Një përballje dramatike dhe e mbushur me emocione u zhvillua në Vlorë, aty ku Luftëtari dhe Sopoti luftuan për një vend në Kategorinë e Parë për sezonin e ardhshëm. Ndeshja e “play out”-it nisi në orën 16:00 dhe dhuroi tension, rivalitet dhe fund të zjarrtë.
Luftëtari kaloi në avantazh shumë herët, që në minutën e 6-të, kur Diamanti u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke ndezur shpresat për mbijetesë. Megjithatë, Sopoti nuk u dorëzua dhe arriti të rikthejë ekuilibrin në minutën e 79-të me golin e Jargavanit, duke e çuar sfidën në kohën shtesë.
Pas 120 minutash lojë, rezultati mbeti i barabartë 1-1, duke bërë që gjithçka të vendosej nga goditjet e penalltive. Në këtë “ruletë” futbolli, më të saktë u treguan lojtarët e Sopotit, të cilët siguruan rikthimin në Kategorinë e Parë pas shumë vitesh mungesë.
Në fundin e takimit, tensioni shpërtheu në fushë, ku pati përplasje mes lojtarëve të të dyja skuadrave, veçanërisht nga ana e Luftëtarit, duke e mbyllur sfidën me nota negative pavarësisht spektaklit sportiv.