Kategoria e Parë, në një terren të rënduar nga reshjet e shiut që vijuan edhe gjatë ndeshjes, si dhe hera-herës me “pushtetin” e mjegullës, Burreli ka fituar në shtëpi me përmbysje ndaj Kastriotit. Me fitoren 3-1 matjanët e kanë rritur diferencën me 4 pikë nga krutanëve.
NDESHJA
Takimi ka filluar i shpejtë me vendasit protagonistë, ku të besuarit e trajnerit Bicaj shënjestrojnë disa herë portën mike. Falë presionit, pritej shënimi i golit nga Burreli, por janë miqtë ata që shënojnë të parët me Kukën në minutën e 11-të. Në të 18-ën, kur matjanët barazojnë. Goditje dënimi për Burrelin nga një distancë mbi 35 metra dhe kapiteni Dedgjonaj me mjeshtri shënon një eurogol me një goditje të kalibruar. Burreli vijon epërsinë në kërkim të golit të avantazhit, që e arrin në të 51-ën me sulmuesin Rrapi, i cili këtë radhë nuk fal dhe 2-1 për vendasit. Ovacionet në shkallët e stadiumit vazhdojnë, dhe Burreli nuk heq dorë nga presioni i ushtruar në kërkim të golave të tjerë. Minuta 56, pas një aksioni të bukur nga e djathta e mbrojtjes matjane, Hoti merr një top të bukur, u shmanget dy mbrojtësve miq, gjuan fort në hyrje të zonës, por topi ndalet nga pellgu i ujit. Rrapi që e ndjek nga afër aksionin, shënon golin e dytë të tij dhe të tretin për skuadrën, 3-1.
DEKLARATA
Disfata e Kastriotit ka çuar në dorëheqjen e trajnerit Stavri Nica menjëherë pas ndeshjes nr Kategoria e Parë. Trajneri i Kastriotit, Stavri Nica ka shpërthyer pas ndeshjes ndaj lojtarëve të tij, ku njoftoi edhe largimin. Kastrioti u paraqit larg pritshmërive dhe mundësive që ka. Kjo ka detyruar trajnerin Nica të japë dorëheqjen, i cili me nota të forta tha:
“Kastriotit në këtë ndeshje i mungoi dëshira dhe impenjimi për të luajtur. Problemi i kësaj skuadre është fakti se në përbërje të saj ka lojtarë pa karakter. Ne kishim dy-tre mungesa, që nuk kishim me kë t’i zëvendësonin. Dhe kjo vjen nga gabimet që janë bërë në përzgjedhjen e verës. Duke deklaruar dorëheqjen, i sugjeroj drejtuesve të klubit që të shfrytëzojnë merkaton e dimrit për të gjetur lojtarë, që synojnë të ecin në karrierë dhe jo lojtarë që hiqen si lider”.