Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: Policia e shtetit

  • Përballjet me Çekinë e Ukrainën, policia e shtetit publikon planin e masave dhe apeli që ka për tifozët

    Përballjet me Çekinë e Ukrainën, policia e shtetit publikon planin e masave dhe apeli që ka për tifozët

    Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për mbarëvajtjen e dy sfidave të Shqipërisë në Ligën e Kombeve, me Çekinë më 16 Nëntor dhe Ukrainën më 19 Nëntor, që do të zhvillohen në stadiumin Air Albania.

    Gjatë datës ditës së nesërme, 16 nëntor, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

    Rrugët që do të jenë të bllokuara:

    * Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;

    * Rruga “Papa Gjon Pali II”;

    * Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

    * Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

    * Rruga “Themistokli Gërmenji”;

    * Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;

    * Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

    * Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;

    * Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;

    * Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

    Punonjësit e Policisë do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

    Gjithashtu u apeluan tifozë që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, duke filluar nga kjo orë, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

    Gjithashtu, iu bë thirrje që të jenë vigjilentë për të mos rënë pré e mashtrimit me çmimet e biletave, të cilat janë të bëra publike zyrtarisht, si dhe që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin.

    “Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas rradhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar”, informon policia.

  • Erzeni-Partizani, sherri i kushton shtrenjtë katër lojtarëve; procedohen penalisht (POSTIMI)

    Erzeni-Partizani, sherri i kushton shtrenjtë katër lojtarëve; procedohen penalisht (POSTIMI)

    Erzeni-Partizani U-21 prodhoi skena të turpshme. Ditë e djeshme u luajt sfida e kampionatit në stadiumin “Tofik Jashari”  në Shijak, për të cilën policia nuk ishte vënë në dijeni të kësaj ndeshjeje.

    Kjo sfidë do të përfundonte 2-2 dhe në fund të saj futbollistët kanë nisur  të godasin njëri tjetrin, ndërsa nuk kanë ndaluar as të sharat.  Pas kësaj situate Policia ka njoftuar se ditën e sotme janë proceduar penalisht 4 lojtarë nga të dy ekipet.

    Gjithashtu të gjitha materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

    POSTIMI I POLICISË

    U konfliktuan fizikisht dhe dëmtuan ambientet e dhomave të zhveshjes, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit “Erzeni-Partizani”, procedohen penalisht 4 lojtarë të 2 ekipeve të kategorisë U-21.

    Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 14:00, ndërmjet lojtarëve të ekipeve të kategorisë U-21, “Erzeni” dhe “Partizani”, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet tyre, në fushën sportive “Tofik Jashari” (aktivitet për të cilin nuk ishte njoftuar Policia), ju informojmë se:

    Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, për 4 lojëtarë të 2 ekipeve të futbollit, konkretisht shtetasit J. H., 20 vjeç, R. Ç., 20 vjeç, J. S., 18 vjeç dhe M. D., 22 vjeç.

    Pas përfundimit të ndeshjes, këta shtetas janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin dhe kanë dëmtuar ambientet e dhomave të zhveshjes.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Policia, aksion në Vlorë/ Kush është anëtari i bandës që iu sekuestruan 39 mijë euro dhe pistoletë (video)

    Policia, aksion në Vlorë/ Kush është anëtari i bandës që iu sekuestruan 39 mijë euro dhe pistoletë (video)

    Identiteti i personit, në banesën e të cilit policia sekuestroi 39 mijë euro, 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje dhe municion luftarake. Rodrigo Shemsho është një person me precedentë të theksuar penal, të cilin policia në njoftimin zyrtar e cilëson si një anëtarin e një grupi kriminal që merret me krime ndaj personit.

    “Shpallet në kërkim pronari i banesës, pjesëtar i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e krimeve të rënda kundër personit”, njofton policia.

    Shemsho është arrestuar në korrik të vitit 2021 për një ngjarje të vitit 2020, ku tentoi të vriste me armë zjarri një 38-vjeçar në qytetin e Vlorës.

    “Ky shtetas, më datë 13.12.2020, gjatë një konflikti të çastit, dyshohet se ka tentuar të vrasi me armë zjarri, shtetasin B. A., 38 vjeç, banues në Vlorë. Më parë në lidhje me këtë ngjarje është vënë në pranga nga Policia shtetasi K. M., 47 vjeç, për veprën penale “Moskallzimi i krimit”, njoftonte policia asokohe.

    Forca e Posaçme Operacionale dhe disa grupe të FNSh-së, po vijojnë kontrollet në ambiente të ndryshme, të dyshuara të përdorura nga pjesëtarë të grupeve të ndryshme kriminale.