Lajmet e fundit | Klikoje.al

Category: Receta

Kategoria Receta ka për qëllim të ndaj me ju receta, gatime nga me te ndryshmet. Tradicionale dhe europiane, të ëmbla dhe të kripura. Ne ju japim ide për vaktet tuaja!

  • Patate të pjekura me qumësht për shije dhe shëndet të mirë!

    Patate të pjekura me qumësht për shije dhe shëndet të mirë!

    Të gjithë kemi gatuar e provuar tavën me patate.

    Mënyrat e përgatitjes janë nga më të larmishmet, nga tava me patate e pjekur me pulë, me mish të grirë e deri tek ajo me perime të stinës.

    Patatja gjithmonë ka qenë e pazëvëndësueshme në recetat tradicionale të kuzhinës shqiptare.

    Ju sjellim sot një recetë të veçantë dhe shumë të thjeshtë.

    Për këtë gatim ju duhen vetëm pak përbërës, por shija që do të krijohet është e parezistueshme.

    Patate të Pjekura me Qumësht

    Përbërësit 4-5 persona

    • 5-6 patate mesatare
    • 4 gota me qumësht
    • 2 lugë me vaj ulliri
    • 3-4 thelpinj hudhër
    • 2 lugë gjelle ajkë qumështi
    • 2 lugë gjelle me thërrime djathi
    • Kripë
    • Piper

    Përgatitja

    Si fillim shpëlani patatet me ujë të bollshëm, më pas qëroni lëkurat dhe vendosini në një tas më ujë.

    Në një tavë hidhni pak nga vaji i ullirit, kështu të gjitha patatet do të marrin shijen e dëshiruar.

    Patatet duhet t’i prisni në rrathë jo shumë të hollë, dhe shtrojini në tavë.

    Ju sugjerojmë që pas çdo shtrese me patate hidhni pak kripë, piper, hudhra të shtypura dhe ajkë qumështi.

    Ajka e qumështit do të shërbejë njësoj si gjalpi, por duke i dhënë recetës një shije akoma dhe më të mirë.

    Pasi të keni mbaruar me patatet, në një tas të madh hidhni katër gotat e qumështit dhe djathin i trazoni pak sa të përzihen mirë.

    Masën e formuar hidhjani tavës me patate, të cilat duhet të jenë të zhytura plotësisht në qumësht.

    Këtë tavë e vendosim në furrë për t’u pjekur me 220-250 gradë.

    Si fillim e vendosim për t’u pjekur nga poshtë, më pas kur të ketë marrë një ngjyrë të artë, e vendosim për t’u pjekur dhe lartë.

    Patatet do të piqen me qumështin duke marrë një aromë e shije fantastike.

    Këtë recetë mund ta shoqëroni me sallatë jeshile apo me domate dhe kastravecë.

    Dhe nëse dëshironi që të përgatisni një drekë apo darkë të veçantë për të dashurit tuaj mund të shoqërohet fare lehtë dhe me qofte shtëpie.

  • Vezë të pjekura në tavë – Ja si t’i përgatisni

    Vezë të pjekura në tavë – Ja si t’i përgatisni

    Ka shumë pak ushqime që mund të zëvendësojnë vezët apo rolin e tyre në receta.

    Janë thuajse kudo sepse japin plot shije dhe vlera.

    Me siguri edhe ju preferoni t’i konsumoni në mëngjes, drekë apo darkë në forma të ndryshme.

    Sot ju sugjerojmë një recetë të re, pak larg asaj klasikes se gatimit të vezëve të skuqura apo të ziera.

    Mësoni më poshtë recetën e plotë të tyre.

    Përbërësit për 6 persona

    • 2-3 lugë gjelle vaj ulliri
    • 1 lugë kafe spec i kuq i ëmbël
    • Kripë
    • 1 qepë e njomë
    • 1 thelbi hudhër
    • 1 tas domate qershi
    • Bukë e zezë e prerë hollë
    • 6 Vezë
    • Fara speci djegës
    • Majdanoz
    • Fara speci djegës
    • Domate të freskëta

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete ndizni furrën në temperaturën 180 gradë C.

    Më pas zgjidhni një tavë me kupa si ato që përdoren për të gatuar recetën e cupcake.

    Nëse nuk e keni një të tillë, mund të përdorni kupa të vogla dhe t’i vendosni në një tepsi të madhe.

    Vazhdoni duke i lëyer kurpat e tavës tuaj me vaj.

    Ndërkohë në një tigan skuqni qëpën, hudhrën dhe erëzat për rreth dy minuta, derisa qepa të zbutet.

    Shtoni domatet e prera në kubikë dhe skuqini për dy deri në tre minuta të tjera.

    Merrni fetat e bukës dhe i shtypni me një shishe qelqi derisa të kenë marrë një formë pete dhe i vendosni në format e tavës.

    Mbushni format me qepën dhe domaten e skuqur në tigan dhe shtoni një kokërr vezë në çdo formë.

    Futeni tavën në furrë për rreth 15 minuta, derisa veza të jetë mpiksur.

    Sugjerohet që të konsumohen të ngrohta.

    Mund t’i servirni me domate të freskëta, fara speci djegës dhe majdanoz përsipër.

    Zgjidhja ideale për një mëngjes të shpejtë dhe shumë të shijshëm!

  • Tavë dimërore me oriz dhe patate – Receta e ngrohtë dhe plot shije!

    Tavë dimërore me oriz dhe patate – Receta e ngrohtë dhe plot shije!

    Orizi përbën një nga drithërat më të preferuara të konsumatorëve shqiptarë.

    Recetat e gatimit me këtë drith janë të thjeshta.

    Zakonisht, amvisat shqiptare ia dedikojnë një ditë orizit, duke e bërë atë pilaf ose duke e kombinuar me spinaq në gjellëra që të bëjnë të lëpish gishtat.

    Në këtë recetë do të mësoni një recetë tjetër të gatimit të orizit duke e zier atë në furrë, bashkë me patate e karrota.

    Përbërësit

    • 6 patate,
    • 2 karrota,
    • 1 spec i kuq
    • 1 qepë mesatare
    • 1 filxhan çaji oriz.
    • 1 thelb hudhër
    • Kripë sipas dëshirës,
    • 4-6 lugë gjelle me vaj ulliri
    • 2 filxhanë çaji me ujë ose lëng mishi
    • Kripë
    • Djathë i thërrmuar i bardhë ose kaçkavall sipas dëshirës

    Përgatitja

    Ndezim furrën në 250 gradë.

    Qërojmë qepën dhe e presim në forma rrethore.

    Qërojmë patatet dhe i shpëlajmë me ujë të bollshëm.

    Më pas, i presim në feta rrumbullake.

    Karrotat i qërojmë hollë, i shpëlajmë dhe i presim në forma të vogla rrethore.

    Specin e kuq e pastrojmë nga farat dhe e presim gjithashtu në formë rrethore.

    Hudhrën e qërojmë dhe e grijmë hollë.

    Marrim një tas qelqi të thellë dhe hedhim të gjithë përbërësit një e nga një, përveç orizit.

    I përziejmë mirë me një lugë druri, shtojmë kripën dhe 3 lugë vaj ulliri.

    Pasi i kemi përzier përbërësit mirë me njëri tjetrin, përgatisim tepsinë për pjekje.

    E lyejmë tepsinë me një lugë vaji vegjetal.

    Orizin e lajmë, e kullojmë dhe e hedhim në tepsi duke e shtruar në të gjithë sipërfaqen e saj.

    Perimet e përziera në tasin e qelqit i hedhim të pakavërdisura në sipërfaqen e orizit.

    Sipër tyre hedhim tre lugë të tjera gjelle me vaj ulliri dhe e fusim tepsinë në furrë.

    Pjekja e perimeve dhe orizit kërkon të paktën 20 minuta.

    Në momentin që patatet e karrotat janë rreshkur duke marrë ngjyrën e kafenjtë, hedhim dy filxhanët e ujit ose lëngut të mishit.

    E fusim tepsinë në furrë sërish për të mundësuar zierjen dhe pjekjen e mëtejshme të oriziit.

    Pas 20 minutash mund ta provoni nëse orizi është bërë e më pas ta hiqni tepsinë nga furra.

    5 minutat e fundit para se ta hiqni nga furra, sipër hidhini sipër djathin e thërrmuar në të gjithë sipërfaqen dhe futeni në furrue për pak minuta sa djathi të shkrijë më pas hiqeni nga furra.

    Lëreni mënjanë të ftohet pak dhe servireni të ngrohtë duke e shoqëruar me kos, turshi e sallatë jeshile.

    Kjo recetë përdoret gjërësisht në shumë zona të veriut të vendit.

    Në varësi të preferencës së amvisës, perimet mund të skuqen paraprakisht.

    Megjithatë në aspekt vlerash, receta e mësipërme është e shëndetshme sepse ruan vitaminat e mineralet e perimeve.

  • Petulla si pambuk të buta që nuk thithin vaj! (VIDEO)

    Petulla si pambuk të buta që nuk thithin vaj! (VIDEO)

    Në këtë artikull dua të ndaj me ju një mënyrë se si të përgatisni petulla të përkryera për të shijuar në çdo kohë!

    Për të përgatitur petulla të buta dhe të shijshme, filloni duke përdorur 1 lugë çaji maja, 1 lugë çaji kripë, dhe 300 ml ujë të ngrohtë.

    Përziejini këto për të krijuar një bazë të konsistencës së lëngshme. Lëreni masën të qetësojë për 5 minuta, duke i dhënë kohë për të aktivizuar më tej majanë.

    Shtoni miell gradualisht, duke përzjerë mirë, derisa të formohet një masë e butë dhe e lehtë. Lëreni masën të pushojë për 2 orë, duke i mundësuar të fermentojë dhe të dyfishohet në volum.

    Pas kësaj periudhe, ngrohni një enë me vaj të mjaftueshëm dhe skuqini petullat derisa të marrin një ngjyrë të artë të bukur. Servirini ato të ngrohta!
    Ju bëftë mirë nëse i provoni!

  • Tiramisu pa pjekje! Më e mira që do provoni!

    Tiramisu pa pjekje! Më e mira që do provoni!

    Zupa e Dukës, kështu mendohet të jetë emri i vërtetë i Tiramisusë, ëmbëlsirës kaq të dashur edhe nga shqiptarët.

    E mori këtë emër pikërisht në nder të Kozimo Mediçit, i cili e solli recetën në Fierence dhe i dha famë.

    Sipas gastronomëve Tiramisuja u kthye shumë shpjet në ëmbëlsirën e preferuar të familjeve fisnike të cilat e konsumonin për të ngritur humorin.

    Cooking Time ju tregon mënyrën më të thjeshtë për përgatitjen e kësaj ëmbëlsire në shtëpitë tuaja.

    Me këtë recetë mund të surprizoni të dashurit dhe të afërmit tuaj me një shije përrallore.

    Përbërësit që ju nevojiten:

    -500gr mascarpone

    -300gr biskota savoiardi

    -5 vezë

    -Kafe

    -Kakao

    -120gr sheqer

    Përgatitja:

    Si fillim ndajmë të bardhën nga e verdha e vezëve. Rrahim të bardhat e vezëve derisa të bëhen shkumë. Në tasin tjetër përziejmë të verdhat e vezëve me sheqerin. I bëjmë banjëmari derisa të shkrihet sheqeri komplet. Shtojmë mascarponen tek tasi me të verdhat e vezëve dhe i përziejmë.

    Më pas shtojmë gradualisht shkumën e të bardhave duke përzier me kujdes nga lart poshtë për të ruajtur volumin. Më pas lagim biskotat tek kafeja e përgatitur dhe shtrojmë një shtresë në tavë. Hedhim një shtresë kremi dhe më pas shtojmë shtresën e dytë të biskotave. Në fund shtojmë shtresën e dytë të kremit. E vendosim në ftohje për 6 orë. Para se ta konsumojmë i hedhim kakao lart dhe e kemi gati për ta shijuar.

    Kjo është një ëmbëlsirë e lehtë dhe shumë e shijshme pa pjekje që do t’ju nderojë para miqëve. Ju bëftë mirë nëse e provoni!

    https://www.youtube.com/shorts/ONogJRB58fo
  • Biskota pa pjekje – Receta e shpejtë dhe me ëmbëlsi të lehtë!

    Biskota pa pjekje – Receta e shpejtë dhe me ëmbëlsi të lehtë!

    Biskotat janë gjithmonë prezente dhe të shijshme për çdo person të familjes.

    Biskotat mund t’i shoqëroni me çdo gjë dhe në çdo kohë të ditës.

    Janë ëmbëlsira ideale dhe e shpejtë për t’ju ëmbëlsuar mëngjeset, pasditet apo darkat.

    Nuk ka asgjë më të mirë se përgatitja e tyre në mënyrë të shëndetshme në shtëpi.

    Sot ju sygjerojmë recetën e shpejtë të biskotave që mund ta përgatisni në shtëpi.

