Shqipëria është një nga kandidatet kryesore për të organizuar ndeshjet finale të Kampionatit Europian 2027 për ekipet kombëtare U-21. FSHF i ka dërguar kërkesën UEFA-s, që Shqipëria të jetë një nga vendet pritëse të finaleve të këtij kompeticioni.
Duke qenë se nuk plotësohen kushtet sa i përket numrit të stadiumeve që kërkohen në mënyrë që vendi ynë të presë të gjitha ndeshjet finale të Kampionatit Europian U-21, FSHF do të bashkëpunojë me Federatën Serbe të Futbollit për të pritur së bashku fazën finale të EURO 2027 për grupmoshën U-21.
Ky është pa asnjë dyshim një projekt shumë ambicioz, që do ta vendoste Shqipërinë në qendër të vëmendjes futbollistike të gjithë kontinentit. Në lidhje me këtë lajm kanë reaguar mediat serbe dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë infrastrukturën dhe planifikojmë në të ardhmen që ne dhe Hungaria të aplikojmë për Lojërat Olimpike. Ashtu si me Shqipërinë, ne mund të aplikojmë për Kampionatin Europian U-21, jemi të hapur për të diskutuar me ta. Stadiumet në Serbi po zhvillohen. Në Loznicë do të luhet finalja e Kupës.” Ishte deklarata e Vuçiç.