Ekspertët e ekonomisë parashikojnë luhatje të forta të kursit të këmbimit edhe për muajt në vijim. Sipas tyre kjo do të ndodhë për shkak të faktorëve të brendshëm. Borxhet dhe donacionet që qeveria shqiptare ka siguruar për rindërtimin pas tërmetit dhe për pandeminë pritet të rrisin valutën në qarkullim dhe rrjedhimisht edhe të ulë vlerën e monedhave të huaja.
“Paratë që futen në Shqipëri nga vendet e tjera, qoftë si donacione si në rastin e rindërtimit, janë një nga faktorët që do të çojë në zhvlerësimin e vazhdueshëm të këtyre monedhave. Në një periudhë afatmesme, këto zhvlerësime do të marrin një hov duke u mbivlerësuar, sepse këto borxhe do të duhet të paguhen. Në këtë moment po thithim valuta, në një periudhë tjetër do të duhet t’i konvertojmë”, shpjegon Elona Shahini, eskperte e ekonomisë.
Ekspertët argumentojnë se aktualisht në tregun e brendshëm po qarkullon valutë, që rrjedh nga aktivitete informale, gjë që reflektohet tek konsumi në një kohë që të ardhurat e disponueshme kanë rënë, si pasojë e krizës që po kalon ekonomia.
“Në qoftë se do të llogarisësh konsumin margjinal, do të shohësh që është më shumë se 1, si mund të konsumosh më shumë sesa të ardhurat që ke, është absurde, por kjo tregon se ekziston informaliteti”, vijon Shahini. Ekspertët shpjegojnë se një pjesë e këtij informaliteti është edhe fluksi i valutës që rrjedh nga aktivitetet e paligjshme, një pjesë që është e pamundur për t’u matur.