100 mijë euro në kriptomonedha, mashtrimi ndaj kreut të FSHF-së përfundon me dy arrestime

by KLIKOJE.AL

Dy të rinj janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se tentuan t’i merrnin 100 mijë euro kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, përmes një skeme mashtrimi. Të arrestuarit, Edison Korra, 24 vjeç dhe Orest Balla, 23 vjeç, dyshohet se kanë kontaktuar Dukën përmes aplikacionit “Signal”, duke u prezantuar me emrin e Taulant Ballës. Sipas të dhënave të bëra publike, atij i është kërkuar fillimisht që shuma prej 100 mijë eurosh të dërgohej në kriptomonedha.

Duka dyshoi se bëhej fjalë për një tentativë mashtrimi dhe njoftoi policinë. Pas denoncimit, grupi hetimor nisi dokumentimin e komunikimeve dhe organizoi një operacion për kapjen e autorëve. Sipas burimeve nga grupi hetimor, të cilave u referohet gazetarja Xhensila Kodra, shuma e kërkuar ishte 100 mijë euro dhe fillimisht ishte kërkuar në kriptomonedha. Më pas, gjatë komunikimit, është dakordësuar që paratë të dorëzoheshin në cash.

Për të dokumentuar rastin, agjentë të infiltruar kanë komunikuar me dy të rinjtë. Në një moment, Duka u ka thënë se për çështjet e kriptomonedhave duhet të kontaktonin djalin e tij. Më pas, një agjent i policisë është prezantuar si i biri i Dukës dhe u ka komunikuar të dyshuarve se paratë nuk mund t’i siguronte në kriptomonedha, por do t’ua dorëzonte në euro. Sipas burimeve, dorëzimi i parave është kryer në Elbasan, aty ku jetonin dy të rinjtë. Operacioni përfundoi me arrestimin e tyre në flagrancë.

Pas arrestimit, të dyshuarit raportohet se nuk kanë dhënë deklarime të hollësishme për policinë lidhur me personat që mund të fshihen pas skemës. Sipas burimeve hetimore, një prej dyshimeve lidhet me Florian Gjergjin, por kjo mbetet pjesë e hetimit. Hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë skemën, rolin e secilit prej të arrestuarve dhe nëse pas tyre qëndrojnë persona të tjerë.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.