Shuma është zbuluar, ja sa përfiton Vllaznia nga shitja e Kobiljarit

by KLIKOJE.AL

Vetëm një muaj ka zgjatur aventura e Rijad Kobiljarit te Vllaznia. Mesfushori boshnjak, i cili u afrua gjatë merkatos së verës dhe pritej të ishte një nga alternativat e rëndësishme në repartin ofensiv të kuqebluve, tashmë i ka dhënë fund qëndrimit në Shkodër.

Kobiljar është transferuar te Muharraq SC në Bahrein, në një lëvizje që ka ardhur në mënyrë të befasishme dhe menjëherë pas debutimit të tij zyrtar me fanellën e Vllaznisë. Për kartonin e lojtarit, klubi shkodran mësohet se ka përfituar rreth 50 mijë euro. Largimi është edhe më surprizues për faktin se Kobiljar sapo kishte zbritur në fushë në ndeshjen hapëse të Abissnet Superiores ndaj Skënderbeut. Madje, mesfushori boshnjak e nisi takimin si titullar, duke dhënë sinjalin se do të ishte pjesë e planeve të trajnerit Edi Martini për sezonin e ri.

Por vetëm pak ditë pas atij debutimi, situata ka ndryshuar tërësisht. Kobiljar ka mbyllur kapitullin me Vllazninë dhe do të vijojë karrierën në kampionatin e Bahreinit. Një lëvizje që vjen në një moment aspak të zakonshëm, pasi lojtari sapo kishte nisur aventurën e tij me skuadrën shkodrane.

Për trajnerin Edi Martini, ky është një tjetër ndryshim i papritur në organikë. Tekniku kuqeblu humbet shërbimet e një mesfushori me tipare sulmuese, i cili ishte aktivizuar që në javën e parë të kampionatit dhe pritej të kishte një rol në skemat e skuadrës.

Vllaznia, ndërkohë, duhet të rikthejë vëmendjen te kampionati. Përpara skuadrës shkodrane është sfida e javës së dytë të Abissnet Superiores, ku kuqeblutë do të luajnë në transfertë ndaj Elbasanit.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.