Julian Brahja, zv.trajner i Egnatias ka folur pas barazimit 1-1 pas 120 minutave lojë në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës. Por, gjithçka u vendos në gjuajtjen e penalltive, aty ku rrogozhinasit u treguan më të saktë.
“Nuk është se vijmë në një moment të mirë, kishim dy humbje në kampionat. Por çunat e kaluan atë moment. Dua të kem një falënderim të madh për çunat, për gjithë ekipin, dhanë gjithçka sot. Sot kishim ndryshuar, ishim në 3-5-2. Bakayoko dhe Gruda ishin në sulm, duke marrë edhe gjerësinë e mesfushës. Duke marrë parasysh që Elbasani del shpejtë në kundërsulm, duhet të ishim gjithë kohës në ekuilibër.
Të them të drejtën, në këtë ndeshje s’duhej të gabonim. Ishte një ndeshje e fortë, edhe Elbasani e meritonte të shkonte në finale. Shkuam në penallti, këtë radhë na buzëqeshi neve, por në Kupat e Evropës s’kemi pasur shumë fat, jemi eliminuar dy herë. E kishim lënë që të ndanim 5-shen e parë të gjuajtësve të penalltive në fushë. I vendosëm shpejt e shpejt”, tha Julian Brahja.