Tifozët e ekipeve ‘Ballkani’ dhe ‘Llapi’ janë përleshur pasditen e kësaj të diele në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë pas ndeshjes së Superligës. Ata kanë goditur njëri-tjetrin me karrige.
Për pasojë janë plagosur 5 persona, nga të cilët 2 janë polië dhe 3 të tjerë janë tifozë të 2 skuadrave. Ndeshja u mbyll me rezultatin 3-2 për skuadrën e Llapit dhe në fund të ndeshjes nisën përplasjet e tifozëve që vijuan edhe në ambientet e jashtme. Policia ka bërë me dije se janë shoqëruar në polici 21 persona. Ndërkohë jashtë stadiumit janë dëmtuar tre automjete dhe një autobus.
Marrëveshja Kosovë-Serbi e nënshkruar në Uashington synon, që përmes ekonomisë të arrihet paqja, por është politika problemi kryesor për biznesin. A mund t’i zgjidhë mini-Shengeni këto probleme?
Prodhimet nga Serbia shtohen dhe janë dominuese në tregun e Kosovës prej dekadash. Serbia shet shumë më shumë se sa Kosova, por të dhënat e muajve të fundit, tregojnë për një rritje të produkteve kosovare në tregun serb. “Disbalanca është 1 me 10”, thotë Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës kur përshkruan shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë. Varësinë ndaj produkteve serbe, kosovarët nuk kanë mundur ta heqin as pas luftës së vitit 1999. “Sa është tërhequr ushtria serbe, ka filluar tregtia”, kujton Rukiqi. Prodhimet nga Serbia ende dominojnë tregun kosovar.
Të hiqen barrierat për prodhuesit e Kosovës që eksportojnë në Serbi
“Është e vërtetë që ne nuk i kemi disa prodhime dhe na ka leverdisur të përdorim ato serbe, arsyeja ka qenë çmimi…”, thekson kryetari Rukiqi, një nga ekspertët e rinj të Prishtinës, që një pjesë të studimeve i ka kryer në Bruksel. Fokusi i tij kryesor, thotë të jetë, heqja e barrierave për prodhuesit e Kosovës që eksportojnë në Serbi apo e përdorin Serbinë si vend tranzit.
Arsyet janë të ndryshme, por kryesorja është deklarimi i adresës së prodhuesve, pasi me ligjet e Kosovës në ambalazh duhet vendosur adresa me emrin kushtetutes – Republika e Kosovës. Këtë emërtim, nuk e pranon Republika e Serbisë bashkë me shumicën e dokumentave të tjera. Kështu, disbalanca e shkëmbimeve tregtare është mjaft e thellë.
Rreth 500 milionë euro mallra “Made in Serbia” kanë hyrë çdo vit në Kosovë deri para taksës së qeverisë në Prishtinë prej 100 përqind, gati dy vite më parë.
Serbia shfrytëzoi mungesën e politikave ekonomike të Kosovës
“Një disbalancë e tillë është bërë në mënyrë artificiale. Kosova pas luftës nuk ka pasur politika ekonomike dhe këtë Serbia e ka shfrytëzuar mjeshtërisht”, vlerëson Rukiqi. Kjo ndryshoi paksa pas taksës dhe Serbia e ka humbur një pjesë të tregut. “Ne nuk mund të flasim për suksesin e një bashkëpunimi përderisa nuk kemi një rritje të pranisë së prodhimeve të Kosovës në tregun e Serbisë”, thotë Rukiqi në intervistë për DW.
Nga zyra e tij në Prishtinë, Rrukiqi thotë, se “prodhimet kosovare kanë probleme të mëdha pasi Serbia e pranon vetëm një dokument dhe ai është i prejardhjes, por për çdo gjë tjetër është e komplikuar”. Nga ana tjetër “prodhimet serbe nuk kanë asnjë pengesë të hyjnë në Kosovë”, shton Rukiqi.
