Pogradeci ka hapur zyrtarisht fazën përgatitore për sezonin e ri, me seancën e parë stërvitore të zhvilluar nën drejtimin e trajnerëve Çela dhe Kuli, të cilët vazhdojnë në krye të skuadrës edhe për edicionin e ardhshëm.
Që në ditën e parë të grumbullimit, te liqenorët u panë edhe tre afrimet më të fundit të merkatos. Sulmuesit Zogaj dhe Kambato, së bashku me mbrojtësin Sergerso Geci, janë bashkuar me ekipin dhe kanë nisur punën me pjesën tjetër të grupit.
Megjithatë, drejtuesit nuk e konsiderojnë të mbyllur merkaton. Në ditët në vijim priten të zyrtarizohen edhe disa përforcime të tjera, me synimin për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese për sezonin e ri.
Ndërkohë, aventura me Pogradeci-n ka përfunduar për Danladin, Zguron, Peren, Toshevskin dhe Grecën, të cilët nuk do të jenë më pjesë e ekipit liqenor.