Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: hurma

  • Hurma të pjekura në furrë! Shije e mrekullueshme!

    Hurma të pjekura në furrë! Shije e mrekullueshme!

    Me mjaltë, me kanellë e të pjekura në furrë, hurmat shndërrohen në një ëmbëlsirë të lehtë, jashtëzakonisht të shijshme.

    Hurmat janë frutat më të dashura të vjeshtës dhe dimrit. Padyshim janë ndër frutat më të preferuara të shqiptarëve.

    Të tërheqin përherë me shijen e tyre, aq asnjëherë s’mund të ndalesh duke ngrënë vetëm një.

    Receta që klikoje.info u sugjeron më poshtë është një mënyrë fantastike për të shijuar hurmat si një ëmbëlsirë të lehtë.

    Por krahas shijes së tyre fantastike, hurmat mbartin vlera të jashtëzakonshme shëndetësore.

    Hurmat janë të pasura me vitamina, minerale si dhe antioksidantë.

    Ato përmbajnë ujë me shumicë (rreth 80%), por edhe fibra, vitamina (A, C) dhe kripëra minerale, si kalcium, kalium, magnez, fosfor, selen dhe sodium.

    Falë përmbajtjes së këtyre substancave, hurmat u japin energji organizmit, mbrojnë sistemin imunitar, kanë aftësi të përmirësojnë tretjen dhe të luftojnë lodhjen.

    Hurmat janë të jashtëzakonshme edhe kundër stresit, kundër anemisë apo mungesës së oreksit.

    Ju sugjerojmë që për këtë recetë të përzgjidhni hurma të forta dhe jo të bëra shumë në formën e qulltë.

    Si t’i Përgatisni në Shtëpi  

    Përbërësit

    (Sasia e hurmave përzgjidhet në bazë të numrit të personave në familje, në rastin konkret receta është për 4 persona)

    • 4 kokrra të mëdha hurmash
    • 2 lugë kafeje mjaltë
    • Kanellë
    • Një filxhan çaji me ujë të ngrohtë

    Përgatitja  

    Ngrohni si fillim furrën e sobës në 250 gradë.

    Pastrojini mirë hurmat me ujë të bollshëm e më pas thajini me një pecetë të pastër kuzhine.

    Përmes një thike prijini hurmat në feta dhe pastrojini nga farat, nëse kanë.

    Secila nga fetat e hurmës duhet të ketë trashësi 0.5 centimetra. (Nëse dëshironi hurmat mund ti prisni edhe në formë horizontale por sërish me të njëjtën trashësi)

    Fetat e hurmave vendosini me rradhë në tavë, të cilën më parë e keni shtruar me një letër pjekjeje.

    Në një tas të vogël hidhni dy lugët e mjaltit dhe kanellën.

    Përzjejini të dyja bashkë, e më pas hidhni ujin e ngrohtë.

    Përzjeni masën derisa të njëtrajtësohet dhe hidhjani sipër hurmave në tavë. Kujdesuni të ruani pak nga shurupi për t’ua hedhur hurmave në fund.

    Mbulojeni tavën me hurma me një letër pjekjeje dhe piqini derisa hurmat të zbuten përreth 40 minuta.

    10 minutat e fundit para se t’i hiqni nga furra, hiqeni letrën e pjekjes, hidhuni shurupin e lënë mënjanë dhe lërini të piqen edhe për pak derisa hurmat të marrin ngjyrën e pjekjes.

    Kjo ëmbëlsirë mund shërbehet e ngrohtë, por edhe ftohtë.

  • Reçel me feta hurme – Ja si ta përgatisni këtë ëmbëlsi unike vetë në shtëpi

    Reçel me feta hurme – Ja si ta përgatisni këtë ëmbëlsi unike vetë në shtëpi

    Sezoni i hurmave ka trokitur tashmë dhe është koha të provojmë edhe reçelin e tyre.

    Nëse ka një shije që nuk mund t’i rezistosh dot, ai është reçeli i hurmës. Vërtet shumë pak i dëgjuar por një mrekulli me shije e pazakontë kur gatuhet në një recetë unike reçeli.

    Hurmat mund të shijohen në formën e tyre të plotë, por kur bëhen reçel përballesh një ëmbëlsi befasuese krejt ndryshe nga të tjerat.

    Reçeli i hurmës është ekzotik dhe i shijshëm saqë është kthyer në një traditë të mirëfilltë për amvisat shqiptare.

    Hurma është një frut bujar dhe i pasur në vlera. Ajo përmban shumë antioksidantë, ndihmon në rënien në peshë, përmban shumë fibër, mban nën fre dëshirën e tepruar për të ëmbla, mbron sytë dhe sistemin tretës.

    Ndiqni më poshtë recetën, për të përgatitur krejt lehtë në shtëpi reçelin kremoz të hurmave.