Pesë muaj pas heqjes së taksës nga Kosova, dhe arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, Rukiqi shkoi në Beograd për t’u takuar homologun e tij, Marko Çadezh, kryetarin e Dhomës Ekonomike të Serbisë, asociacionit më të madh ekonomik në Serbi. Së bashku në Ambasadën e SHBA-së në Beograd, në shtator të vitit të kaluar, ata firmosën themelimin e ekipeve të përbashkëta të sipërmarrësve në mënyrë që të përgatiten për projekte.
Ekonomitë e dy vendeve shumë të lidhura
Më komod në pozitën e tij, është Marko Çadezh, një ekspert i shkolluar në Frankfurt, në zyrën e tij në Beograd. Dhoma që ai drejton përbëhet nga biznese që eksportojnë miliona euro mallra në Kosovë.
Ai i ka parasysh pengesat për bizneset në Dhomën që drejton Rrukiqi. Ai thotë se problemet ndaj kompanive dhe prodhimeve të Kosovës janë reale dhe se e ngadalësojnë tregtinë. “Ekonomitë tona janë shumë të lidhura. Në kohën e taksës ka pasur kompani nga Kosova që lënden e parë e blejnë në Serbi, por eksportojnë në vende të tjera prodhimet e tyre dhe nuk kanë qenë më konkurrent”, sqaron Çadezh, duke shtuar se “ekonomitë tona janë të lidhura si enët e gjakut”.
Serbia vitin e kaluar ka arritur të marrë 2.9 miliardë investime të huaja, ose 62 për qind të të gjitha investimeve të huaja që kanë arritur gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mendohet se do të përbënin përfundimisht projektin e mini-Shengenit.
Marko Çadezh është pro bashkëpunimit pa limite në ekonomi, jo vetëm Kosovë – Serbi. “Përse duhet ta ndalojmë transportin me tren për shkak se politika nuk ka rënë dakord se e kujt është hekurudha?”, përgjigjet me pyetje Çadezh, kur sqaron se a mund të zgjidhë një pjesë të problemeve projekti i mini-Shengenit ballkanik, në të cilin tashmë janë të dyja vendet.
“Politika duhet të merret me problemet politike. Por, unë shoh një potencial pikërisht për Kosovën tek mini-Shengeni pasi mund të zgjidhim shumë shpejt disa probleme që kanë ngelur në nivelin politik”, thotë kreu i Dhomës së Tregtisë në Serbi.
Çadezh beson se duhen pranuar të gjitha dokumentat, pasi vendet e rajonit të gjitha procedurat i kanë në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian dhe thotë se nuk ka arsye që ato të mos aprovohen. “Vetëm pas marrëveshjes së Uashingtonit kemi pasur një rritje të disa kompanive nga Kosova që kanë firmosur marrëveshje dhe kanë tregtuar më shumë me Serbinë”, thotë Çadezh, duke shtuar se kjo gjë nuk mjafton: “Investiorët e huaj mendojnë ndryshe për një treg prej 18 milionë banorësh”.
Presidenti Çadezh, thotë se projektet e ideuara përmes marrëveshjes së Uashingtonit, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane, do të realizohen me garancitë e agjencisë amerikanë për zhvillim (DFC). “Njerëzit janë më të vetëdijshëm dhe mendoj se edhe politikanët duhet t’i ofrojnë diçka votuesve të tyre. Nuk mund t’ua ofroni gjithnjë të shkuarën. Mendoj se po kuptojmë që duhet të ofrojmë dhe realizojmë të ardhmen. Nuk flasim për interesa të vogla ekonomike, por për korniza të qarta se si funksionon ekonomia dhe kapitali”, shton Çadezh i bindur për marrëdhënie më të mira ekonomike me Kosovën dhe rajonin.
