol jo të vogël për lulëzimin e artizanatit dhe tregëtisë në Elbasanin e dikurshëm. Njihen disa familje që u përkujdesën për çifutët në këtë lagje si Vasil Nosi, Qemal Karaosmani etj.
Me ardhjen e demokracisë shumica e familjeve çifute banorë të Elbasanit u larguan për në shtetin e ri Izraelit, por miqësia me banorë të këtij qyteti nuk u harrua. Andon Andoni banor i lagjes ” Kala” u prit krahëhapur nga komshinjtë e dikurshëm, të vendosur tashmë në Izrael.
Shkarkoni hartën turistike të qytetit të Elbasanit…
Një epitaf që tregon Skampinin
Rastësisht në vitin 1922, në muret e Kalasë së Elbasanit u zbulua një gur masiv (gur varri), ku ishte i gdhendur emri i qytetit Skamp. Sot, guri që daton shekullin e II-të të erës sonë, ndodhet në muzeun Etnografik të Elbasanit si një dëshmi që vërteton vendndodhjen e lashtë të Skampis, Elbasanit.
Sipas historianëve, ky gur varri i përket legjionarit Mark Sabidi Emilia Maksimus dhe vërteton plotësisht vendndodhjen e qytetit.
Dokumenti mbishkrimor, që mendohet se i takon shekullit të II-të e.s, është i vetmi monument epigrafik që përmend emrin e lashtë të qytetit në trajtë të shkurtuar “Skamp”.
Ai sqaron se në shekujt III-IV, lashtësia e kësaj qendre dëshmohet nga të dhënat që japin intineraret e ndryshme për rrugën Egnatia, me të cilën qyteti ishte mjaft i lidhur.
Të dhënat e fundit nga Skampini i përkasin shekullit të VI-të kohës së sundimit të perandorit Justiniani. Në Sinekdemos të Hieroklit, Skampini figuron si qytet krahas qyteteve të tjera të provincës së Epirit të Ri , ndërsa në listën e Prokopit të Çezaresë, Skampini konsiderohet si një nga kështjellat e ndërtuara rishtazi. Por dokumenti i fundit që përmend emrin Skampis datohet saktësisht në pranverën e vitit 519-të.
Ndryshimi i emrit nga Skapin në Elbasan, duket se ndodhi me pushtimin turk. Në vitin 1466 Sulltan Mehmeti i II-të, ndërton kalanë, e cila ishte shembur nga romakët, nga perandori Justinian dhe më pas nga dyndjet e fiseve bullgare.
Kalaja u ndërtua si pikë mbështetje për trupat osmane e tipit fushor ndër më të mëdhatë në ballkan dhe u quajt prej tyre “Elbasan”, një emër me prejardhje turke. Në mbishkrimin në portën e kalasë është shkruajtur ” Ilj-basan”, që në turqisht do të thotë “shtypës”. Më pas, në të përdorshem e folur, “Ijl” u zëvëndësua me shkronjën “E”, duke i dhënë qytetit emrin që ka sot, “Elbasan”.
Elbasani, qyteti që i parapriu Pavarësisë
Në 15 Nëntor të vitit 1912, 35 patriotë nga Elbasani, por edhe rrethet e tjera të tij 104 vjet më parë, shpallën Pavarësinë e këtij qyteti në Shqipërinë e Mesme, duke ngritur të parët Flamurin e Pavarësisë dhe duke i paraprirë kështu Pavarësisë së vendit në 28 Nëntor.
Sipas historianëve, vështirësitë për të arritur deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ishin të shumta, pasi fati i kombit shqiptar ka kaluar nëpër disa orbita dramatike. Kryengritjet e njëpasnjëshme të shqiptarëve në vitet 1910-1911 ishin preludi i ngjarjes madhore që do të vinte më pas.
Viti 1912 ishte një vit i mbushur me ngjarje të trazuara për shqiptarët. Aleancat ballkanike ndërmjet shteteve Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë synonin ta fshinin nga harta emrin e Shqipërisë. Këto vende i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Ato nuk mund të pranonin Shqipërinë aleate sepse kishin qëllime aneksimi ndaj trojeve shqiptare. Prandaj shtypi i kohës do të shkruante e me thirrje do t’i drejtohej shqiptarëve “të marrim armët e të mbrojmë kufinjtë e mëmëdheut tonë”…
“Fitoret e njëpasnjëshme të fqinjëve ballkanikë ndaj perandorisë osmane krijuan kushte të reja për patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut. Ata vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik, qëllimi i të cilit ishte shpëtimi i Shqipërisë nga copëtimi dhe mbledhja e një Kuvendi Kombëtar që do të vendoste për fatin e Shqipërisë”.
