Të gjithë duan Superioren, sezoni i ri i Kategorisë së Parë nis me ambicie të mëdha

by KLIKOJE.AL

Edicioni 2026–2027 i Kategorisë së Parë është gati të nisë dhe këtë sezon gara për elitën merr një tjetër dimension. Kampionati do të startojë më 5 shtator, me skuadrat që zbresin në fushë me objektiva të qarta dhe me një formulë të re që premton më shumë rivalitet deri në javën e fundit.

Sezoni do të zhvillohet në tre faza dhe 33 javë, një maratonë futbollistike ku çdo pikë mund të rezultojë vendimtare në garën për ngjitjen.Ndryshimi kryesor vjen pikërisht te mënyra se si do të përcaktohen skuadrat e promovuara. Dy ekipet që do ta mbyllin kampionatin në dy vendet e para do të sigurojnë direkt biletën për “Abissnet Superiore”.

Por gara nuk përfundon me vendin e dytë. Për skuadrat që do të renditen nga vendi i tretë deri në të gjashtin, mbetet e hapur mundësia e madhe për të prekur elitën përmes play-off-it. Katër skuadrat do të përballen mes tyre dhe fituesi i finales do të sigurojë biletën e tretë për në Superiore.

Edhe më dramatike do të jetë gara për vendin e katërt. Finalisti i play-off-it do të ketë një tjetër shans, këtë herë në një ndeshje vendimtare ndaj skuadrës së renditur në vendin e tretë nga fundi të “Abissnet Superiore”, e cila do të vijë nga faza play-out. Pra, katër mundësi për të kaluar nga Kategoria e Parë në elitë, duke e bërë çdo pozicion në tabelë të ketë peshë të veçantë.

Me skuadra që kanë investuar, emra tradicionalë që kërkojnë rikthimin në Superiore dhe një formulë që i mban të hapura llogaritë deri në fund, Kategoria e Parë 2026–2027 pritet të jetë një nga garat më të forta të futbollit shqiptar.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.