Këtë e kërkon edhe Berat Rukiqi, presidenti i Odës Ekonomike të Kosovës, i cili thotë se përveç dokumentacionit është shumë e rëndësishme klima në të cilën zhvillohet një marrëdhënie tregtare. “Disa nga sipërmarrësit tanë kanë provuar të jenë nëpër raftet e marketeve në Serbi me prodhimet e tyre, por nuk janë pritur mirë. Janë sulmuar me propagandë në faqet e para të tabloideve dhe janë akuzuar se janë financues të UÇK-së”, thotë Rukiqi, duke shtuar se “duhet besim dhe një klimë tjetër për progres. Nuk mund të fitoj dikush dhe ne të ndalohemi”.
Spanja po përgatitet për ardhjen e stuhisë Filomena, që duhet të sjellë atje erëra polare dhe reshje të mëdha bore. Por ndërkohë, bora e ka mbuluar tashmë Madridin, duke habitur banorët e tij. Banorët e Madridit, thonë se në qytet nuk bie borë prej kohësh dhe kur bie, thjeshtë mbulon tokën për pak kohë. por këtë radhë, ajo po ofron spektakël.
Stuhia Filomena, sipas meteorologëve, do të bombardojë Evropën me 40 cm borë dhe erëra të forta. Efektet e para të saj kanë filluar të shihen por egërsia e plotë e saj, gjatë kalimit nëpër Evropë, do të shihet ditët e ardhshme. Përveç reshjeve të mëdha të borës, Filomena pritet të trazojë detet, të sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të fuqishme që do të shkaktojnë probleme në shumë vende evropiane, veçanërisht në Spanjë dhe Portugali.
Dhe këtë nuk do ta bëjë për një ose dy ditë, por moti i keq, sipas ekspertëve, do të zgjasë për disa ditë. Evropa qëndrore ndërkohë ka përjetuar prej ditësh tashmë temperatura të ulëta dhe reshje shiu. Akoma më shumë shira sipas meteorologëve priten gjatë ditëve të ardhshme në Itali dhe Ballkan.
Vala e motit të keq madje po shtyhet më në lindje, drejt Greqisë dhe Shqipërisë. Sidoqoftë, zona lindore e Evropës, veçanërisht Greqia dhe Turqia nuk do të shohin temperatura të ulëta, por reshjet e shiut do të jenë të konsiderueshme.
Bashkimi Europian do të financojë 9 miliardë euro për Balkanin Perëndimor në kuadër të zhvillimit ekonomik dhe rimëkëmbjes së rajonit. Komisioneri i BE-së për zgjerimin Oliver Varhelyi së deklaroi do të jenë në fushat e transportit, energjiisë, tranzicionit të gjelbër dhe dixhital, si edhe për të krijuar rritje të qëndrueshme dhe vende pune.
“Sot ne paraqesim planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor për të rritur zhvillimin ekonomik dhe rimëkëmbjen e rajonit. Ne do të mobilizojmë deri në 9 miliardë euro financim për anijet kryesore të investimeve në transport, energji, tranzicionin të gjelbër Dhe dixhital, për të krijuar rritje të qëndrueshme dhe vende pune”- shkruan komisioneri Varhelyi në Twitter.
Forumi ‘The Economist’ që do të mbahet në ditët në vijim do të hapë edhe çështjet e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Lajmi është bërë me dije nga vetë kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis gjatë një konference për shtyp.
Ai tha se në këtë forum do të takohet me homologun maqedonas Zoran Zaev, si dhe atë shqiptar Edi Rama.
Ndalur tek ky i fundit, kreu i qeverisë greke, deklaroi se do të bisedojë për zonën ekonomike ekskluzive.
‘Do të bisedojmë pasi kemi çështje për të zgjidhur, jemi fqinjë dhe me besim të mirë tek njëri-tjetri do të ulemi në dialog. Me z. Rama do të flasim për zonën ekonomike ekskluzive.
Kemi një numër çështjes për të diskutuar me Shqipërinë. Greqia ka dhe do të ketë një rol udhëheqës në Ballkan’, është shprehur ai.
Në çfarëdo sektori që të zgjedhësh të punosh në Shqipëri, paga për një të punësuar është më e ulëta në rajon.
