Teksa ishte i ftuar në një prej aktiviteteve të Samitit organizuar nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare në Tiranë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka vërejtur një detaj lidhur me flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Diskutimi në Samitin e Tretë të Grave të Biznesit të Diasporës po vijonte derisa në momentin kur Veliaj mori fjalën, kërkoi që flamuri i SHBA-së i vendosur përmbys të drejtohej, ndërsa cilësoi që ky ishte një veprim i pakujdesshëm i organizatorëve.
“Para se të filloj, a kemi dikë nga hoteli këtu, nga menaxhimi? Këtë flamurin amerikan e kemi mbrapsht. Kështu që do të preferoja ose t’i heqim fare, ose t’i respektojmë të gjithë. A kemi dikë që mund ta zhvendosë? S’e kam tek amerikano-filia, edhe pse atë e kam, por e kam te fakti që në Tiranë i bëjmë gjërat perfekt, edhe nuk bëjmë gafa të tilla”, u shpreh Veliaj.
Pasi flamujt u zhvendosën, ku flamuri i SHBA-së u vendos drejt me flamujt e drejtë bashkë me atë shqiptar, kryebashkiaku u shpreh se aktiviteti mund të vijojë.
“Faleminderit! Perfekt! Tani mund të fillojmë. Secili prej nesh do të fyhej nëse kjo do t’i ndodhte flamurit tonë, edhe për shumë zonja që janë shqiptaro-amerikane, besoj që është gjëja e drejtë për të bërë”, tha kreu i bashkisë.