Hithra është një barishte e fuqishme në aspekt vlerash ushqyese dhe kuruese për organizmin e njeriut.
Hithra është një bimë premtuese në trajtimin e sëmundjeve të Alzheimer, artritit, astmës, infeksioneve të fshikëzës së urinis, bronikitit, gurëve në veshka, sklerozës, e shumë të tjerave.
Në këtë artikull do të mësoni një recetë të shëndetshme e të thjeshtë për gatimin e supës me hithra
Përbërësit:
- 400 gr hithër (të freskët)
- 2 patate (mesatare)
- 3-4 lugë vaj ulliri
- 2-3 qepë e njomë (ose një qepë e vogël e thatë)
- kripë
- piper (sipas dëshirës)
- 4 gota lëng perimesh (ose lëng pule)
- 2-3 thelpij hudhër
- pak nenexhik
- lule vjollca ((bio))
- 150 ml qumësht (ose krem pana)
- pak kos (për dekor të supës)
Përgatitja:
1 – Hithrat e lara dhe të pastruara mirë i përvëlojmë në ujë të vluar me pak kripë dhe i vemë menjëherë në ujë të ftohtë ose ujë me akull, për të ndërprerë zierjen e tyre dhe që të ngelet ngjyra e bukur e gjelbër.
2 – Në një tenxhere kavërdisim qepën e grirë imët me vajin e ullirit. Shtojmë pak nenexhik, hudhrën dhe patatet. I shuajmë me lëngun e zarzavateve dhe i lemë të ziejnë në zjarr të ngadaltë rreth 10-15 minuta derisa të jenë zier plotësisht patatet.
3 – Shtojmë edhe hithrat e përvëluara e të kulluara mirë nga lagështira e tepërt dhe i lemë të ziejnë edhe rreth 5-7 minuta të tjera. (Nuk kanë nevojë të ziejnë shumë pasi kemi përdorur vetëm maja hithrash të njoma.) Shtojmë pak nenexhik të njomë nga fundi dhe pastaj me blender e bëjmë pure dhe rregullojmë trashësinë e supës
4 – Rregullojmë me qumësht trashësinë e supës. E zbukurojmë me kos dhe me lule vjollce.