Kjo duke krahasuar tabelat e pagave bruto sipas aktiviteteve ekonomike, pas përpunimit të të dhënave nga institutet statistikore të Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Bosnjës, Kosovës për vitin 2019.
Paga mesatare në Shqipëri, në vitin 2019, ishte 420 euro, që është të paktën 30% më e ulët se gjithë vendet e tjera të rajonit. Pas Shqipërisë renditet Kosova (602 euro), Maqedonia (617 euro), Serbia dhe Bosnja e kanë pagën mesatare rreth 700 euro.
Ndërsa më shumë paguhen punonjësit në Mal të Zi, mesatarisht me 770 euro. Ky nivel pagash është në linjë dhe me të dhënat e Eurostat për të ardhurat për frymë, ku Shqipëria i ka ndër më të ulëtat në Europë, me 31% të mesatares europiane.
Ndonëse ndikim në këtë nivel të ulët mund të ketë dhe informaliteti i lartë në tregun e punës në vend, pagat janë më të ulëta dhe në shtet, përfshirë arsimin dhe mjekësinë, apo dhe në aktivitete ku nuk ka informalitet, si në sektorin financiar apo telekomunikacionet.
Erald Pashaj, drejtor i EPPC Albania & Kosovo, kompania e rekrutimeve dhe trajnimeve, tha për “Monitor Ekonomi” së arsyeja e parë e diferencës së pagave me rajonin, është tregu i punës. “Ekonomia jonë kaq prodhon dhe kjo matet me prodhimin e brendshëm bruto për banor. Në rajonin tonë, ne kemi prodhimin e brendshëm bruto për frymë të parafundit në Europë, pas nesh është Kosova.
Për rrjedhojë, ky treg prodhon dhe më pak produkte dhe paga më të ulëta. Faktorë të tjerë janë mungesa e investimeve të huaja, mendësia që kemi për punën, kundrejt sendeve dhe investimeve kapitale, shoqëruar këto me korrupsion dhe informalitet, që kanë bërë që ne të kemi pagat më të ulëta si minimale, ashtu dhe mesatare në rajon”.
Psh, në Kosovë, thotë Pashaj, një asistente administrative merr shumën prej 600 euro, ndërsa në Shqipëri do të ishte një pagë shumë e mirë, nëse do të merrte 60 mijë lekë. Vetëm këtu kemi një diferencë prej më shumë se 20%.
Në shtet, më shumë paguhesh në Bosnjë
Pagat më të larta në rajon në sektorin shtetëror paguhen në Bosnjë- Hercegovinë, mesatarisht 980 euro. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka pohuar shpesh në deklaratat e tij se Bosnja ka një faturë të lartë shpenzimesh për pagat e sektorit publik, në rreth 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Edhe në fund të 2019-s, qeveria vendosi të rrisë me 20% pagat në sektorin publik, në një përpjekje për të frenuar emigrimin masiv në vendet e Bashkimit Europian, sipas Reuters.
Paga të larta në administratë kanë dhe Mali i Zi (910 euro), Serbia (826 euro), Maqedonia (712), Kosova (606). Shqipëria ka të ardhurat më të ulëta në rajon ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, së bashku me Kosovën (rreth 26-27% e PBB-së) dhe kjo ka kushtëzuar dhe nivelin e pagave në administratën publike, që në nivelin e 536 eurove janë më të ulëtat në rajon.
Sa pak paguhen mjekët
Pandemia e COVID-19, që shkaktoi një stuhi të vërtetë në mbarë globin, nxori në pah rëndësinë e sistemit shëndetësor në çdo vend. Shqipëria renditet ndër shtetet me më pak mjekë (1.2 mjekë për 1000 banorë), numër që po reduktohet për shkak të eksodit masiv të bluzave të bardha. Vendi ynë, jo vetëm që ka më pak mjekë, por ata janë dhe më të keqpaguarit. https://www.monitor.al/perballimi-i-koronavirusit-shqiperia-me-numrin-me-te-ulet-te-mjekeve-per-banore-ne-rajon/
Paga mesatare në aktivitetin e “Shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale” në Shqipëri është 435 euro, është afërsisht sa gjysma e mesatares rajonale. Mjekët paguhen më shumë në Bosnjë (901 euro) dhe Mal të Zi (833 euro), ndërsa në Serbi e Maqedoni me mbi 700 euro.
