Dinamo tashmë ndodhet në Qipro, aty ku të enjten, më 27 gusht, do të luajë një nga ndeshjet më të rëndësishme të historisë së saj në arenën europiane. Blutë do të përballen me Pafos në sfidën e kthimit të “play off”-it të Conference League, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë. Por përtej kualifikimit dhe prestigjit sportiv, në Qipro Dinamo do të luajë edhe për një shumë të konsiderueshme parash.
Deri në këtë fazë të aventurës europiane, klubi kryeqytetas ka siguruar rreth 1.45 milionë euro nga UEFA. Megjithatë, një fitore ndaj Pafos do t’i hapte derën një tjetër bonusi të madh financiar. Bëhet fjalë për 1.72 milionë euro, që është vlera financiare e kësaj sfide për Dinamon. Nëse blutë arrijnë të triumfojnë dhe të sigurojnë objektivin në këtë përballje, të ardhurat totale nga rrugëtimi europian do të shkonin në rreth 3.17 milionë euro.
Pra, për Dinamon nuk është thjesht një ndeshje për vazhdimin e aventurës në Europë. Është edhe një përballje që mund të ndryshojë ndjeshëm arkën e klubit. Shifrat e mësipërme konsiderohen si të ardhurat minimale të garantuara nga UEFA, ndërsa në këtë përllogaritje nuk përfshihen burime të tjera të ardhurash që lidhen me pjesëmarrjen europiane, si sponsorët apo të ardhurat e tjera komerciale.
Kështu, sfida e 27 gushtit në Qipro merr një peshë të dyfishtë për Dinamon. Blutë do të kërkojnë të mbrojnë rezultatin e marrë në ndeshjen e parë, por njëkohësisht do të kenë përpara edhe mundësinë për të vendosur një rekord financiar në historinë e klubit.