Ish-deputeti Myslim Murrizi pavarësisht se nuk ka siguruar një ulëse në Kuvend, nuk ka qëndruar jashtë skenës politike.
Ai është fotografuar në foltoren e organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë.
Ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi mori pjesë ditën e djeshme në aktivitetin e mbajtur në Qytetin Studenti për 31 vjetorin e lëvizjes së Dhjetorit të studentëve që u ngritën kundër regjimit komunist.
Ai bëri homazhe te shtatorja e Azem Hajdarit, së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe figura të tjera të Partisë Demokratike. I pyetur nëse do t’i bashkohej Kuvendit të thirrur nga Berisha, ai u shpreh sedo të shkonte, por nuk mundet për shkak se e kanë përjashtuar si delegat.

“Isha sot aty në respekt të 31 viteve më parë. Isha aty në respekt të vetes. 8 dhjetori nuk i përket as Lulzim Bashës dhe as Sali Berishës.
Nëse nuk do kishim mbështetjen e mijëra, qytetarëve studentët e lëvizjes së dhjetorit mund të përfundonin tek Mali me Gropa.
Do shkoj sa të jem gjallë në aktivitetin e 8 dhjetorit. Afrim me Berishën? Nëse do të isha delegat i Kuvendit të PD, por nuk jam sepse jam i përjashtuar, do shkoja në Kuvendin e 11 dhjetorit. Ta marrin si të duan”, tha Murrizi.