-Elbasani shpall pavarësinë. –
Ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Elbasanit, ç’ka i vuri rrethet patriotike të qytetit përballë detyrës urgjente të Shpalljes së Pavarësisë me qëllim që autoritetet ushtarake serbe të viheshin para një fakti të kryer.
Më 25 nëntor 1912, Elbasani shpalli i pari Pavarësinë, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie.
Lef Nosi në librin e tij “Dokumente Historike 1912 -1918”, shkruan për këtë ditë të shënuar të qytetit: “Na gjindja e Elbasanit, pa ndonji shtrëngim të jashtëm ose të brendshëm, por nga dëshiri ynë i lirë, bashkë me gjithë qytetarët e Shqipnisë po i bajmë të ditur gjithë botës së qytetërueme se sot shpallim vetësinë tonë nga mbretnia Otomane, tue u numurue si një komb i lirë i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjithë kombeve të Europës, shprehem se do të qeverisim me nder, drejtësi dhe nji paansi të plotë, pa vënë re ndryshim feje apo dogme. Çdo shqiptar ose i huej do të mund të rrojë lirisht, duke gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore. Edhe na kemi nërmend të rrojmë vllazënisht edhe me qeveritë fqinjëse, pa dashur t’u bajmë as të paktin dam, por duke ju lutun të na ndihmojnë në vetqeverimin tonë edhe rrëzimin e qeverisë Ottomane. Rroftë Shqipnia e lire. Kështu e baftë Zoti!”
Ndërsa në telegramin që i dërgohet Ismail Qemalit për shpalljen e mëvetësisë nënvizohet se: “Gjithë populli ynë (Elbasanit), myslimanë e të krishterë, me një za kanë pranue indipendencën e Shqipërisë”. 35 firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë së Elbasanit ishin, Aqif Pashë Elbasani, Abdulla Bej Tirana, Venemin Deliana, Ali Agjahu, Refik Myftiu, Sheh Mahmut Guma, Sheh Hysen Sulova, Ruzhdi Alushi, Alush Saraci, Venemin Nosi, Kolë Papajani, Emin Haxhiadem Shijaku, Ymer Peni, Hysen Dakli, Hysen Hostopalli, Serafin Jorgaqi, Dhimitër Paparisto, Shefqet Bej Vërlaci, Hasan Bej Bicakciu, Fuat Bej Kahremani, Servet Bej Zylfi, Demir Bej Sulcebeu, Sheh Xhaferr Pasmaqi, Taqi Buda, Haxhi Nikolla Jorgaqi, Rrapush Demeti, Mahmut Hakani, Isuf Bej Taushani, Hasan Ciftja, Demir Zenelhoxha, Hafëz Sulejman Kungulli, si dhe Dhimitër Dhimitruka. Ngritja e flamurit në Elbasan më 25 Nëntor ishte një moment i rëndësishëm, ku veçanërisht shquhet Aqif Pashë Elbasani.
“Aqif Pashë Elbasani, siç njihet në qytet, ndihmoi për kryengritjen e përgjithshme antiosmane në vitin 1912 dhe në organizmin e çetës së Elbasanit. Njihet si bashkëpunëtori më i ngushtë i Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë si dhe për mbështetjen e plotë që i dha qeverisë së tij.
Ai bashkë me popullin e Elbasanit dhe me mbështetjen e Ismail Qemalit ngritën Flamurin Kombëtar më 25 Nëntor të vitit 1912 dhe shpallën të parët pavarësinë duke i treguar ushtrisë serbe që po i afrohej Elbasanit se kishte shkelur në vise të Shqipërisë së Pavarur.
Më 25 Nëntor 1912 Elbasani shpalli i pari Pavarësinë kombëtare, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie. Në Kuvendin Historik të Vlorës, më 28 Nëntor të vitit 1912, Elbasani do të përfaqësohej nga Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Qemal Karaosmani, ndërsa Dervish Biçaku shkoi si delegat i Peqinit.
Shpallja e Pavarësisë ishte nder për Elbasanin, por edhe e drejtë legjitime për vendin që zuri dhe rolin që luajti ky qytet në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Me aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavaruar në trojet e veta. Pavarësisht sesi do të rridhnin ngjarjet më vonë, Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar.