Lajmet e fundit | Klikoje.al

Category: Histori

Kategoria Histori është kategoria ku do të gjeni artikuj nga më të ndryshmit rreth historisë shqiptare dhe atë të huaj.

  • Kush ishin dhe çfarë bënin shqiptarët para ardhjes së Perandorisë Osmane? 

    Kush ishin dhe çfarë bënin shqiptarët para ardhjes së Perandorisë Osmane? 

    Kur përmendet Perandoria Osmane, popujve të Ballkanit në radhë të parë mendja u shkon tek sundimi 500 vjeçar nga një ‘pushtues’ që erdhi nga Azia. Kjo është një listë me gjërat që kishim para pushtimit turk e që “vëllezërit” turq, nga dashuria për ne, na i hoqën për 5 shekuj:

    – Kishim një Universitet në vitin 1380 në Durrës. Qe te krijoni idenë: Gjermania e ka hapur universitetin e parë 6 vjet pas Durrësit (Heidelberg University).

    – Kishim 6 qytete plotësisht të zhvilluara po aq sa Firence, Venecia, Marseja apo Parisi. (Durrësi, Shkodra, Drishti, Lezha, Berati dhe Preveza)

    – Kishim klasën tonë aristokratike me 8 familje bujarësh (Balshajt, Topiajt, Muzakajt, Kastriotët, Arianitët, Zebenishtët, Shpatat dhe Dukagjinët) të lidhura në martesë deri edhe me Habsburg-ët dhe Bourbon-ët.

    – Kishim filozofët tanë humanistë që bënin “kërdinë” në Europë me idetë e tyre dhe ishin këshilltarë të familjeve perandorake në Hungari, Itali dhe Austri. (Gjon Gazhuli, Pal Engjëlli, Leonik Tomeo dhe Gjon Durrsaku)
    – Në Durrës intelektualizmi ishte aq i lartë sa kemi të dokumentuar në shekullin e XII për herë të parë notën e protestës së një Metropoliti Ortodoks, i cili i shkruan Konstandinopojës, kundër skllavërisë 300 vjet përpara se në Europë të fillonte si debat.

    – Në Durrës bëhej tregti deri edhe me Tunizinë, Ukrainën dhe me Francën që në shekullin V-VII. Ndërkohë që për shembull vendet skandinave jetonin ende duke adhuruar pemën apo malin.

    – Kisha e Shqipërisë kishte nxjerrë kardinal (dhe kardinal nuk ishte gjë e vogël atëherë).

    Çfarë ndodhi më pas? Asgjë! Thjeshtë erdhi Turku (Perandoria Osmane).

    Autori i shkrimit është i diplomuar në shkenca politike, psikologji dhe histori, si dhe është ligjërues në Universitetin e Durrësit.

  • 14 Mars – Zgjohen Zanat e Pranverës!

    14 Mars – Zgjohen Zanat e Pranverës!

    Në lashtësi, sipas Kalendarit Julian, marsi ishte muaji i parë i vitit.

    Në Evropë, kalendari Julian u zbatua derisa në vend të tij u vendos Kalendari Gregorian në vitin 1582.

    Por, në gjuhën e sotme shqipe ruhen ende gjurmë të kalendarit Julian.

    Pra, nëse viti kalendarik fillon me marsin, ka kuptim që muaji i shtatë të jetë shtatori, i teti tetori, i nënti nëntori dhe i dhjeti dhjetori.

    Edhe muajt e tjerë kanë lidhje me bujqësinë. Qershori është muaji i Qershive dhe Korriku, muaji i korrjeve. Ishte koha kur stinët ishin më të dallueshme.

    “Dita e Verës është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe grekërit e vjetër, në nderim të perëndive të luleve, të shelgjeve.

    Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botticellit. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës…”

    Ky është në fakt përkufizimi poetik i Faik Konicës për Ditën e Verës.

    Nga pikëpamja historike, Dita e Verës është shumë e hershme, me origjinë të lashtë pagane.

    Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.

    Ka të bëjë me ringjalljen; me ringjalljen pranverore të natyrës në raport me dimrin, në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë.

    Thuhet se ajo është festë arbëreshe e trashëguar në veçanti nga qytetarët e VALM-it Elbasanit (Skampa e lashtë) dhe festohet më 14 mars.

    Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi.

    Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan, po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.

    Pse në Elbasan?

    Rezulton se Dita e Verës është kremtuar në mbarë viset shqiptare.

    Por Elbasani, ende shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, është vendi ku Dita e Verës ndihet dhe përjetohet në kuptimin më të plotë të fjalës.

    Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.

    Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit.

    Kushdo që do të kalojë këto ditë pranë Elbasanit do të ndjejë aromën ndjellëse të ballakumeve.

    Ballakumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë.

    Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë bio dhe sheqer të imët.

    “Verore” quhet byzylyku prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë.

    Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.

