Tirana dhe Partizani po hyjnë në një tjetër derbi me pritshmëri të larta dhe tension të zakonshëm për këtë përballje historike të futbollit shqiptar.
Në qendër të vëmendjes për bardheblutë është Redon Xhixha, i cili kërkon rikthimin te goli në një ndeshje ku çdo moment mund të vendosë fatin e sfidës. Sulmuesi ka një kujtim të veçantë nga derbi, pasi hera e fundit që ka shënuar ndaj Partizanit daton më 2 tetor 2022, një ndeshje ku ai u kthye në protagonist absolut, ku prej asaj sfide kanë kaluar 1300 ditë. Në atë takim, Xhixha zhbllokoi rezultatin me një goditje të saktë me të djathtën në minutën e 6-të, pas një aksioni të ndërtuar mirë dhe asistit të Marsel Ismajlgecit, duke i dhënë avantazhin Tiranës.
Vetëm pak minuta më vonë, ai vulosi dominimin e Tiranës në atë derbi, duke shënuar edhe golin e dytë për 0-2, këtë herë pas një pasimi të Ardit Deliut. Ajo ndeshje mbeti një nga paraqitjet më të forta të Xhixhës në një sfidë të tillë, ku efikasiteti i tij në zonë bëri diferencën dhe i dha Tiranës një fitore me shumë peshë. Që nga ajo mbrëmje, sulmuesi nuk ka arritur të gjejë sërish rrugën e rrjetës në derbi, gjë që e rrit edhe më shumë motivimin e tij për sfidën e radhës.
Tani, në një moment tjetër të rëndësishëm të sezonit, Xhixha kërkon të rikthehet vendimtar dhe të përsërisë ndikimin e tij në një ndeshje ku emocionet janë gjithmonë në maksimum. Përballë një rivali të fortë si Partizani, çdo rast i krijuar mund të jetë vendimtar, ndërsa pritshmëritë për Xhixhën janë të mëdha. Derbi nuk fal, dhe pikërisht për këtë, rikthimi i tij te goli do të kishte një peshë të veçantë si për Tiranën, ashtu edhe për rrjedhën e ndeshjes.