    Përbërësit

    • 250 gr sheqer
    • 64 gr gjalpë ose margarinë
    • 120 ml qumësht
    • 3 lugë gjelle pluhur kakao
    • 400 gr tërshërë
    • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje

    Përgatitja

    Në një enë përzieni sheqerin, gjalpin e shkrirë osë margarinën derisa masa të bëhet kremoze.

    Më pas shtoni qumështin dhe vazhdoni me përzierjen.

    Për të përshpejtuar proçesin mund ta vendosni masën e përfituar në zjarr për 1 minutë duke e përzier.

    Në të kundërt vazhdoni ta përzieni masën për disa minuta derisa të gjithë përbërësit të lidhen me njëri tjetrin.

    Më pas shtoni kakaon dhe tërshërën dhe vaniljen sipas dëshirës.

    Formoni forma të vogla rrethore dhe vendosini në një enë të cilën lëreni për 1-2 orë në frigorifer.

    Më pas mund t’i shijoni sipas dëshirës.

  • Pure e ngrohtë me lulelakër dhe qumësht – Receta fantastike me shije të lehtë!

    Pure e ngrohtë me lulelakër dhe qumësht – Receta fantastike me shije të lehtë!

    Një recetë e lehtë në shije dhe përgatitje. Ideale për t’u përgatitur sidomos tani kur është edhe stina e kësaj perimeje fantastike.

    Është një gatim fantastik i cili shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës dhe mishra të gatuar në mënyra të ndryshme, por edhe me bukë të thekur apo byrek shtëpie.

    Ju sjellim më poshtë recetën fantastike të përgatitijes së puresë me lulelakër krejt lehtë në shtëpi.

    Përgatitja e Puresë me Lulelakër  

    Përbërësit

    (Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

    • Një kokë lulelakër 1 kg
    • 2 kokrra patate mesatare
    • 1 gotë qumësht (250 ml)
    • 2 lugë gjelle gjalpë i freskët (Për një gatim më të shëndetshëm ju këshillojmë përdorimin e vajit të virgjër të ullirit)
    • Kripë
    • Piper

    Përgatitja

    Si fillim, ju udhëzojmë të pastroni mirë lulelakrën me ujë të bollshëm dhe ta ndani atë në degëza.

    Pastroni patatet nga lëkura, shpëlajeni me ujë, ndajeni në katër pjesë dhe bashkë me degëzat e lulelakrës vendosini në një tenxhere të mbushur me ujë.

    Vendoseni tenxheren në zjarr, hidhni kripë në sasinë e preferuar dhe lëreni që lulelakrat dhe patatet të ziejnë derisa të zbuten plotësisht.

    Më pas largojeni tenxheren nga zjarri, kulloni lëngun (të cilin mund ta ruani në frigorifer dhe ta përdorni për përgatitjen e një supe të shijshme).

    Pasi të keni kulluar lulelakrat dhe patatet kalojini në mikser dhe miksojini derisa masa të behet në formën e puresë.

    Më pas, vendosni një tenxhere në zjarr, shtoni aty gjalpin, lëreni sa të tretet dhe shtoni masën e puresë së përgatitur, trazojeni dhe provojeni nëse është e rregulluar mjaftueshëm me kripë.

    Shtoni qumështin dhe vijoni ta përzjeni edhe për disa minuta.

    Më pas largojeni nga zjarri dhe kur ta servirni spërkateni sipër me pak piper të zi, majdanoz të grirë hollë dhe disa pika gjalpë të tretur.

    Vlerat Shëndetësore Të Perimes Së Bardhë

    Vitaminat dhe mineralet për imunitetin

    Lulelakra përmban antioksidantë të cilët janë thelbësorë për sistemin imunitar.  Lulelakra është e pasur me vitaminë B1, B2, B3, B5, B6, B9, C, Omega-3 dhe vitaminë K.

    Kundër qelizave të dëmshme

    Lulelakra njihet si një perime super e shëndetshme sepse është një burim sulforafani, një substancë që sulmon qelizat e dëmshme dhe ngadalëson rritjen e qelizave tumorale.

    Shëndeti i zemrës

    Alicina dhe sulforafani që e përmendëm më lart, përmirësojnë shëndetin kardiovaskular.

    Alicina pakëson gjasat e ishemisë dhe sëmundjeve të zemrës.

    Sulforani përmirëson tensionin e gjakut dhe veshkat.

    Tretja

    Lulelakra është një burim i mirë fibre që përmirëson tretjen.