    Dita e verës, si festohet në qytete të ndryshme?

    Fëmijët e Tropojës kanë zgjimin më të bukur në Ditën e Verës. Ata zgjohen mes lulesh, gjethesh e fijesh bari, të vendosura mbi jastëkë nga nënat e tyre herët në mëngjes.

    Më pas, fëmijët gjatë gjithë ditës këpusin dëllinja dhe i bashkojnë ato në një vend në formën e mullarit.

    Dëllinjave u vihet flaka në mbrëmje dhe fëmijët këndojnë dhe vallëzojnë rreth flakëve të larta.

    Për shkak të klimës paksa më të ftohtë, në Tropojë dita e Verës festohet në fund të Marsit – fillim Prilli (zakonisht data 6 prill).

    Edhe në Dibër fëmijët ndezin zjarre në mbrëmje. Por një tjetër karakteristikë e veçantë është se njerëzit atje zgjohen herët “për të mbyllur dyert”, një rit pagan ky i festimeve.

    Në Skrapar gatimi i Ditës së Verës është lakror me hithra. Qyteti i Pogradecit e feston këtë ditë më vezë të ziera të lyera në të kuqe.

    Fëmijët ndezin zjarre dhe vejnë në duar “veroret”. Në Korçë festohet nga disa në 1 Mars e nga të tjerë në 14 Mars. Përgjithësisht datat ndryshojnë sipas besimeve fetare.

    Kosovë “Dita e Verëzës”

    Në Kosovë, pjesë e festimeve janë daljet e të rinjve e të rejave në sheshe fshatrash, në bjeshkë, mbledhja e luleve të para.

    Vallëzimi e kënga, ndezja e zjarreve dhe gatimet speciale me miell misri e gruri, të cilat kanë ngjashmëri, por nuk janë si ballokumet e Elbasanit.

    Dita e Verës përfshin festime të të dy kulteve tona të vjetra, të Diellit dhe të Gjarpërit.

    Ndizen flakadane në majat e maleve dhe të kodrave, në shumë krahina bëhen zjarret e kashtës, thuren e jepen veroret, shëtitet në natyrë, mblidhen familjet e fiset.

    Është ditë begatie. Zgjohen Zotat e Bimësisë.

  • Mesazhi i errët që fshihet pas flamurit të anijeve pirate!

    Mesazhi i errët që fshihet pas flamurit të anijeve pirate!

    Kur përmendet anija pirate, gjëja e parë që të vjen ndërmend janë flamujt me një kafkë njeriu në të. Këta flamuj me simbolin e kafkës dhe kockave të kryqëzuara hynë në jetën tonë për herë të parë në shekullin e 17-të.

    Ato quhen ndryshe Jolly Roger dhe janë një simbol i përdorur nga anijet pirate para ose gjatë një sulmi.
    Kur arrijmë tek origjina e flamujve të piratëve, sipas disa burimeve, pretendohet se ky term vjen ose rrjedh nga fjala “Joli Rouge” (e bukur – e kuqe e mirë) për t’iu referuar një flamuri të kuq të përdorur nga piratët francezë.

    Piratët mendohet se janë gati për të vrarë dhe i atribuohen gjakut të derdhur.
    Sipas një burimi tjetër, mendohet se vjen nga termi anglez “Old Roger”, që do të thotë djall. Edhe pse piratët ishin jashtë autoritetit shtetëror, ata kishin rregulla strikte brenda vetes.

    Ata dinin të organizoheshin dhe mund të bëheshin pjesë e një administrate të disiplinuar.
    Një tjetër arsye se pse flamujt u krijuan ishte për të frikësuar “gjahun” e tyre. Ngjyra e zezë tregon se ata ishin piratë, por treshja e simboleve të ndërthurura tregonin vdekjen, dhunën dhe kohën e kufizuar.

  • Arkeologët zbulojnë gravurën 2,000 vjeçare të maces në faqen e kodrës (foto)

    Arkeologët zbulojnë gravurën 2,000 vjeçare të maces në faqen e kodrës (foto)

    Arkeologët kanë zbuluar një gravurë 2000-vjeçare të një maceje të gdhendur në një kodër rreth 250 milje në juglindje të Limas, Peru, raporton agjencia spanjolle e lajmeve EFE. Macja është rreth 120 metra e gjatë.

    Ngjashmëria e identifikuar rishtazi është një linjë Nazca —një nga qindra vizatimet e lashta të krijuara në shkretëtirën peruane duke hequr gurët dhe dheun për të prodhuar një imazh “negativ” në rërë, shkruan Jason Golomb për National Geographic.

    Linjat e tjera Nazca përshkruajnë kafshë duke përfshirë orka, majmunë, kolibra dhe merimangat, si dhe forma gjeometrike dhe figura humanoide.

    “Zbulimi tregon, edhe një herë, trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore të këtij vendi,” thotë Ministria e Kulturës e Perusë. Imazhi i maces së shtrirë ishte “mezi i dukshëm” përpara pastrimit dhe konservimit dhe studiuesit e gjetën atë vetëm pasi zbuluan shenja të “diçkaje intriguese” pranë pikës së vëzhgimit Mirador Natural.

    “[Ajo] ishte gati të zhdukej sepse ndodhet në një shpat mjaft të pjerrët që është i prirur ndaj efekteve të erozionit natyror,” shpjegon ministria.

    Linjat Nazca, janë grupe gjeoglifesh, vizatime të mëdha vijash që duken nga distanca, të gdhendura në sipërfaqen e Tokës në Pampa Koloradën e thatë (“Rrafshi me ngjyra” ose “Rrafshi i kuq”), në veriperëndim të qytetit të Nazca në Perunë jugore . Ato shtrihen në një sipërfaqe prej afro 500 km katror.

    Shumica e Linjave Nazca u ndërtuan më shumë se 2000 vjet më parë nga njerëzit e kulturës Nazca (rreth 200 P.E.S. – 600 E.S. ), megjithëse disa qartësisht i paraprijnë Nazca-s dhe konsiderohen të jenë vepër e mëparshme e Kulturës së Paracas

  • A e dini cila është origjina e maskave të karnavaleve?!

    A e dini cila është origjina e maskave të karnavaleve?!

    Karnavalet! Të gjithë me maska, për t’u veshur, fshehur, argëtuar dhe bërë shaka. Por cila është origjina e tyre? Çfarë kuptimi dhe rëndësie kanë pasur ato në historinë e njerëzimit?

    Në lëkurë, dru, metal, kocka, pëlhura, gurë dhe terrakota: Që nga kohërat parahistorike, njeriu e ka fshehur fytyrën pas maskave. Në rituale dhe kulte, funerale, teatro apo karnavale.

    “Nga pikëpamja antropologjike, maska është një simbol i rëndësishëm, i pranishëm në shumicën e kulturave dhe transversal në të gjitha epokat”.

    Simboli i fytyrës, pjesa kryesore e kokës ku përqendrohej fuqia, përdorej dhe përdoret ende për qëllime të ndryshme, por në përgjithësi mund ta përkufizojmë si një mjet për të përfaqësuar diçka duke fshehur diçka tjetër”- thotë antropologu Masimo Çentini.

    Ndër të parët që mbanin një maskë të tillë, më i famshmi është padyshim shamani i pikturuar 17-12 mijë vjet më parë nga duart e një njeriu të Epokës Paleolitike në një mur në shpellën Trua Frere në Francë. Studiuesit kanë hipotetizuar prej kohësh se maska e tij e drerit, kishte një funksion simbolik në ritualet e gjuetisë, por sot teza vihet në pikëpyetje.

    “Mendoj se mund të jetë një maskim praktik për t’iu afruar gjahut. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: Sot, ashtu si atëherë, vendosja e maskës ishte një operacion ritual, i kryer nga njerëz që kishin një rol të veçantë në komunitet, për të krijuar një lidhje midis botës së dukshme të njerëzve dhe botës së padukshme të shpirtrave ose Perënditë”- nënvizon eksperti italian.

    Lidhja me botën tjetër ishte aq e fortë, saqë shpeshherë maskat dhe vdekja shkonin dorë për dore. Ndonjëherë duke kundërshtuar efektet e dëmshme të Njeriut më Kosë, një imazh që simbolizon vdekjen, dhe të tilla ishin maskat mikenase dhe egjiptiane. Dy më të famshmet ishin ajo e Agamemnonit (rreth vitit 1550 Para Krishtit) dhe të faraonit Tutankhamun (vitit 1323 Para Krishtit).

    Që të dyja prej ari, dhe të karakterizuara nga tipare realiste, ato përfaqësonin “fytyrën e përjetshme” të të ndjerit. “Ishte një mënyrë për të ndaluar procesin e kalbjes së trupit. Por në kultura të ndryshme, maska ishte gjithashtu një mjet për të ruajtur tiparet e të ndjerit. Si fotot tona mbi varret e sotme”- shpjegon Çentini.

    Në Romën e lashtë, atdheun e kultit të individit, dëshira për të ruajtur fizionominë e njerëzve të dashur u shndërrua në Ius Imaginum, një privilegj që u njihej fisnikëve, i përshkruar edhe nga Polibi (shek.II Para Krishtit): Pas laudatio funebris, të vdekurin e varrosin në varr ,e ritet e zakonshme të varrimit dhe imazhi i tij, i mbyllur në një arkë prej druri, çohet në vendin më të dukshëm të shtëpisë”- shkruan historiani grek.

    Imazhi në fjalë ishte një maskë prej dylli, e marrë direkt nga fytyra e të ndjerit. Ashtu siç bëjnë gjyshërit tanë me fotografitë e vjetra, maskat e të ndjerëve hiqeshin nga ai lloj albumi i madh familjar 3D vetëm në raste të veçanta, për t’u veshur nga njerëz me tipare të ngjashme me pronarët e dikurshëm, të cilët parakalonin gjatë ceremonive të sakrificave publike apo funeraleve të të afërmve prestigjiozë.

    “E kush nuk do të nxitej nga pamja e imazheve, që ishin të gjalla dhe frymëzuese?”-pyeste Polibi. Etruskët, grekët dhe romakët i zbukuronin dyert e pallateve dhe qyteteve me fytyrat e kujdestarëve të tmerrshëm e me fuqi të mbinatyrshme. Këto maska kishin një funksion apotropaik (nga greqishtja apotrépein, “për të larguar”), pra shërbenin për të frikësuar dhe mbajtur larg shpirtrat e këqij.

    Megjithatë, gjatë ceremonive rituale, një maskë e varur mbi një shtyllë mjaftonte për të garantuar praninë e një hyjnie. Historianët spekulojnë se ky ishte funksioni i ovaleve gëlqerore, të prodhuara nga njerëzit e neolitit rreth 7000 vjet më parë.

    Dhe sigurisht po këtë funksion kishin maskat e Dionisit që grekët i vendosnin mes gjetheve gjatë riteve të egra të natës për nder të Zotit të Dehjes. Për grekët e lashtë shfaqjet e para teatrale, që u zhvilluan në Athinë gjatë festave për Dionisin, kishin një vlerë fetare. Nuk e dimë nëse ishte kjo arsyeja që nga fundi i shekullit VI P.E.S, paraardhësi mitik i familjes së madhe të tragjedianëve grekë, Tespis, i nxiti aktorët e tij që t’i mbanin ato në skenë.

    Megjithatë, arsyet teknike për këtë zgjedhje janë të pamohueshme. Maska i jepte mundësi një burri të vetëm të luante role të shumta, dhe të kompensonte mungesën e grave, të cilat e kishin të ndaluar të dilnin në skenë. Po ashtu, maska i lejonte aktorët të ndryshonin “statusin” e tyre dhe të shpreheshin në një mënyrë që përndryshe konsiderohej e pahijshme.

    Karnavalet janë momenti në të cilin rregullat përmbysen dhe realiteti mund të shtrembërohet, në një përmbysje të roleve shoqërore që rrjedhin nga tradita romake e Saturnalias. Në këto festime të lashta fetare, zhdukeshin ndarjet dhe detyrimet klasore, duke u lënë vendin festimeve.

    E njëjta gjë ndodhte në Festën e Budallenjve, riinterpretimi mesjetar i Saturnalisë, i cili u përhap mbi të gjitha në Francë midis shekujve XII-XVII: 3 ditë festime të çmendura dhe çlirimtare, midis priftërinjve dhe klerikëve të veshur si gra dhe të varfërve dhe të margjinalizuara të veshur si peshkopë dhe Papë.

     “Maska, e cilësuar nga Kisha si një instrument djallëzor i mashtrimit, përjetoi një fenomen desakralizimi në mesjetë”- shtoi ai. Çentini thotë se në një proces që mund ta përkufizojmë si laicizëm, ajo trashëguar në një kontekst folkloristik. Gjykatat dhe rrugët u bënë vendi i shakave dhe maskaradave, siç ishin mattaccini-t në Venecia, të cilët argëtoheshin duke i hedhur lëvozhgat e vezëve plot me ujë mbi zonjat që kalonin aty pranë.

    Në vitin 1608, kur Venecia për çështje të rendit publik e ndëshkoi përdorimin e maskave jashtë festës së karnavaleve, ato kishin pushtuar tashmë pjesën tjetër të Italisë, falë përhapjes së Commedia dell’Arte.

  • Historia e rrallë dhe intriguese e njerëzve me lëkurë blu!

    Historia e rrallë dhe intriguese e njerëzve me lëkurë blu!

    Familja Fugejt nga Kentaki, SHBA, është e famshme për shkak të një gjendje të rrallë gjenetike të njohur si “metemoglobinemia”, që i bëri disa nga anëtarët e saj të kishin lëkurë natyrale blu. Kjo gjendje shkaktohet nga një mutacion gjenetik që ndikon mbi mënyrën se si trupi e përpunon hemoglobinën, proteinën që e mbart oksigjenin në gjak.

    Familja Fugejt u vendos për herë të parë në zonën Trabëllsam Krik të Kentakit gjatë viteve 1800. Themeluesi i familjes, Martin Fugejt, ishte një jetim francez i cili emigroi në Shtetet e Bashkuara dhe u martua atje me një grua vendase të quajtur Elizabet Smith. Çifti pati disa fëmijë, disa prej të cilëve trashëguan mutacionin gjenetik që shkaktoi metemoglobineminë.

    Po çfarë e shkakton saktësisht lëkurën blu? Kjo gjendje shkaktohet nga një mutacion gjenetik në gjenin që kodon enzimën diaforazë-1, e cila është përgjegjëse për shndërrimin e formës toksike të hemoglobinës, methemoglobinës, në formën normale. Kur kjo enzimë nuk funksionon siç duhet, rritet niveli i metemoglobinës në gjak, gjë që çon në mungesën e oksigjenit që dërgohet në indet e trupit. Kjo sjell edhe ngjyrën kaltëroshe të lëkurës, e cila është një simptomë e kësaj gjendje shumë atipike.

    Lëkura blu e familjes Fugejt u shkaktua nga një lloj specifik i metemoglobinemisë, i njohur si “Metemoglobinemia Familjare e Tipit 1”, e cila trashëgohet në një model autosomik recesiv. Kjo do të thotë që gjenin duhet ta bartin të dy prindërit, në mënyrë që të preket edhe fëmija i tyre. Fugejt u martuan për breza të tërë, gjë që i shtoi shanset që gjeni t’u kalonte pasardhësve të tyre.

    Metemoglobinemia është një çrregullim i rrallë që ndikon në kapacitetin e gjakut për të mbajtur oksigjen. Ajo ndodh kur ka një sasi jonormale të një forme hemoglobine të quajtur methemoglobina në gjak. Hemoglobina është një proteinë në qelizat e kuqe të gjakut, e cila transporton oksigjen në indet e trupit. Metemoglobina është një formë e hemoglobinës që nuk është në gjendje të bartë oksigjen në mënyrë efektive.

    Metemoglobinemia mund të shkaktohet nga një mutacion gjenetik, medikamente të caktuara ose ekspozimi ndaj kimikateve ose toksinave të caktuara. Në disa raste, shkaku është i panjohur. Simptomat e metemoglobinemisë mund të përfshijnë cianozë (ngjyrë blu e lëkurës dhe mukozave), gulçim, lodhje, dhimbje koke dhe konfuzion.

    Në raste të rënda, mund të çojë në konvulsione, koma dhe vdekje. Ekzistojnë lloje të ndryshme të metemoglobinemisë, secila me një shkak të ndryshëm. Format më të zakonshme janë metemoglobinemia e fituar dhe ajo e trashëguar.

    Metemoglobinemia e fituar shkaktohet nga ekspozimi ndaj disa medikamenteve, kimikateve ose toksinave, ndërsa metemoglobinemia e trashëguar shkaktohet nga një mutacion gjenetik.

    Diagnoza e methemoglobinemisë bëhet zakonisht përmes një testi gjaku, i cili mat sasinë e metemoglobinës në gjak. Trajtimi ndaj methemoglobineminë ndryshon në varësi të shkakut dhe ashpërsisë së gjendjes. Në raste të lehta, nuk kërkohet trajtim. Në raste më të rënda, trajtimi mund të përfshijë një mori kurash.

    Për familjen që përmendëm në fillim të këtij artikulli, gjendja nuk ishte e dëmshme për shëndetin, por i bëri ata të dalloheshin në komunitetin e tyre. Lëkura blu ishte një burim kurioziteti dhe magjepsjeje për shumë njerëz. Kjo simptomë vazhdoi të ishte e pranishme në familjen Fugejt për breza të tërë, me disa anëtarë të familjes të prekur dhe të tjerët jo.

    Në fillimin e shekullit të kaluar, një mjek i zonës i quajtur D.W. Pug nisi të studionte gjendjen e tyre. Ai zbuloi se gjendja ishte shkaktuar nga një mutacion gjenetik dhe se ishte trashëguar në një model autosomik recesiv. Ai gjithashtu zbuloi se gjendja nuk ishte e dëmshme për shëndetin e të prekurve.

    Katër nga shtatë pasardhësit e çiftit Fugejt e kishin ngjyrën blu të lëkurës së babait të tyre. Për shkak se banorët e vendbanimeve fqinje ishin të kujdesshëm për të bashkëvepruar me fëmijët Fugejt, ata u detyruan të jetonin një jetë të izoluar për një kohë shumë të gjatë. Njerëzit kishin frikë të martoheshin me pjesëtarët e kësaj familjeje sepse mendonin se mund të përfundonin me fëmijë me lëkurë blu. Si rezultat i ndarjes dhe persekutimit, disa nga pasardhësit e Fugejt u martuan dhe patën fëmijë brenda linjës së tyre të gjakut. Të afërmit e tjerë të Fugejt u martuan nga Fugejtët.

    Kjo krijoi hapësirë që të vazhdonte të prodhohej gjeni i “lëkurës blu”. Ndërkohë pasardhës të tjerë të familjes u zhvendosën në rajone të ndryshme të SHBA-së dhe u martuan me të huaj. Për më tepër, kjo rriti gjasat që ata ta kalonin këtë tipar dhe të prodhonin pasardhës të tjerë shtesë me lëkurë blu.

    Anëtari i fundit i kësaj familje që ka lindur me gjenin e metemoglobinemisë është Benxhamin Stejsi. Mjekët u tmerruan kur panë në vitin 1975 një të porsalindur me lëkurë ngjyrë blu shumë të theksuar. Kur gjyshja e tij zbuloi se ajo kishte prejardhje nga linja Fugejt, ata sapo kishin përfunduar testimin e tij dhe ishin gati t’i bënin një transfuzion gjaku.

    Megjithëse fytyra e Benxhamin që në lindje ishte praktikisht vjollcë, shenjat e çrregullimit gjenetik u pakësuan me rritjen e tij. Pas një muaji, çehrja e tij u bë rozë, por në raste të rralla, kur kishte ftohtë apo ishte i stresuar, bëhej sërish blu. Ndërkohë, është e rëndësishme të theksohet se lëkura blu e kësaj familjeje nuk është unike, dhe se kushte të ngjashme gjenetike ekzistojnë në popullata të tjera në mbarë botën.

    Burimi: CNA.al

  • Restoranti më i vjetër në botë! (FOTO)

    Restoranti më i vjetër në botë! (FOTO)

    Ekziston një restorant që këtë vit feston 298 vjet aktivitet dhe është restoranti më i vjetër në botë ende në funksion, siç konfirmohet nga Rekordet Botërore Guinness. Sobrino de Botin është një restorant në Madrid, i themeluar në 1725 nga Cándido Remis.

    Rekordet Botërore Guinness e njohin Sobrino de Botin si restorantin më të vjetër në botë. Restoranti është i famshëm për historinë e tij dhe atmosferën komode, me mure të mbuluara me fotografi dhe kujtime që datojnë shekuj më parë.

    Kuzhina e restorantit është e famshme për specialitetet e saj të mishit të derrit të pjekur në skarë, duke përfshirë edhe cochinillo asado (derr i pjekur). Sobrino de Botin drejtohet nga brezi i katërt i familjes González, trashëgimtar i familjes.

    Restoranti ruan ende furrën origjinale me dru. Shumë shkrimtarë të famshëm kanë shkruar për Sobrino de Botin: Galdós (Fortunata y Jacinta, Misericordia), Hemingway (Fiesta), Graham Greene (Monseñor Quijote), Gómez de la Serna (Greguerías) ose, aktualisht, María Dueñas ( El tiempo entre costuras).

  • Çfarë do të ndodhë nëpër botë gjatë vitit 2023? Ja cilat janë 10 skenarët

    Çfarë do të ndodhë nëpër botë gjatë vitit 2023? Ja cilat janë 10 skenarët

    Nga Richard Haass “Project Syndicate”

    Lojtari amerikan i bejsbollit Lawrence “Yogi” Berra citohet të ketë thënë në një rast:“Është e vështirë të bësh parashikime, sidomos për të ardhmen!”.

    Pavarësisht nëse e ka thënë vërtet këtë gjë apo jo, argumenti i tij vlen. Gjithsesi, ja cilat janë 10 parashikimet e mia për botën për vitin që sapo ka nisur.

    Së pari, lufta në Ukrainë, çështja dominuese e vitit 2022, do të vazhdojë, edhe pse në një nivel më pak intensiv. As Rusia dhe as Ukraina nuk do të jenë në gjendje të arrijnë një fitore të plotë ushtarake, gjithnjë nëse me fitore kuptohet shpartallimi i palës tjetër dhe si diktimi i kushteve të një zgjidhjeje territoriale ose politike të pasluftës.

    Fitore nuk do të arrijnë as diplomatët, nëse ajo përkufizohet si arritja e një marrëveshjeje që të dyja qeveritë që janë të gatshme ta nënshkruajnë dhe respektojnë. Paqja kërkon udhëheqës që janë të gatshëm dhe të aftë për kompromise, dy elementë që mungojnë dukshëm (edhe pse për arsye të ndryshme) nga të dyja palët.

    Së dyti, ndërsa shumë politikë-bërës janë të përqendruar tek potenciali i një lufte SHBA-Kinë mbi Tajvanin, kjo gjë duket shumë e pamundur të ndodhë këtë vit. Udhëheqësi kinez Xi Jinping është zënë duke u përballur me një rritje dramatike të rasteve me Covid-19 që po nxjerr jashtë funksionit sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit të tij, po ngre pikëpyetje në lidhje me kompetencën e Partisë Komuniste në pushtet, dhe po e dobëson më tej atë që ishte tashmë një ekonomi më një ritëm të ngadalësuar.

    Kina nuk e ka braktisur aspak synimin e saj për të vendosur nën kontroll Tajvanin, madje edhe me forcë nëse është e nevojshme. Por ndërsa do të vazhdojë të rrisë presionin mbi Tajvanin, ka të ngjarë që t’i ketë shtyrë me të paktën disa vjet veprimet më agresive.

