Partizani më në fund shkon i qetë para një ndeshjeje, siç do të jetë ajo kundër Teutës të dielën në stadiumin “Arena e Demave”. Këto ditë do të shfrytëzohen nga trajneri Abilaliaj për të përmirësuar manovrën, si dhe për të rregulluar mbrojtjen, ku gabimet nuk munguan edhe kundër Skënderbeut. Gjithsesi, defensiva me katër me Atanaskoskin e Janjevën në krahë u duk se funksionoi më mirë se me pesë.
Sa i përket situatës fizike, probleme ka vetëm për Bytyçin, i cili vijon rikuperimin i veçuar dhe është në rrezik edhe sfida me Teutën. Nga ana tjetër, Domgjoni ka shlyer pezullimin e kartonit të kuq dhe pritet të jetë i gatshëm. Kjo aktualja është një nga situatat më të mira të “Demave” sa i përket organikës dhe dëmtimeve. Kundër Teutës fitorja do të jetë njëjtë e nevojshme.
FITORJA NDAJ SKËNDERBEUT PAS 7 JAVËSH MUNGESË
Partizani ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë kundër Skënderbeut, duke triumfuar me rezultatin 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të të Kategorisë Superiore. Skuadra e “demave të kuq” përmbysi rezultatin në minutat e fundit me Eleke, duke i dhënë vetes tre pikë jetike në garën për zonën europiane, ndërsa korçarët mbeten të fundit në renditje dhe gjithnjë e më afër rënies nga kategoria.
Me këtë fitore, Partizani ngjitet në kuotën e 43 pikëve, duke mbajtur vendin e katërt dhe duke mbetur në garë për një vend në Europë. Në anën tjetër, Skënderbeu mbetet në vendin e fundit me 27 pikë dhe sheh gjithnjë e më të vështirë mbijetesën në Superiore. Fitorja e “demave” rikthen optimizmin në kampin e kuq, ndërsa për Skënderbeun mbeten shumë pikëpyetje dhe pak shpresa për të shmangur rënien nga kategoria.
1 comment
[…] LEXO ME SHUME:Pas suksesit ndaj Skënderbeut, Partizani shënjestron Teutën; një rikthim kënaq Abilaliajn […]
Comments are closed