Gugash Magani, trajneri i Tiranës analizoi humbjen 2 me 1 që skuadra e tij pësoi në “Elbasan Arena” ndaj Dinamos. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, tekniku peqinas u shpreh: “Pjesën e parë e parë edhe pse luajtëm shumë dobët, u shfaqëm te porta e Dinamos me dy raste flagrante. Morëm 2 gola të shpejtë dhe u krijua situatë jo e qetë. Humbëm kontrollin taktik dhe psikologjik. Edhe mund të ishin ndëshkuar përsëri. Ne mund ti bëjmë dëm kujtdo skuadre sepse ne jemi Tirana. Pjesa e dytë ka qenë komplet e jona. Nuk ishte rastësi që shënuam. E kërkuam barazimin gjatë gjithë pjesës së dytë, duhet ta kishim barazuar ndeshjen. Treguam karakter, patëm besim që mund ta kthenim rezultatin.
Nuk është shpikje që bëmë në pjesën e dytë, riskuam, por skuadra ka luajtur edhe më përpara me këtë skemë. Kemi pasur probleme në mesfushë dhe kemi qenë të cënuar në zgjedhjet. Kam përgjegjësitë e mija, po ta kishim përgatitur më mirë në shumicën e rasteve ndeshjen, do të ishte rezultat më i mirë.
Po t’i riferohemi të gjithë ndeshjeve, vetëm në këto 2 ndeshje kam ndryshuar. Ismajli ka luajtur me 2 ditë stërvitje, Jonuzi dhe Meta ishin të dëmtuar. Kemi spostuar Dembelenë, por nuk kemi luajtur mirë me dy përpara. Sot bëmë gabime individuale që ndodhin gjithmonë. Jo gjithmonë duhet të ndryshojmë shumë. Luajtëm 3-5-2 dhe 3-4-3, një gjë kam siguri, në qoftë se do të kemi grupin e mesfushorëve në rregull, luaj pa frikë me 3 mbrapa. Kam 3 lojtarë shumë të mirë si Mici, Dembele dhe Kola.
Unë jam njeri që jam i hapur, kam folur edhe me stafin tim. Në këto momente nuk mund të ndryshojmë shumë gjëra. Na duhen pikë, mund të kalojmë në aventurë me logjikë, sepse edhe mund të ndëshkohesh. Mund të shkonte edhe 3 me 0 loja, por unë mendoj se mund ta kishim barazuar ndeshjen.
Unë gjithë kohës në karrierën time kam marrë risk, kam drejtuar edhe skuadra një kategori më poshtë dhe i kam nxjerrë në Superiore, kam marrë edhe Tiranën në ditë të vështira. Asnjëherë nuk më shkon ndërmend që Tiranës do t’i dështojë sezoni. Kam shumë besim te gjithë këto çuna. Me ndihmën e presidentit do të ndërhyjmë edhe në merkato. Kam besim tek 80 % e skuadrës aty. Gjatë kohës dhe ditëve në vazhdim do të jemi shumë më mirë seç jemi tani.
Merkato është pjesë që i takon klubit. Do t’i diskutojmë gjërat. Nuk duhet ta prishim grupin, se për ndryshe do të kemi probleme”, u shpreh Gugash Magani për mikrofonin e “RTSH”.