    Një racion me lulelakër përmban 3.35 g fibër dietike, e cila pastron sistemin tretës nga substancat e dëmshme.

    Detoksifikimi

    Antioksidantët tek lulelakra luajnë një rol detoksifikues dhe ndihmojnë në rënien në peshë.

    Kjo perime përmban pak kalori dhe mund të gatuhet në mënyra interesante.

    Lulelakra e bardhe e pajis imunitetin me substancat që i nevojitet për t’ju kundërpërgjigjur inflamacionit.

  • Petulla me brokoli! Receta e veçantë dhe plot shije

    Petulla me brokoli! Receta e veçantë dhe plot shije

    Brokolit nuk mbajnë vendin e parë si perimja më e preferuar nga fëmijë e të rritur, por janë në fillim të listës së ushqimeve më të shëndetshme për trupin.

    Për këtë arsye bëni mirë të mos i ndani nga dieta juaj e përditëshme.

    Në mesin e mënyrave të shijshme që keni mësuar ta gatuani këtë perime, ne në recetën e sotëme ju tregojmë ndoshta më interesanten ndër to.

    Petulla me brokoli, një kombinim jo i zakontë, por i duhur për nga shija.

    Këto petulla mund t’i bëni pjesë të vakteve tuaja jo vetëm në mëngjes, ato mund t’i gatuani për të shoqëruar mishin, peshkun apo dhe ushqime të tjera.

    Ndiqni mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes së kësaj recete shumë interesante.

    Përbërësit

    • 750 gr brokoli
    • 200 gr miell
    • 200 ml ujë i vakët
    • 5 gr maja birre e freskët
    • 1 lugë çaji sheqer
    • Vaj luledielli
    • Kripë

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete përgatisni brumin me të cilin do të skuqni brokolin.

    Në një enë të thellë shtoni ujin e vakët, majanë e birrës në pluhur dhe sheqerin e më pas përzieni derisa të formohet një masë e trrashë.

    Lëreni të pushojë përreth 5 minuta dhe sitni po aty miellin, duke përzier me anë të një luge në mënyrë që të formoni brumin e butë e pa kokrriza.

    Mbulojeni me një qese plastike kuzhine dhe lëreni të pushojë në temperaturë ambienti për 2 orë, derisa të shikoni që brumi është fryrë.

    Ndërkohë përgatisni brokolit, prisni me kujdes pjesën e trungut dhe ruani vetëm pjesën e kurorës së tyre, siç bëni zakonisht.

    Lajini me ujë të bollshëm dhe vendosini të ziejnë për 10 minuta në ujë me kripë.

    Kur të jenë zbutur paksa, kullojini, vendosini në një enë dhe lërini të ftohen në temperaturë ambienti.

    Më pas merrni brumin pasi të jetë fryrë dhe zhysni në të brokolit një nga një në mënyrë që të mbulohen nga brumi.

    Ndërkohë vini në zjarr një tigan me vaj luledielli të ngrohet dhe hidhini brokolit tuaja një nga një të skuqen.

    Lërini të skuqen derisa të marrin ngjyrë të artë siç bëni zakonisht me petullat dhe kullojini në një letër kuzhine.

    Në këtë mënyrë do të hiqni vajin e tepërt nga petullat tuaja me brokoli.

    Lërini të ftohen për disa momente dhe mund t’i konsumoni shoqëruar me salca të ndryshme, sallatë apo mish.

    Mund t’i ruani deri në një ditë të mbyllura në frigorifer.

  • Sallatë me lakër të bardhë dhe kos – Mrekulli për shijen dhe shëndetin!

    Sallatë me lakër të bardhë dhe kos – Mrekulli për shijen dhe shëndetin!

    Lakrat e bardha në këtë periudhë janë në çdo treg fruta perimesh.

    Përveç shijes së veçantë, lakra ka nivelet më të larta të antioksidantëve mes perimeve, duke e shndërruar në një zgjedhje shumë të shëndetshme.

    Recetat me këtë perime janë të shumta, duke filluar nga dollmatë e mbushura me oriz e deri tek turshitë e mrekullueshme.

    Lakra e bardhë gjithashtu është dhe përbërësi i shumë sallatave plot vitamin dhe shije.

    Ju sjellim sot një kombinim të ri që ia vlen të provohet.

    Sallata me lakër të lardhë dhe kos përgatitet fare lehtë dhe mund të shoqërojë vaktet e ngrohta në familje.

