Mes shumë ndeshjeve të javës së 24-të të Kategorisë Superiore, ajo që spikat më tepër është takimi Partizani-Tirana. Derbi i kryeqytetit pritet të zhvillohet më datë 9 shkurt në orën 20:00. Të paktën kështu është programuar, por Klikoje Sport nga burime të besueshme, mëson se kjo sfidë do të luhet në orën 14:00.
Një orar i pazakontë, por Komisioni i Garave në FSHF në bashkëpunim me dy klubet ka komunikuar ndryshimin e orarit. Një gjë e tillë është bërë për të evituar përplasjen e tifozëve. Kujtojmë që kjo përballje do të luhet në stadiumin “Arena e Demave” në Tufinë, dhe mungesa e ndriçimit në rrugë, apo pjesa ndarëse për të drejtuar tifozët ka frikësuar krerët e futbollit shqiptar.
PËRBALLJET E FUNDIT
Tirana e Partizani, rivalët miq-armiq të një jete, takohen për herë të dytë në këtë sezon në një derbi të zjarrtë. Kryeqyteti nuk e ka ende një dominues, pavarësisht se të kuqtë kryesojnë dhe bardheblutë janë në pozita të vështira. Për tifozët duhet fituar derbi dhe pas 0-0 në fazën e parë dhe 1-1 në fazën e dytë, është koha që dikush të ushtrojë pushtetin duke rrëmbyer suksesin.