    Së treti, ngjarja e vitit do të jetë shfaqja e Japonisë si një aktore gjeopolitike e madhe. Rritja ekonomike e ekonomisë së tretë më të madhe në botë është rishikuar me tendencë rritje në 1.5 për qind, ndërsa shpenzimet e mbrojtjes po shkojnë drejt dyfishimit, duke arritur në 2 për qind të PBB-së.

    Duke pasur një nga ushtritë më të afta në rajon, Japonia do të lidhet më ngushtë me SHBA-në për të penguar ose nëse është e nevojshme për ta mbrojtur Tajvanin nga agresioni kinez. Më shumë sesa për Gjermaninë, 2023-shi do të jetë viti kur Japonia do të hyjë në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore.

    Së katërti, është gati e sigurt që Koreja e Veriut do të kryejë testin e saj të shtatë bërthamor, përveç testeve të shpeshta të raketave balistike. As Koreja e Jugut dhe as SHBA-ja nuk do të jenë në gjendje të parandalojnë veprime të tilla, ndërsa Kina, i vetmi vend në gjendje ta bëjë këtë, nuk do përdorë levat e saj të konsiderueshme për të mos e dobësuar fqinjin e saj, duke vënë në lëvizje dinamika që mund të shkaktojë destabilitet në periferinë e saj.

    Së pesti, marrëdhëniet transatlantike, që sot janë më të forta tani për tani për shkak të një vullneti të përbashkët për t’i bërë ballë pushtimit të Rusisë dhe ndihmuar Ukrainën, do të vuajnë nga fërkimet e shtuara, për shkak të pakënaqësisë së evropianëve me proteksionizmin ekonomik të SHBA-së dhe pakënaqësisë së amerikanëve me varësinë e vazhdueshme ekonomike të kontinentit nga Kina. Ato mund të vuajnë edhe si pasojë e ndryshimeve në qasje mbi mbështetjen ushtarake, ekonomike dhe diplomatike për Ukrainën dhe mbi nivelet e shpenzimeve në mbrojtje.

    Së gjashti, ekonomia globale ka të ngjarë të zgjerohet më ngadalë se sa parashikojnë aktualisht shumica e analistëve. FMN po parashikon një rritje globale 2.7 për qind. Por
    shifra reale mund të jetë më i ulët. Kjo për shkak të keq-menaxhimit të Covid-19 nga Kina, vazhdimit të uljes së normës së interesit nga Rezerva Federale e SHBA, destabiliteti politik në pjesë të Afrikës dhe Amerikës Latine, ngjarjet ekstreme të motit dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit.

    Së shtati, Konferenca vjetore e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP28 mbahet këtë vit në Dubai) do vazhdojë të zhgënjejë. Në kushtet kur shqetësimet ekonomike afatshkurtra po i tejkalojnë konsideratat afatmesme dhe afatgjata mbi klimën, efektet e ngrohjes globale ka të ngjarë të përkeqësohen ndjeshëm.

    Së teti, marrëdhëniet izraelito-palestineze do të bëhen më të dhunshme pasi ndërtimi i vendbanimeve nga Izraeli do të zgjerohet, dhe diplomacia nuk po tregon asnjë perspektivë për krijimin e një shteti palestinez, me kushtet që mund të pranohen nga të dyja palët.

    Së nënti, India do të vazhdojë të zhgënjejë ata që parashikojnë gjëra të mëdha për të. Ajo do vazhdojë të blejë armë dhe naftë nga Rusia, dhe do t’i përmbahet mos-angazhimit, edhe pse kërkon më shumë ndihmë nga Perëndimi kundër Kinës. Po ashtu ekziston rreziku që India të vazhdojë të bëhet gradualisht më jo-liberale dhe më pak laike.

    Së fundi, Irani ka të ngjarë të jetë çështja dominuese e këtij viti. Protestat kundër regjimit
    do të përshkallëzohen për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike dhe përçarjeve brenda udhëheqjes, nëse do të arrihet një kompromis apo do arrestohen dhe vriten protestuesit.

    Marrëveshja bërthamore e 2015-ës nuk do të rikthehet më, duke pasur parasysh ndihmën ushtarake të Iranit për Rusinë dhe dëshirën e SHBA-së për të shmangur ndihmën ndaj ekonomisë së një regjimi armik. Udhëheqësit iranianë mund të zgjedhin të vazhdojnë programin e tyre me shpresën e arritjes së një përparimi vendimtar, apo për të provokuarn një sulm nga Izraeli, skenar që do t’i lejonte të bënin thirrje për unitet kombëtar.

    Një mundësi tjetër është që kohezioni i forcave të sigurisë t’i lërë vendin luftës civile. Për herë të parë që nga rënia e Shahut në vitin 1979, e ardhmja e Republikës Islamike do të jetë në dyshim serioz. Për të gjitha këto që përmenda më lart, 2023-shi mund të mos jetë një vit i ri i lumtur, por do të jetë me siguri një vit interesant.

