Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit organizoi këtë të premte një mbledhje me Drejtorët Sportivë të 10 klubeve të kampionatit ‘Abissnet Superiore’. Fokusi i kësaj mbledhjeje ishin propozimet mbi ndryshimin e mundshëm të formatit të ‘Abissnet Superiore’.
Për të rritur më shumë nivelin e garës, shikueshmërinë, të ardhurat nga të drejtat televizive e marketing, si dhe për ta bërë kampionatin sa më tërheqës dhe interesant, Federata Shqiptare e Futbollit u ka kërkuar disa javë më parë Departamentit të Garave në UEFA të sjellë disa propozime se si kampionati ‘Abissnet Superiore’ mund të ndryshojë në vijim.
Përfaqësuesit e këtij Departamenti në UEFA kanë sjellë 4 opsione të ndryshme, me disa variante për secilin propozim. Ky material është analizuar nga specialistë në FSHF dhe u është vënë fillimisht në tavolinë Drejtorëve Sportivë të klubeve të ‘Abissnet Superiore’.
Ndërsa nesër, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka do të presë në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’ 10 Presidentët e klubeve të këtij kampionati, për të diskutuar këto propozime.