    Si të përgatisim reçelin e hurmave 

    Përbërësit

    1.5 kilogramë hurma të pjekura ( jo të qullëta)
    1 kilogramë sheqer
    1 limon i ndarë në gjysmë

    Ndiqni me përpikmëri udhëzimet

    Qëroni hurmat nga lëkura dhe pritini në feta. Merrni një tenxhere dhe përzieni sheqerin me fetat e hurmave.

    Shtrydhni lëngun e një limoni dhe shtojeni tek hurmat e sheqeri në tenxhere.

    Përziejini të gjitha mirë dhe më pas mbulojeni enën. Lërini hurmat të marinohen për disa orë.

    Më pas, merrni tenxheren ku janë marinuar hurmat dhe vendoseni në zjarr.

    Pasi masa të ketë marrë valë, lereni të ziejë për 15 minuta duke e përzierë vazhdimisht me një lugë druri.

    Tregoni kujdes pasi duhet ruajtur forma e fetave të hurmës.

    Kur reçeli të jetë bërë do të ngjitet në mënyrë të njëtrajtshme në lugë.

    Reçeli do të trashet gjatë ftohjes. Mos harroni të hiqni prej tij copat e limonit.

    Mbushni kavanozët dhe sigurohuni të lini pak hapësirë bosh nga gryka e kavanozit. Pastroni grykën e kavanozit përpara se ta mbyllini fort me kapak.

    Më pas, vendosini kavanozët në ujë dhe ziejeni për 10 minuta.

    Kështu do të largohet ajri i tepërt dhe reçeli mund të ruhet për më gjatë. Më pas hiqini nga uji dhe vendosini në banak të ftohen.

    Nëse hapet njëri prej kavanozëve, reçeli duhet ruajtur në frigorifer dhe duhet konsumuar brenda dy javësh.

  • Si t’i zbusim hurmat shumë lehtë në shtëpi

    Si t’i zbusim hurmat shumë lehtë në shtëpi

    Hurmat farëbardha janë një frut i veçantë por jo gjithmonë përmbushin shijet e një konsumatori të zakonshëm të mësuar me shijen perfekte të hurmave farëzeza.

    Deri në pjekjen e tyre përfundimtare, hurmat farëbardha mund të konsiderohen “të vështira”.  Shija e tyre është e çuditshme dhe të tkurr qiellzën.

    Nuk po flasim këtu për të mrekullueshmet hurma lluqe, ëmbëlsia e të cilave është shumë thjesht e dallueshme me sy.

    Por fjalën e kemi tek ajo fazë para pjekjes përfundimtare kur hurmat farëbardha përmbajnë një element që quhet taninë dhe që është përgjegjësi kryesor i shijes së çuditshme.

    Megjithatë, kur piqen plotësisht, hurmat janë të ëmbla, të shijshme dhe të buta.

    Me to mund të kënaqësh veten duke i ngrënë menjëherë, por edhe mund të bësh ëmbëlsira dhe reçel të jashtëzakonshëm.

    Vetë pjekja e hurmave është një proçes tekanjoz, sepse rezultati mund të jetë një hurmë më e butë, por sërish e ashpër në shije.

    Pjekja e hurmave mund të përshpejtohet duke i vendosur ato në të njëjtin paketim letre ose qese me mollët.

    Gazi natyral etilen që çliron molla, i bën hurmat e këputura nga pema të piqen dhe të zbuten mjaftueshëm dhe të jenë gati për t’u konsumuar.

    Paketimin ose qesen prej letre mund ta mbani në temperaturën e dhomës dhe pjekja do të jetë e shpejtë.

    Por nëse zgjidhni hurma të forta, proçesi i zbutjes dhe ëmbëlsimit do të jetë më i ngadaltë dhe mund të zgjasë për disa javë.

    Ndaj ju sugjerojmë metodat e mëposhtme, të cilat përdoren gjërësisht nga profesionistët e industrisë ushqimore.

    Parimet bazë të pjekjes së hurmave në shtëpi

    Kur hurmat përballen me një sasi të kufizuar oksigjeni, ato prodhojnë aldehide, disa substanca që kundërveprojnë me hidhtësinë e çliruar nga tanina.

    Kur hurmat vendosen në praninë e alkolit, ato prodhojnë vetë gazin etilen dhe nuk do të keni nevojë të sakrifikoni mollët tuaja për të pjekur hurmat.

    Këto parime mund të përshtaten lehtësisht në kuzhinën tuaj.

    Vendosini frutat në qese plastike.

    Spërkatini kurorat e tyre, pra gjethet në pjesën e sipërme të hurmave me alkool farmacie, qoftë të plotë ose edhe të holluar.

    Mund të përdorni edhe raki në rast se nuk keni alkool.

    Më pas lidheni grykën e qese dhe izolojeni mirë atë.

    Qesen e izoluar mund ta vendosni edhe tek pjesa e ngrirjes gjë që do të kufizojë edhe më tepër proçesin e zbutjes dhe pjekjes së hurmave deri në më pak se një javë.

    Hurmat do të humbasin hidhtësinë e tyre dhe do të zbuten, ndaj nuk do të keni mundësi t’i prisni në feta.