Suksesi me Çekinë është lënë pas nga Kombëtarja dhe nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, kuqezinjtë kanë nisur punën për testin e radhës me Bullgarinë. Ky takim i së martës ka karakter miqësor, kështu që stafi pritet të bëjë rotacion të thellë në formacion duke u dhënë hapësirë lojtarëve që janë aktivizuar pak, ose aspak në këtë fushatë kualifikuese për Europianin e Gjermanisë.
Seanca e sotme është zhvilluar në ambientet e ”Shtëpisë së Futbollit”, por në dallim nga herët e tjera përgatijet nisën disi ndryshe për kuqezinjtë.
Para fillimit të seancës stërvitore, u zhvillua një takim mes ekipit kombëtar të meshkujve dhe të femrave, që drejtohet nga trajneri Armir Grima. I pranishëm ishte dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, takimi u shoqërua me batuta dhe alegri.
Mirlind Daku dhe Keidi Bare janë larguar nga grumbullimi pas ndeshjes me Çekinë, ku sulmuesi iku për shkak dëmtimi, ndërsa mesfushori u la i lirë që të kontribuonte për Espanjolin në kampionat.
Në mungesë të tyre trajneri Silbinjo thirri sulmuesin Marvin Çuni që aktivizohet te Frozinone në Seria A, i cili kreu edhe seancën e parë me kuqezinjtë.