Skënderbeu ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen me Dinamon, që luhet sot, në orën 17:00, në stadiumin e Korçës. Trajneri Ivan Gvozdenoviç për mediat ka deklaruar se skuadra e tij është gati për këtë përballje, pasi ndërprerja e ka ndihmuar për të rikuperuar lojtarët e dëmtuar.
Trajneri i korçarëve u shpreh se e di forcën e Dinamos dhe sidomos tani që drejtohet nga kolegu Ilir Daja, por ka garantuar se Skënderbeu do të japë gjithçka në fushë për të kaluar krizën.
“Ishte momenti më i mirë për të bërë këtë pauzë, kishim nevojë për kohë për të punuar me ekipin. Po kalonim një moment të keq dhe ndoshta kjo kohë do të na shërbejë për të qetësuar ekipin psikologjikisht. Mendoj se kështu ka qenë dhe kemi bërë një punë të mirë.
Dinamo është një ekip shumë i mirë dhe ka një trajner shumë të mirë, si Ilir Daja. Do të jetë një ndeshje e vështirë, e kemi vlerësuar në maksimum kundërshtarin. Është një skuadër me ambicie, e fortë dhe që ka investuar shumë. Jam i bindur se do të jetë një ndeshje e fortë dhe interesante.
Besoj shumë se do të jemi në gjendje ta kalojmë këtë moment të vështirë. Edhe ndaj Teutës ishte një ndeshje e vështirë, por kemi marrë pikë. Tani duhet të marrim maksimumin dhe çunat janë gati për të dhënë gjithçka që kanë. Besoj është momenti të lemë pas krizën dhe të ecim drejt rezultateve pozitive.” Përfundoi Gvozdenovic.