Dinamo është skuadra e cila mbyll vitin 2024 në vendin e parë të Kategorisë Superiore dhe këtë e ka arritur me një fitore të rëndësishme përballë Egnatias kampione në fuqi me shifrat 2-1. Nuk ka qenë një fitore e thjeshtë për skuadrën e Ilir Dajës, e cila ka vuajtur lojën e rrogozhinasve, shumë kërkues pranë zonës së bluve. Por cilësia e individëve ka bërë diferencën dhe Dinamo ka treguar se ka në përbërje lojtarë që mund të ndryshojnë fatin e ndeshjeve.
Mandela ishte ai i cili ia dha avantazhin bluve në pjesën e parë duke mposhtur Dobjanin. Në të dytën, Zabërgja kaloi pa vështirësi dy emra me shumë peshë si Veseli e Xhemajli, duke dhënë asistin perfekt për Nanin i cili dyfishoi shifrat.
Egnatia tentoi gjithçka për të ndryshuar fatin e sfidës dhe loja e saj ofensive u përmirësua me hyrjen në fushë të Kasës, autor i asistit për golin e Ndrecës që rihapi ndeshjen. Por blutë u mbrojtën me rregull në minutat e fundit, duke siguruar një fitore 2-1 që i jep titullin simbolik të “kampionëve të dimrit”, por edhe i konfirmon si pretendentë të rëndësishëm për fitoren e titullit.
Dinamo 2 – 1 Egnatia (Mandela 25′, Nani 59’/ Ndreca 67′)
Superiore: Java 19
Stadiumi: “Elbasan Arena”
Arbitër: Erjon Bylykbashi
FORMACIONET ZYRTARE:
DINAMO: Sali, Dita, Aliji, Lorran, Meksi, Toli, Karamba, Qefalija, Vila, Nani, Mandela. Trajner: Ilir Daja.
EGNATIA: Dobjani, Aliyev, Xhemajli, Veseli, Fangaj, Ndreca, Aleksi, Ujka, Zejnullai, Lushkja, Bakayoko. Trajner: Edlir Tetova.