Specat dhe kungulleshkat janë dy perimet më fantastike të stinës.
Të freskëta dhe të lehta në shije, të pasura në vlera ushqyese, ato shndërrohen në gatime të mrekullueshme.
AgroWeb.org ju sjell më poshtë kombinimin perfekt të traditës atë të përgatitjes së tavës me speca e kungulleshka të mbushura me oriz.
Një shije fantastike e cila shoqërohet me sallata të freskëta të stinës por edhe me kos shtëpie apo edhe dhallë të ftohtë.
Specat dhe Kungulleshka të Mbushura me Oriz
Përbërësit
3-4 speca për mbushje
3-4 kungulleshka
2 kokrra mesatare qepë
4-5 filxhanë kafeje oriz
1 filxhan çaji mish i grirë
kripë, piper
1 tufë majdanoz
2-3 kokrra mesatare domate
Disa thelpinj hudhër
Rigon
Përgatitja
Specat zgjidhen me tul dhe të mëdha, lahen, u pritet bishti në formë kapaku, u hiqen farat.
Kungulleshkat zgjidhen mesatare. Ndahen në mes por pa u prerë deri në fund dhe u largohet tuli i brendshëm.
Specat dhe kungulleshkat kalohen në një skuqje të lehtë me vaj ulliri dhe vendosen me rradhë në tavë.
Në një enë me vaj ulliri kaurdiset qepa e grirë hollë. Pasi volumi i qepës të bjerë shtoni domatet e grira hollë dhe tulin e prerë në kubikë të kungulleshkave dhe kaurdisini për pak minuta.
Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni mishin e grirë dhe hudhrat dhe kaurdiseni derisa masa të mbetet në yndyrën e saj.
Hidhni kripën, piperin, majdanozin, rigonin dhe ujë dhe lërini të zjejnë për 15 minuta, më pas shtoni orizin dhe lëreni të zjejë përgjysmë dhe masa të jetë e lëngshme.
Nëse preferoni në vend të majdazonit mund të përdorni edhe kopër.
Me masën e përgatitur mbushni specat dhe kungulleshkat me rradhë por jo plot, pasi gjatë zierjes orizi shton sasinë dhe mbushja del jashtë. Nëse u tepëron oriz nga masa e mbushjes pasi të keni mbushur specat hidhjani tavës rreth e rrotull specave.
Në fund tavës hidhini dhe pak kripë, pak lëng mishi ose ujë dhe futeni të piqet në furrë të parangrohur.
Burimi: AgroWeb.org