Partizani–Tirana është shumë më tepër se një dndeshje futbolli. Për “Demat e Kuq”, derbi kryeqytetas është kthyer në një provë të vërtetë për trajnerët, ku një humbje mund të shënojë fundin e një aventure në pankinë. Historia e viteve të fundit e dëshmon këtë: pesë trajnerë janë larguar pas disfatave ndaj rivalit historik, ndërsa i fundit në këtë listë është Florin Bratu.
Në kryeqytet, derbi nuk fal. Presioni i tifozëve, pesha e fanellës dhe rivaliteti i përjetshëm mes Partizanit dhe Tiranës bëjnë që një rezultat negativ të ketë pasoja shumë më të mëdha sesa humbja e tri pikëve. Për disa trajnerë të Partizanit, kjo sfidë ka rezultuar fatale për të ardhmen e tyre në klub.
Historia nis në shkurtin e vitit 2014 dhe kalon nëpër emra të njohur të pankinës së kuqe. Hasan Lika, Franko Lerda, Ilir Daja, Mladen Milinkoviç dhe Oltijon Kërnaja janë pesë trajnerët që, sipas kronologjisë së kësaj historie, e kanë parë aventurën e tyre të përfundojë pas humbjeve në derbi. Tashmë, me largimin e Florin Bratusë, kjo listë merr një tjetër emër.
LIKA, I PARI QË U DORËZUA PAS DERBIT
Më 7 shkurt 2014, Partizani pëson një humbje 1-0 ndaj Tiranës. Vetëm dy ditë më vonë, Hasan Lika jep dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës. Edhe pse largimi nuk erdhi përmes një shkarkimi zyrtar, disfata në derbi dhe presioni që pasoi shënuan fundin e aventurës së tij.
Ishte një nga rastet e para që tregoi se sa e rëndë mund të ishte një humbje ndaj bardhebluve për një trajner të Partizanit.
LERDA, DERBI I DHJETORIT QË I KUSHTOI PANIKINË
Në dhjetor të vitit 2019, historia përsëritet. Partizani mposhtet 2-1 nga Tirana dhe Franko Lerda nuk arrin të mbijetojë gjatë pas kësaj disfate. Drejtuesit e klubit vendosin të ndërpresin bashkëpunimin me teknikun italian, duke i dhënë fund aventurës së tij në pankinën e të kuqve.
Edhe një herë, derbi kthehet në një pikë kritike për të ardhmen e trajnerit. Rivaliteti me Tiranën nuk ishte thjesht një sfidë e radhës, por një përballje ku rezultati kishte peshë të veçantë.
ILIR DAJA, NJË TJETËR EMËR I MADH QË NUK SHPËTOI
Në dhjetor të vitit 2021, radha i vjen Ilir Dajës. Partizani humbet 1-2 ndaj Tiranës dhe, pak ditë më vonë, trajneri largohet nga drejtimi i skuadrës.
Për një teknik me eksperiencë dhe ambicie të mëdha, derbi rezultoi një tjetër goditje në një periudhë të vështirë. Tre emra, tri disfata dhe një histori që fillonte të merrte formën e një mallkimi për pankinën e kuqe.
MILINKOVIÇI DHE HUMbJA 0-3 QË NUK U FAL
Në tetor të vitit 2025, Partizani pëson një nga humbjet më të rënda në derbi, duke u mposhtur 0-3 nga Tirana. Pas kësaj disfate, drejtuesit vendosin të mbyllin bashkëpunimin me Mladen Milinkoviçin.
Në vend të tij, drejtimin e skuadrës e merr Oltijon Kërnaja. Ironia qëndron pikërisht këtu: trajneri që u ngjit në ekipin e parë pas një humbjeje të rëndë në derbi, do të përfundonte vetë viktimë e së njëjtës histori disa muaj më vonë.
KËRNAJA, I PARAFUNDIT NË LISTË
Më 25 prill 2026, Partizani dhe Tirana përballen sërish në “Air Albania”. Bardheblutë fitojnë 2-1, duke i shkaktuar një tjetër goditje rivalit të tyre historik.
Pesë ditë më vonë, Partizani vendos të largojë Oltijon Kërnajën nga drejtimi i skuadrës. Arsyeja zyrtare lidhej me rezultatet e dobëta në ndeshjet e fundit, por humbja në derbi ishte pjesë e një panorame që kishte shtuar presionin mbi pankinën e kuqe.
Kështu, Kërnaja bëhet emri i pestë në këtë kronologji, duke përforcuar idenë se në Partizan, disfata ndaj Tiranës mund të ketë pasoja që shkojnë përtej fushës së lojës.
BRATU, EMRI I RADHËS QË I SHTOHET HISTORISË
Dhe historia mbërrin te Florin Bratu. Trajneri rumun e nisi aventurën me Partizanin mes pritshmërive të larta, por rezultatet nuk arritën të bindnin. Në gjashtë javët e para të kampionatit, ai regjistroi vetëm një fitore, duke e vendosur veten nën një presion gjithnjë e më të madh.
Humbja në derbi ndaj Tiranës u bë goditja e radhës për një pankinë që tashmë ishte në një situatë delikate. Pas disfatës, erdhi edhe vendimi për largimin e tij.
Bratu nuk është një rast i izoluar. Përkundrazi, ai i bashkohet një liste trajnerësh që kanë përjetuar të njëjtin fund pas përballjeve me rivalin historik. Hasan Lika, Franko Lerda, Ilir Daja, Mladen Milinkoviç dhe Oltijon Kërnaja ishin pararendësit e tij.
1 comment
[…] LEXO ME SHUME:Pesë trajnerë ranë pas derbit, tani edhe Bratu! Tirana kthehet në makthin e pankinës së kuqe […]
Comments are closed