Flamurtari vijon të lëvizë në merkato me synimin e vetëm: rikthimin e menjëhershëm në Abissnet Superiore. Klubi vlonjat duket se ka ndryshuar strategji pas sezonit të kaluar, duke i dhënë përparësi futbollistëve me eksperiencë në kampionatin shqiptar.
Pas zyrtarizimit të Jakup Berishës, Mehdi Çobës, Joni Nurjës dhe Elsit Salës, drejtuesit janë shumë pranë një tjetër goditjeje në merkato. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Marjus Korreshi, i cili pritet të jetë afrimi i radhës i skuadrës së drejtuar nga Oltijon Kërnaja.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se palët kanë arritur një marrëveshje dhe mbetet vetëm zyrtarizimi. Korreshi vjen nga Lushnja, ku në sezonin e fundit ishte kapiteni i ekipit dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës myzeqare.
Mbrojtësi me eksperiencë konsiderohet një element i rëndësishëm për prapavijën, falë sigurisë, forcës në duelet ajrore dhe eksperiencës së fituar ndër vite në futbollin shqiptar. Te Flamurtari besojnë se afrimi i tij do t’i japë më shumë stabilitet repartit defensiv në sezonin e ri.
Ndërkohë, merkatoja e kuqezinjve nuk pritet të mbyllet me kaq. Pas largimeve të shumta të verës, drejtuesit vijojnë punën për të kompletuar organikën, me objektivin e qartë për t’u rikthyer në elitë që në fund të këtij sezoni.