    Shënim:Richard Haass, drejtues i think-tankut “Council of Foreign Relations”. Më herët ka qenë Drejtor i Planifikimit të Politikave për Departamentin e Shtetit të SHBA (2001-2003).

    Burimi: Albeu.com

  • HISTORI/ Letra 571-vjeçare shkruar nga dora e Skënderbeut

    HISTORI/ Letra 571-vjeçare shkruar nga dora e Skënderbeut

    Historiani Jahja Drancolli ka publikuar në Facebook, një letër të rrallë autografe të Gjergj Kastriot Skënderbeut dërguar “Bujarisë së Republikës së Sienës në Itali. Letra besohet se është shkruar 568 vjet më parë, përkatësisht më 8 gusht të vitit 1451.

    Drancolli thonë se letra autografe në fjalë është e njohur për njërën ndër 10 letra autografe (të nënshkruara) nga vetë dora e Skënderbeut, që ruhën në arkiva të njohura të botës, si: Romë, Venedik, Milano, Napoli, Paris, Dubrovnik, Zagreb dhe Beograd.

    Kjo letër autografe, e shkruar me shkrimin humanist të kohës në latinisht dhe italisht, është një fragment i shkurtër nga një histori madhore. Ky dokument i çmuar i dërguar nga Lazri, abati i Arbrit, ishte shkruar në një karton të zakonshëm pambuku (bombagine) të kohës dhe siç shihet nga faksimili, në të dy anët e fletës (folio) ruhen shenjat e vulës (sigillum) të Skënderbeut, i cili mban datën 8 gusht 1451. Ndërsa letra në fjalë arriti në duart e Bujarisë së Republikës së Sienës më 13 shtator 1451.

  • Filmi “Nëntori i dytë”, ja pse u hoq pjesa kur Isa Boletini luftonte me serbët

    Filmi “Nëntori i dytë”, ja pse u hoq pjesa kur Isa Boletini luftonte me serbët

    Eriona Vyshka, specialiste në Arkivin Qendror të Filmit tregon mbi kërkimet për të gjetur pjesën e censuruar nga filmi “Nëntori i dytë” të cilën regjisori Viktor Gjika e përmend në kujtimet e tij. Në fillim të viteve 80-të regjisorit Viktor Gjika, në prag të jubileut të 70-të të Pavarësisë së vendit, do ti linte idea për të realizuar një prodhim kinematografik mbi ngjarjen më të rëndësishme për shqiptarët.

    Në kujtimet e lëna pas, regjisori tregon për këtë moment:“E vetmja vështirësi që nuk u kapërcye dot ishte vendimi i Komisionit të Kontrollit Paraprak për të hequr nga filmi episodin “Beteja tek ura me tre harqe”, në të cilën Isa Boletini detyrohet të ndeshet me ushtarët serbë, që të hapë rrugën për të qenë prezent në momentin e Shpalljes së Pavarësisë. Ishte pikërisht kjo betejë që e çoi Isën në Vlorë dy ditë me vonesë.

    Episodi ishte mjaft dramatik. Peisazhi i ashpër malor, ura antike, lumi plot ujëra të turbullta, përleshja trup më trup aty mbi urë dhe kapja rob e ndëshkimi i oficerit serb Mitroviç, masakruesi i kosovarëve në fillim të filmit, e bënin atë episod sipas kolegëve të mi që arritën ta shohin filmin e pacensuruar, një nga më të bukurit të xhiruar prej meje në kinematografi. Po nuk qe e thënë! U ngul këmbë që episodi të hiqej, ndryshe filmi nuk do të shfaqej”, shkruan Gjika në kujtime.

    Çfarë përmbante pjesa e humbur e filmit?

    Ky ishte episodi i betejës së Isa Boletinit dhe njerëzve të tij me serbët. Ai ishte nisur nga Kosova për të ardhur në Vlorë për shpalljen por nuk e arriti datën 28 pikërisht se u vonua duke luf.tuar në këtë betejë, e kështu arriti 2 ditë pas shpalljes së Pavarësisë.Edhe në histori kështu ka ndodhur.

    Por, duke qenë se në atë kohë, në vitin 1982 kur po prodhohej filmi, marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë ishin të acaruara, atëherë e hoqën këtë episod nga filmi, që të mos bëhej shkak për përkeqësim të marrëdhënieve, pasi në këtë betejë u bë një kasaphanë e vërtetë me serbët.

    Në dokumentacionin që kemi në AQSHF, ka mbetur vetëm një foto që dëshmon për këtë episod, një foto e Isa Boletinit (Reshat Arbana) dhe çetës së tij si edhe materialet e shkruara të filmit, skenari letrar dhe ai teknik në të cilin zbërdhehet episodi në fjalë. Sot, të gjitha materialet janë të disponueshme për studiuesit në AQSHF.