Policia e Shtetit:
Finalizohet operacioni policor “TRANSFERTA”.
Vihen në pranga 9 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër, për veprimtari të kundërligjshme në fushën e mashtrimit kompjuterik.
Gjatë operacionit janë sekuestruar prova që faktojnë autorësinë e personave të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.
Shtetasit e arrestuar kanë përfituar rreth 38000 euro nga mashtrimet nëpërmjet adresave në rrjetin social Facebook.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, nga Sektori për Hetimin e Krimit Kompjuterik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Seksioni i Krimit Kompjuterik në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas gati një viti hetimesh proaktive, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është organizuar dhe finalizuar operacionin policor i koduar “TRANSFERTA”.
Në kuadër të operacionit u kapën 9 shtetas, për të cilët u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, e cila ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” për shtetasit: E. A., 29 vjeç, I. Q., 27 vjeç, A. M., 48 vjeç, A. T., 28 vjeçe, N. Sh., 21 vjeç, E. H., 33 vjeçe, A. Sh., 21 vjeç, A. A., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë dhe për shtetasin E. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.