    Mjaftojnë vetëm disa minuta dhe do të keni përgatitur një recetë të re për të kënaqur familjarët tuaj.

    Përbërësit

    • 150 g kos
    • 2 lugë gjelle me uthull molle
    • 1 lugë gjelle vaj ulliri
    • Kripë
    • Piper i zi
    • 500 g lakër

    Hapat e përgatitjes

    Filloni duke pastruar lakrën e më pas duke e shplarë me ujë të bollshëm.

    Lakrën duhet ta grini jo shumë imët. Mund të përdorni renden nga ana e rrallë e dhëmbëzave.

    Sipas preferencës, për më shumë shije mund të kombinoni lakër të bardhë me lakër të kuqe si dhe mund të shtoni edhe 2-3 karrota të grira në rende.

    Kalojeni lakrën e grirë në një tas të thellë dhe spërkateni me kripë dhe me duar shtypeni lehtë.

    Ky proces do të mundësojë që lakra të marrë kripën e nevojshme dhe të ketë një shije më të fortë.

    Në një tas të vogël hidhni kosin, uthullën e mollës kripën dhe piperin dhe me ndihmën e telit të kuzhinës përzjejini derisa të krijohet një masë homogjene.

    Këtë përbërje hidhjani sipër lakrës dhe përzjejeni në mënyrë që të gjitha copëzat e lakrës të jenë të mbuluara me të.

    Ju këshillojmë që për një shije më të mirë, mbulojeni tasin me qese kuzhine dhe vendoseni në frigorifer për të paktën 30 minuta.

    Kur e lejoni që të qëndrojë në frigorifer, lakra do të zbutet pasi do të përthithi lagështirën e kosit.

    Shija e tyre do të ndërthuret duke rezultuar në një sallatë të freskët dhe plot vlera shëndetësore. 

    Para se ta servirni lëreni pak në temperaturë ambjenti dhe spërkateni sipër me vaj ulliri.

  • Hiqni kilogramët e tepërt – Ja disa kombinime plot shije me tërshërë

    Hiqni kilogramët e tepërt – Ja disa kombinime plot shije me tërshërë

    Për humbje peshe dhe shëndet të mirë tërshëra është një zgjedheje perfekte, që do t’ju mbajë të ngopur gjatë gjithë pjesës së parë të ditës.

    Klikoje.al ju sugjeron disa kombinime të reja për t’a bërë mëngjesin tuaj më të larmishëm, por edhe më të shijshëm!

    Boronica dhe bajame

    Ju mund të mendoni se bajamet janë të pasura me kalori, por studimet tregojnë se njerëzit që hanë më shpesh arrorë kanë tendencë të kenë një indeks më të ulët të masës trupore (BMI).

    Dhe për më tepër ëmbëlsi, shtoni boronicat e freskëta ose të ngrira.

    Antocianinat, flavonoidet që i japin boronicave ngjyrën e tyre të veçantë, mund të kenë veti natyrale për të nxitur humbjen e peshës.

    Dardhë dhe kanellë

    Vetëm gjysma e një dardhe të mesme, është e pasur me fibra dhe përmban vetëm 50 kalori.

    Po ashtu edhe kaloritë e pakta të kanellës janë të papërfillshme, duke e bërë këtë një vakt me pak kalori.

    Ju mund të provoni të shtoni edhe dardhë të pjekur e të prerë imët.

    Fara liri, banane dhe gjalpë kikiriku

    Banania dhe gjalpi i kikirikut janë një kombinim klasik për humbje peshe!

    Një lugë gjelle gjalpë kikiriku përmban 4 gram proteina, ndërsa bananet shtojnë ëmbëlsinë dhe nuk keni nevojë për mjaltë apo sheqer.

    Spërkasni një lugë gjelle fara liri për më tepër fibra dhe acide yndyrore omega-3 të shëndetshme për zemrën.

    Kungull, turmerik dhe shegë

    Me një përzierje unike të puresë së kungullit, shafranit të Indisë dhe farave të shegës, ju do të përfitoni më shumë fibra për të frenuar urinë.

    Gjithashtu organizmi juaj do të përfitojë edhe mikronutrientë të rëndësishëm si vitamina A, vitamina C dhe kaliumi.

    Ndërkohë, vetitë antioksiduese të shafranit të Indisë e bëjnë atë një shtesë të vlefshme për regjimin tuaj ushqimor.

    Në fund shtoni shegë për ëmbëlsi dhe për më tepër vlera ushqyese.