Drita i jep fund aventurës europiane me një eliminim të dhimbshëm. Skuadra gjilanase nuk arriti të sigurojë kualifikimin në fazën e ligës së Ligës së Konferencës, pasi u mposht nga Inter D’Escaldes në serinë e penalltive. Pas barazimit spektakolar 2-2 në ndeshjen e parë në Prishtinë, gjithçka mbeti e hapur për duelin e kthimit në Andorrë. Drita zbriti në fushë me objektivin për të mbrojtur rezultatin dhe për të goditur në momentin e duhur.
Pjesa e parë ishte e luftuar, me skuadrën kosovare që u fokusua më shumë në mbrojtje. Inter D’Escaldes tentoi të ushtronte presion, por Faton Maloku ishte në lartësinë e detyrës dhe i dha siguri portës së Dritës. Edhe pse Drita luajti me dy sulmues, gjilanasit nuk arritën të krijonin raste të shumta të pastra për shënim. Pas pushimit, vendasit shtuan ritmin dhe kërkuan golin, por Maloku vazhdoi të ishte një nga protagonistët kryesorë të sfidës.
Drita pati mundësinë e saj pranë fundit, pas një goditjeje nga këndi, por Besnik Krasniqi nuk arriti ta devijonte topin drejt rrjetës. 90 minutat përfunduan pa ndryshim të rezultatit dhe, pas 2-2 në ndeshjen e parë, fati i kualifikimit do të vendosej nga pika e bardhë.
Congratulations Andorra! Deserved 👏
Inter Escaldes 🔵 [4p]-3 ⚪️ Drita#UECL | 🇦🇩🇽🇰 pic.twitter.com/XRVmI7umtL
— Kosovo Football 🇽🇰 (@FootballKosovo) August 27, 2026
Në serinë e penalltive, Besnik Krasniqi dhe Ovouka realizuan për Dritën, ndërsa Faton Maloku u shndërrua për pak në heroin e skuadrës, duke ndalur një nga goditjet e Inter D’Escaldes. Por drama nuk kishte përfunduar. Kristal Abazaj nuk arriti ta shndërronte në gol tentativën e tij, ndërsa më pas edhe Igball Jashari dështoi, duke goditur jashtë.
Inter D’Escaldes e shfrytëzoi mundësinë dhe Riyadi realizoi penalltinë e tij, duke i dhënë skuadrës nga Andorra fitoren dhe kualifikimin. Kështu, Drita eliminohet në mënyrën më të dhimbshme të mundshme, pas një përballjeje që u vendos vetëm nga penalltitë. Gjilanasit nuk do të jenë pjesë e fazës së ligës së Ligës së Konferencës, ndryshe nga sezoni i kaluar kur arritën të luanin në këtë fazë.