Flamurtari i Superiores nis nga terreni. Fusha e stadiumit të ekipit vlonjat i është nënshtruar rinovimit, teksa prej pak ditësh ka nisur tashmë procesi i heqjes së barit natyral për të vijuar me mbjelljen dhe brenda dy muajsh tapeti pritet të jetë në gjendje të shkëlqyer për të pritur ndeshjet e Flamurtarit në elitën e futbollit shqiptar. Klubi kuqezi prej disa vitesh nuk i ishte nënshtruar procesit të rehablitimit dhe me patjetër, duhej një ndërhyrje. Tribuna VIP do të bëhet me kolltukë dhe abonim njëvjeçar.
MERKATO
Sinan Idrizi konfirmon negociatat me Tefik Osmanin, që do të marrë së shpejti postin e drejtorit sportiv të Flamurtarit. Ndërsa Alfred Ferko do të jetë sekretar i përgjithshëm i klubit. Hyrja në merkato mund të nisë që nga porta. Janë të mëdha shanset që Stivi Frashëri dhe Ariol Kaloshi të mos jenë në planet e klubit për sezonin e ri në Superiore. Frashëri u penalizua jo pak nga dëmtimi gjatë sezonit që sapo u mbyll. Ndërsa portieri Ariol Kaloshi ka bërë mirë gjatë kësaj periudhe që ka qenë te Flamurtari. Burime thonë se disa pasiguri që ai ka pasur në ndeshjet e fundit vendimtare, e kanë vendosur në pikëpyetje qëndrimin e tij si titullar në elitë.
Gjasat janë që ta ketë mbyllur tashmë edhe Valentino Murataj, i cili sezonin e mbylli para kohë nga dënimi. E njëjta situatë mund të jetë edhe për Albi Allën dhe Ilir Allmuçën. Gjithsesi, lista e largimeve pritet të jetë më e zgjeruar dhe emrat do të bëhen publik para se të nisë puna për sezonin e ri.
Comments are closed