Numri i rasteve me koronavirus në Shtetet e Bashkuara, kapërceu të mërkurën shifrën 2 milionë, sipas përllogaritjeve të agjencisë së lajmeve Reuters dhe gazetës New York Times.
Ndërkohë eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci i tha Zërit të Amerikës se rreziku nuk ka kaluar dhe se me rihapjen graduale të shteteve amerikane dhe rikthimin në aktivitetin normal, mund të intensifikohen ritmet e përhapjes së infeksionit.
“Në një zonë ku ka vatra aktive infeksioni, nuk do të ishte e këshillueshme të hiqen menjëherë masat e distancimit social. Nuk ka një formulë të vetme. Vendimi duhet të diktohet nga situata në zonën ku jeton individi”, tha Dr. Fauci.
Në shkallë kombëtare, infeksionet e reja po rriten lehtë pas pesë javësh rënieje, sipas një analize të agjencisë Reuters.
Sipas analizës së gazetës New York Time, rastet po shtohen në 21 shtete dhe megjithë përmirësimet në shtete që fillimisht ishin goditur rëndë, si Nju Jorku, tani po shfaqen pika të nxehta në shtete të tjera, përfshirë Arizonën, ku një rritje e rasteve dhe shtrimeve në spital ka alarmuar zyrtarët vendorë.
Sipas projektit COVID-Tracking, numri më i lartë i atribuohet shtimit të testimeve, që arriti një rekord më 5 qershor, me 545,690 teste në një ditë të vetme, por që ka qenë më i ulët që nga ajo ditë.
Protestat masive pa distancim fizik pas vdekjes më 25 maj të afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë në Minesota, mund të sjellin një rritje tjetër të ndjeshme në javët në vazhdim.
Zyrtarët e Shëndesisë po u bëjnë thirrje personave që morën pjesë në protestat masive për drejtësi sociale të testohen.
Në intervistën për shërbimin rus të Zërit të Amerikës, Dr. Fauci u kujton pjesëmarrësve në protesta se grumbullimet shoqërohen me rrezik të shtuar për infeksion dhe i këshillon të ndjekin protokollin mbrojtës, si mbajtjen e maskave:
“Maskat mund të mos kenë aftësi mbrojtëse prej 100%, por pa diskutim ofrojnë një masë mbrojtëse nga infektimi. Nëse dikush është i infektuar, maska mbron të tjerët nga infektimi. Një maskë e thjeshtë bezeje mjafton”, tha ai.
Në Shtetet e Bashkuara, numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus, është tani mbi 112,000, më i larti në botë.
Eksperti amerikan Fauci nënvizon paralajmërimin se infeksioni mund të përhapet edhe nga persona të prekur nga virusi, por që nuk shfaqin simptoma. Një eksperte e OBSH shkaktoi konfuzion ditët e fundit kur tha se infektimi nga këta persona është fenomen i rrallë.
“Rreth 25 – 30, 50 për qind e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma. E dimë se personat pa simptoma mund të infektojnë të tjerët. Nuk e dimë se çfarë përqindjeje e infektimeve janë shkaktuar nga personat pa simptoma, por e dimë që nuk është një fenomen i rrallë,” nënvizon Dr. Anthony Fauci.
Më 12 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë i këshilloi qeverite që para se të rihapeshin, numri i rasteve pozitive duhet të ishte 5% ose më pak për të paktën 14 ditë.
Përqindjet në shkallë vendi në Shtetet e Bashkuara kanë variuar mes 4% dhe 7%, por shtete individuale e kanë plotësuar këtë kusht.
Disa shtete po njoftojnë për raste në përqindje mbi kufirin e rekomanduar për hapje nga OBSH-ja, përfshirë Merilendin me 8%, Jutan me 9%, Nebraskën me 9%, Virxhinian me 9%, Masaçusets me 11% dhe Arizona me 12%.