Iliria e Fushë-Krujës ngre zërin për arbitrimin! Klubi i Kategorisë së Parë ka reaguar përmes një deklarate zyrtare në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se i ka dërguar një shkresë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), ku kërkon reflektim për vendimet e arbitrave. Pakënaqësitë e klubit fushë-krujas lidhen me ndeshjen e javës së pestë, ku Iliria u mposht me rezultatin 0-2 nga Besa e Kavajës. Në reagimin e saj, skuadra evidenton dy episode konkrete, për të cilat pretendon se ndikuan në rrjedhën e takimit.
Rasti i parë lidhet me golin e Besës, për të cilin Iliria pretendon se u shënua në pozicion jashtë loje. Sipas klubit, pozicioni ishte i dukshëm, por anësori Mario Shazivari nuk sinjalizoi parregullsinë, duke lejuar vijimin e aksionit dhe më pas golin e skuadrës kavajase.
View this post on Instagram
Kontestimi i dytë i referohet një episodi në pjesën e dytë, kur Iliria pretendon se duhej të akordohej një penallti në favor të saj. Pavarësisht kontaktit të pretenduar brenda zonës, arbitri kryesor Kreshnik Cjapi, i cili sipas klubit ndodhej pranë aksionit, nuk vendosi për 11-metërsh.
Përmes kësaj shkrese drejtuar FSHF-së, Iliria kërkon vëmendje dhe reflektim për gjykimin, duke ngritur pikëpyetje mbi dy vendimet e marra gjatë përballjes me Besën.