Vitin e kaluar, edhe Kosova i rriti ndjeshëm pagat e mjekëve dhe infermierëve, me synim ndalimin e eksodit të bluzave të bardha. Mjekët specialistë paguhen 1195 euro (nga 661 euro më parë); mjeku i përgjithshëm 836 euro (nga 566), kryeinfermierët 621 euro (nga 472) dhe infermierët e parë 537 euro (nga 425 më parë).
Arsimi, sërish i nënpaguar
Arsimtarët mbeten sërish më të nënpaguarit në rajon, por diferenca është më e ulët në raport me mjekët Paga mesatare në arsim është 506 euro. Më mirë i paguan mësuesit Mali i Zi, me gati 750 euro. Në shtetet e tjera, luhatja është midis 650 dhe 710 euro. Edhe Kosova i paguan pak punonjësit e arsimit, me rreth 490 euro në muaj.
Serbia kryeson për pagat në teknologjinë e informacionit
Serbia merret shpesh si shembull dhe model për zhvillimin e teknologjisë së informacionit në vend. Ky sektor ka dhe ndër pagat më të larta, jo vetëm në vend, por në gjithë rajonin, me një mesatare prej 1200 eurosh në muaj për aktivitetin e informacionit dhe komunikacionit. Të detajuara më në detaj, në nënseksionin e programuesve të kompjuterëve, paga mesatare është 1600 euro. (më shumë në Serbi paguhen vetëm punonjësit e transportit ajror).
Nabojsa Durdevic, CEO i Digital Serbia Initiative, thotë se bizneset e IT-së në Serbi kanë kaluar në shërbimet me vlerë të shtuar të lartë me ekspertizë vendase, ndryshe nuk mund të konkurronin po të shisnin programe të lira, pasi për këtë kategori konkurrojnë vendet nga Afrika. Ai thotë se kompanitë në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Serbi punësojnë 95% inxhinierë. Fokusi është që të shkojnë drejt kompanive që zhvillojnë produktet e tyre dhe t’u largohen produkteve xhenerike me vlerë të shtuar të ulët.
Maqedonia, Bosnja dhe Mali i Zi kanë paga mbi 1,000 euro për informacionin dhe komunikacionin. Shqipëria, si në çdo fushë, i ka më të ulëtat, në 640 euro, ndërsa në Kosovë janë gati 800 euro.
Për bankierët, rekordin e mban Mali i Zi
Aktiviteti financiar dhe bankar është ndër më të paguarit në Shqipëri, me 860 euro në muaj mesatarisht, por sërish në krahasim me rajonin mbetet shumë më poshtë, përveç Kosovës, që e paguan këtë sektor më pak se në Shqipëri (rreth 570 euro).
Bankierët dhe punonjësit e fushës së sigurimeve janë më të vlerësuarit në Mal të Zi, me një pagë mesatare 1500 euro, që është më e larta në rajon për të gjitha aktivitetet ekonomike. Edhe në vendet e tjera të rajonit, punonjësit e bankave e sigurimeve marrin mesatarisht më shumë se 1000 euro në muaj.
Në Shqipëri, pagat më të larta i kanë institucionet ndërkombëtare
Jo më kot, puna në institucionet ndërkombëtare ose organizata jofitimprurëse është shumë e preferuar në Shqipëri. Statistikat e INSTAT tregojnë se ato shpërblejnë më shumë se në çdo vend tjetër. Paga mesatare, nëse punon në organizatat ndërkombëtare, është rreth 1,200 euro në muaj. Shtetet e tjera nuk e raportojnë të gjithë këtë aktivitetet ekonomik, por në Maqedoni, për të njëjtën kategori, paga mesatare është 900 euro dhe në Serbi 713 euro.